Rreth vitit ’77-të mora shtëpi në rrugën “Myslym Shyri”. Karshi pallatit zgjatej një rrugicë. Në fund të saj, një shtëpi e rrethuar me mur… Rrallë shihja një derë që hapej. Dilte një djalë. Ishte Robert Ndrenika! Një ditë i zura pritë tek tuneli. I zgjata dorën.

-Të kam parë në film! Të kam lexuar në gazetë.

-Të pëlqen teatri?

-Nuk di ku bie dera e Teatrit Kombëtar?!

-Mëkat! Vjen me mua të presim bileta? Rrallë i bie fati njeriut, të shoh edhe një kryevepër, si “Pamja nga ura”; edhe të luajtur nga një artist i madh, si Pirro Mani.

Nuk ia prisha. Më shumë për t’u mburrur se kisha mik Robert Ndrenikën. Nga ajo ditë nuk i jam ndarë teatrit. Berti u bë sebep që unë të kisha miqësi me ajkën e aktorëve dhe regjisorëve; Dhimitër Anagnosti, Pirro Mani, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Sulë Pitarka, Tinka Kurti, Ndriçim Xhepa, Roland Trebicka…

Më 31 mars 1991 u bëra deputet i PD-së. Punoja ndërkohë në gazetën “RD”. Bie dera. U fut Berti.

-U bëre deputet, mo Miti? Urime! Po bëre një vërë në ujë, do të qajmë si tek filmi: ‘Të vranë, o Miti, të vranë?!’ Politika de! Të njoh. Je djalë i urtë! Politika kërkon çakej…Me të lexuar e kam…

Prill 1992. Isha graduar. Kryeredaktor i “RD”-së. Isha caktuar për deputet në Patos. Pa trokitur, u fut në zyrë Berti. U ul. Ngrysi vetullat. Lëshojë duart. Pa fjalë.

-Të paska ngrënë gomari bukën?

-Më thirri në zyrë, Sali Berisha. Regjisori juaj i PD-së.

-Më tha: Populli i Dumresë të do për deputet?… I plasi barku për mua. Thash… Mendohu? Më tha. Përgjigjen e dua pas tre ditëve…

Rrugës për te zyra jote m’u kujtua koha e qoftëlargut… Kur do bëhej ndonjë film, më thërriste regjisori. “Bert! Kam një skenar të bukur. Të dua edhe ty në film. Por ti e di vetë: Ke rol negativ?!”. Më ishte arratisur vëllai në Gjermani. Isha me “kleçkë” në biografi. Edhe propozimi i Berishës, me kujtoi regjisorët e filmave. Ti si thua?

– Unë them pranoje. Por, “pyet shtatë a tetë dhe bën si do vetë?”.

-Na qenke bërë edhe diplomat, mo Miti?!

Dhe të dy u zgjodhëm deputetë. Rrinim së bashku nga fundi i sallës. Kaluan 6 muaj. Berti si në gjemba. Më fton për kafe.

-Më more në qafë. Në skenë luaj çdo rol. Prefekt. Yzmeqar. Aga. Partizan. Ballist. Rolin e deputetit nuk e honeps. Bëj të flas. Më mbetet fjala në grykë…

-Shiko aktorët që kemi në parlament? Ai me baluke, është nga Korça. Ka qenë spiun. Shiko këtë burrin karshi? Ka qenë diplomat dhe gjykatës në kohën e Enverit. Sot ka vënë në grykë të topit këdo që i del përpara? Shiko këtë ministrin? Thonë se nuk ka ku fut paratë, që i vjedh miletit?…

-Po më zihet fryma! Dua të iki një orë e më parë… Por më kanë zënë kokën me derë, njerëzit e thjeshtë që më dhanë votën?!…Për një gjë jam i sigurtë: Nuk do gjendet regjisor, të më mbushi kaptinën, të bëhem përsëri deputet?!… Dhe e mbajti fjalën!

Burimi: Shekulli.com.al