Nga Jona Doko

Ymer Reçi, është një ndër figurat më të spikatura të brezit të tij dhe i njohur masivisht ndër brezat e sportistëve dhe të ardhuruesve të sportit. Këtë 5 janar ai mbushi plotë 80 vjeç. Paçka se mosha “bën të vetën”, Reçi vijon të mbetet “djali” energjik durrsak, i njohur gjerësisht dhe në veçanti për lagjen “Sefer Efendiu”, e cila ka shërbyer si një fidanishte e rrallë, në të cilën kanë lulëzuar personalitete të shumta të jetës së qytetit, por është shquar sidomos për kualitete sportive mjaft të rralla që i kanë bërë nder Durrësit, jo vetëm në përfaqësimet e niveleve kombëtare, por edhe në veprimtaritë sportive të nivelit ndërkombëtar.Në këtë përvjetor të 80-të, Reçi vijon që në krye të bisedave të tij me miqtë apo të afërmit, të flasë për sportin dhe vitet e arta.

Në një rrëfim për gazetën “Bulevard”, Reçi tregon se sportin e boksit nisi në moshën fëmijërore, për t’u kthyer më pas shumë shpejt, në idhull për trajnerë, boksierë dhe sportdashës, ndër vite. Karriera e tij sportive është e mbushur me ballafaqime interesante, trofe, lavde dhe stimuj. Emri i tij nisi të qarkullonte fillimisht nëpër rrugët e rrugicat e lagjeve, sheshet, kafenetë dhe palestrat e Durrësit mes moshatarëve, të rriturve dhe specialistëve të sportit.

Në rrugëtimin e tij si një boksier i talentuar dhe me pjekjen e boksierit Reçi në fushën e rëndë tëringut, nisën të shtoheshin trofetë brenda e jashtë vendi për të shënuar edhe kulme sportive. Për vite të tëra do t’i duhej të jetonte vetëm me kujtimet, me ato pak foto dhe sidomos me takimet mes boksierëve duke sjellë ndër mend edhe fitoret në Armeni, Moskë (BS), Gjermaninë Lindore, Hungari. Përmbysja e sistemit komunist në Shqipëri ringjalli besimin në ringirtjen e sportit të boksit. Për dhjetë vite bashkë me veteranë të tjerë të këtij sporti nisën të përgatisin të rinj, një pjesë e të cilëve u bënë të papërmbajtur në ring. Por edhe këtë herë, ashtu si dhe në kohën e regjimit të kaluar, nuk zgjati shumë dhe Reçi u detyrua të heq dorë, në vitin 2001.

Sot, në vitin e 80 të jetës së tij Ymer Reçi flet me dhembje për shuarjen e klubit dhe ekipeve të boksit në qytetin e Durrësit, qytet që në vitet 1950 ishte më i madhi dhe më i forti në nivel kombëtar. Por Reçi si sportist dhe mësues i boksit vazdhon të punojë. Këto ditë ai do të niset në një turne për në Beograd të Serbisë.

Boksieri Reçi është caktuar nga trajneri Skënder Kurti i “Tirana” si përgjegjës i këtij ekipi me të cilin do të kërkojë të kthehet në kryeqytetin shqiptar me trofe. Por sa i vlerësuar ndihet Reçi nga shteti për gjithë kontributin e tij dhënë ndër vite?

Kërkoj vetëm një gjë minimale që më takon, pasi unë i tejkaloj normat për pension suplementar, që deri më sot nuk ma kanë dhënë. Unë e kuptoj që sporti në këtë vend nuk është vlerësuar kurrë, por, kontributi im flet qartë dhe nuk i kuhston gjë këtij shteti dhe këtyre instancave shtetërore që të më japin atë që meriotj, që ti kaloj këto vite pleqërie, normalisht”, pohon Mjeshtëri, Ymeri Reçi.

Triumfet e Ymer Reçit, ndër vite:

Fitoret e Ymer Reçit në ring kanë qenë të njëpasnjëshme dhe njëra më e bujshme se tjetra. Ymer Reçi në moshën 14-vjeçare është shpallur kampion kombëtar për të rinjtë. Kjo ka ndodhur në vitin 1954. Më pas, fitoret dhe titujt e nderit i ka pasur radhazi. 7 herë Kampion i Shqipërisë, Mjeshtër Sporti në moshën 18-vjeçare. Më pas Mjeshtër i Merituar i Sportit dhe Krenaria e Sportit Shqiptar. Ndërsa Durrësi, për nderin e të cilit, ai guxoi të sfidojë ne rininë e hershme edhe të vëllanë e vet, i ka dhënë titullin e lartë “Krenaria e Qytetit”.  Si një nder ndeshjet më të bukura të jetës së vet dhe më të fortat, Ymeri kujton atë që ka zhvilluar me kampionin hungarez Fyzezhi Zoltan në vitin 1958.

Ai kujton se atëherë ishte në forme sportive të jashtëzakonshme. Dhe me gjithë se asokohe s’kishte grushtuar më parë në ndeshje të rëndësishme të tilla dhe me figura të tilla, ai s’u thye. Ishte ende një 18-vjeçar, pa ikur në ushtri dhe përballë i duhej të luftonte me një kampion me përvojë e 3 vjet më të madh se ai. Edhe me gjatësi ia kalonte rreth 20 cm më shumë. Shtypi i atyre viteve shkruan për këtë rast: “Kampioni Kombëtar i vendit, 19-vjeçari Ymer Reçi, mund të themi se shënoi fitoren më të bukur të ditës dhe zhvilloi një ndeshje shumë tërheqëse, të karakterizuar nga një mobilizim i papërshkruar që nga fillimi deri në fund. Ai u ndesh për peshën gjysmë të mesme të parë me 21-vjeçarin Fyzezhi Zoltan”.

Ymer Reçi megjithëse pa shumë përvojë, por me shumë kurajë, arriti të fitojë me një gjigant të boksit hungarez, i cili kishte një karrierë brilante në ring. Nga 90 ndeshje të zhvilluara ai kishte fituar plot 87 prej tyre. Në historikun e humbjeve i duhej të shënonte tashmë edhe humbjen që i shkaktoi i riu shqiptar Ymer Reçi./Bulevard News/