Asgje nuk eshte ashtu si duket. Këtë më mirë se askush e dinë grimierët, të cilët arrijnë të bëjnë “mrekulli” në pak minuta. Një të ri ta plakë sa hap e mbyll sytë, një të moshuar ta bëjë të duket ca vite më i ri, të nxijë, të zbardhë, të ndryshojë tipare…

Zhaneta Petushi, është një nga këto “magjistaret” e grimit. Breza të tërë artistësh, këngëtarë, aktorë, por edhe politikanë, kanë kaluar në duart e saj. Vitet e gjata si grimiere pranë Radio Televizionit Shqiptar dhe në Kinostudion “Shqipëria e Re” i kanë lënë kaq shumë kujtime.

Të jesh grimier do të thotë të jesh edhe pak psikolog. Nuk është e thjeshtë të merresh me artistët. Janë tekanjozë, asnjëherë të kënaqur. Dikush nuk pëlqente një palë qerpikë fals, një tjetër ishte tërësisht i shkujdesur ndaj pamjes së jashtme, saqë ende nuk e dinin çdo vishnin pak minuta para daljes në skenë. Ajo kujton Vaçe Zelën, Zoica Haxhon, Edi Luarasin, Naim Frashërin… e shumë të tjerë. Por, një nga ngjarjet që ajo s’ka për ta harruar kurrë, ishte grimimi i fytyrës së Enver Hoxhës, ditën e vdekjes.

Kaq mjafton që trupin të ta përshkojnë mornica. Imagjinoni ç’mund të ndodhte në ato vite. Një gabim i vogël, mund të ishte fatal. Për herë të parë, mjeshtrja Zhaneta Petushi ndan kujtimet e atyre ditëve. Ankthi, frika, tensioni… Petushi tregon prapaskenat e një funerali madhështor. Si e grimoi fytyrën e diktatorit të vdekur, ç’probleme pati, operacioni që i ishte bërë diktatorit për heqjen e rrudhave, kërkesat e Nexhmije Hoxhës, si e ruajtën trupin 6 ditët e funeralit, incidentet gjatë homazheve, ndërsa njerëzit i binin sipër trupit të pajetë, e qanin me kuje. Të gjitha këto, ekskluzivisht për suplementin “Unë Gruaja”.

Këtë më mirë se askush e dinë grimierët, të cilët arrijnë të bëjnë “mrekulli” në pak minuta. Një të ri ta plakë sa hap e mbyll sytë, një të moshuar ta bëjë të duket ca vite më i ri, të nxijë, të zbardhë, të ndryshojë tipare…

Duke kërkuar mbi jetën tuaj, mësojmë se keni qenë valltare pranë Ansamblit të Ushtrisë. Pse hoqët dorë nga skena, për të kaluar në prapaskenë si grimiere?

Përvoja ime si valltare i takon fillimeve artistike… Që nga viti 1953 deri në vitin 1970 kam qenë pjesë e Ansamblit Artistik të Ushtrisë, një punë që më ka lënë mbresa të pashlyera. Për të kaluar në punën e grimieres më shtynë një grup shoqesh këngëtare dhe soliste të Operës dhe Baletit, dhe nxitësja kryesore ka qenë solistja Jorgjie Misa, gruaja e drejtorit të RTSHsë, Klimi Misa. Ishin të gjithë këta faktorë njëherësh që më shtynë për të provuar punën si grimiere.

Nuk janë pak 17 vite si valltare, keni pasur rast të kërceni para ndonjë udhëheqësi komunist?

Nostalgji të thellë nuk kam, por mbresat janë të shumëllojshme, emocionet para shfaqjeve, koncertet në tërë Shqipërinë, në pikat më të largëta kufitare të Ushtrisë dhe takimet me spektatorët me uniformë. Turnetë, disa herë ishin shumë të gjata, sidomos jashtë shtetit në Bashkimin Sovjetik, Kinë, Kore, Vietnam, Mongoli etj. Një herë shkuam në Vietnam ndërsa zhvillohej një luftë e egër. Interesante ishin takimet atje me udhëheqësin vietnamezë Ho Shi Min dhe darka e bukur që na shtroi në Kinë kryeministri kinez Çu En Lai.

Ju e takuat personalisht Çu En Lain? Kërcyet për të?

Nuk e di a do të ma quani takim vallëzimin që bëra me të. Ai ishte një vallëzues i fismë, galant, njërin krah nuk e zotëronte mirë, por vitet e kaluara në Perëndim e kishin bërë kryeministrin kinez një kavalier të mrekullueshëm.

Një ngjarje e bujshme në punën tuaj ka qenë edhe përkujdesja për fytyrën e Enver Hoxhës të vdekur… Pse nuk keni folur asnjëherë për këtë fakt?

Është e vërtetë që kam trukuar ish-diktatorin Enver Hoxha të vdekur, por unë në gjithë këto vite nuk e kam zënë kurrë në gojë (zgjedhje e imja, pa asnjë arsye konkrete).

Si t’u besua kjo detyrë?

Historia e grimit të Enver Hoxhës të vdekur në masmedia deri tani është falsifikuar jo pak herë. Je diktator o demokrat, deri sa ke hyrë në historinë e një populli, ajo duhet të shkruhet me vërtetësi, dhe jo sipas interesave politike. Nuk e di nëse më caktuan si më të mirën, por di që m’u dha rasti të demonstroja profesionalizmin tim në shkallën më të lartë, rast që nuk më ishte dhënë ndonjëherë më parë. Sidoqoftë, duhen pyetur ata që ma besuan. Të jesh e besuar nuk është mëkat. Dhe të jesh e vlerësuar profesionalisht, kjo nuk të përzien me shtypjen diktatoriale, ashtu si nuk përzien as mijëra artistë të tjerë, pianistë, mjeshtër të folklorit, arkitektë, tenorë dhe soprano. Mendoj se ma ngarkuan këtë detyrë nga përkujdesja e tyre maksimale, ngaqë të tëra ditët e homazheve do të pasqyroheshin në televizion brenda dhe jashtë vendit.

Ndërkohë që më 11 prill të vitit 1985, e gjithë Shqipëria vajtonte vdekjen e Enver Hoxhës, ju ishin në morg përpara trupit të tij të vdekur. Çfarë ndodhte aty?

Më morën e më çuan drejt e në morg. Emocionet ishin tepër të fuqishme. Te dera më priste Sulo Gradeci, bashkë me dy ndihmësit, që më kishin caktuar pas vetes, Edmond Lakon dhe një koleg tjetër të Kinostudios. Me nervozizëm Gradeci më tha: “Ku je se po të presim, s’kemi lënë vend pa të kërkuar. Nga shoqja Nexhmije ke porosi të veçantë, flokët i do shumë të shpupuritur”. Në morg Enver Hoxha ishte shtrirë në një si sofat graniti, i veshur me veshjet e brendshme dhe i mbuluar me një përparëse të bardhë. Menjëherë më ra në sy që i kishin bërë operacion plastik, dhe kjo ishte bërë që të mos i dukej asnjë rrudhë.

Intervisten e plote marre nga Ermira Isufaj e lexoni sot ne suplementin “Une Gruaja” ne gazeten “Panorama”.