Dardha, vend i magjishëm, 1800 m mbi nivelin e detit, 18 km larg nga Korça, syri të sheh maja malesh dhe lugina të mrekullueshme, poshtë fusha e Korçës me liqenin e Maliqit.

Nga Vepror Hasani

Diçka nuk ecte në turizmin shqiptar dhe kjo ishte ajo që e mundonte pareshtur princeshën Maxhide Zogu. Vendi i saj kishte shumë vise të virgjëra, të bukura si në një përrallë, por çuditërisht turistët dhe vizitorët e huaj ishin të pakët. Por më keq akoma, shqiptarët vazhdonin me pushimet e tyre në vende të huaja, atje ku virgjëria natyrore nuk ishte dhe aq e kthjellët sa tek vendi ku jetonte ajo. Kjo gjendje e mundonte princeshën, madje kishte filluar të mos ndihej e qetë. “Duhet pak më shumë patriotizëm”, mendoi ajo. Ishte maj i vitit 1938, princesha solli në mendje gjithë bashkitë e mbretërisë së saj, madje edhe atë të Korçës. “Dardha…” pëshpëriti me vete dhe ndenji një çast e menduar. “Aty duhet të fillojë zgjidhja”, u duk sikur ishin fjalët e saj.

Shoqëria dardhare “Shpresa”

Kohët e fundit e kishin informuar se shoqëria dardhare “Shpresa” po bënte të pamundurën për të ngjallur turizmin në atë vend magjepsës që shtrihej mbi Malin e Moravës. Jo më pak e përkushtuar kishte qenë edhe  shoqëria dardhare, “Bashkimi”, në Bukuresht. Princesha Maxhide Zogu ishte Kryetarja e Naltë dhe Patronesha e Turizmit. “Po, tha me vete, kjo iniciativë duhet të jetë shembull, sidomos për Bashkitë e ndryshme të Mbretnisë…” Për princeshën kjo ishte një shenjë e mirë. Nga rafti i librave mori sërish një botim të kohëve të fundit. E kishte lexuar disa herë dhe përsëri pati dëshirën ta rilexonte. Botimi ishte i shoqërisë “Shpresa”. E hapi ngadalë dhe me vëmendje të përqendruar po ndiqte rreshtat e shkruar dhe fotografitë e vendosura në faqet e librit. Të gjitha pamjet ishin të Dardhës. Kishin filluar përpjekjet e para për një guidë të këtij katundi.  Në mendje po i  mbeteshin shprehjet:

Dardha shtrihet 1800 metra mbi nivelin e detit, është 18 km larg nga Korça, syri të sheh maja malesh dhe lugina të mrekullueshme, poshtë shtrihet fusha e Korçës me liqerin e Maliqit.

Princesha kërkoi në fund të shkrimit, emrin e autorit, por vuri re se nuk kishte asnjë emër. (Shkruesi kishte përdorur fjalën liqer në vend të fjalës Liqen, shprehje që e gjejmë edhe tek lirikat e Lasgushit) Megjithatë princesha Maxhide mendoi se materiali ishte shkruar nga Sterjo Spasse. Kujtoi që Spasse ishte drejtor shkolle në Korçë, madje kishte lexuar mjaft shkrime të tij tek revista “Bota e Re”. Ndoshta nuk e kishte vënë emrin, sepse ai ishte një nga anëtarët e komisionit në këtë guidë.

Ngritja e komisionit

Në atë kohë Enti Kombëtar i Turizmit kishte kërkuar ngritjen e një komisioni të posaçëm  me synimin e shkrimit të një monografie për Korçën, ku të gjente pasqyrim gjithë rrethi. “Është e nevojshme të propagandojmë turizmin”, kishte thënë Princesha. Fill pas kësaj porosie, Bashkia e Korçës thirri njerëzit më të ditur të qytetit. Lajmi mori dhenë. “Korça, thoshin njerëzit, tani e tutje do të jetë e njohur në të gjithë botën, do të vijnë të huajt për turizëm”. Shpresat ishin ndezur mjaft. Tregtarëve nuk u pritej sa të shihnin vizitorët e parë. Në krye të këtij komisioni patën nderin të ishin: Drejtori i Liceut Kombëtar, Z. Z. Kostaq Cepo, Drejtori i Bibliotekës “Thoma Turtulli”, Anastas Mio, profesori Stavri Skëndi, profesor dhe piktor Vangjush Mio, si dhe shkrimtari, Sterjo Spasse. Komisioni u ndal veçanërisht në katundin e bukur të Dardhës, ku u bënë fotografi nga më të bukurat. Princesha u kthye sërish tek fjala “liqer”, fjalë kjo që i pëlqente mjaft dhe nisi të lexonte sërish. Autori tregonte se nga Dardha mund të shihje vargun e Malit të Thatë dhe përbri tij, ujërat e liqerit të Pogradecit.  Princeshës i erdhi mirë që sërish ishte përdorur fjala “liqer”. Poshtë kësaj fjale, renditeshin me një gjuhë të mrekullueshme krojet me ujëra të ftohtë, magjitë e kodrave të Shën Pjetrit dhe të Shën Thanasit dhe pamja hijerëndë e Gurit të Vjeshtës. “Kur gjendesh në krye të tyre, shkruante autori, dukesh sikur gjendesh mbi krahë shpendësh”. Më tej poeti kujtonte se poshtë Dardhës shtrihej lumi i Devollit, ndërsa, ashtu siç mund të shquaje liqerin e Pogradecit, që aty, mund të vështroje edhe liqerin e Kosturit.  Princesha palosi revistën e hapur.

“Bukur”! – tha Kryetarja e Naltë dhe Patronesha e Turizmit, “shumë bukur”.  “Dardha është një vend i bukur dhe i virgjër, nuk i mungon asgjë nga ajo çka i ka dhuruar natyra me bujari të plotë. Por çfarë duhet bërë më shumë që vizitorët të ndihen mirë?”

Letra e princeshës

Nuk ishte se Dardhën ajo e njihte vetëm nga shkrimet e poetëve, fshatin Dardhë ajo e kishte parë nga afër. Kishte mjaft fotografi nga Dardha, në një nga vizitat e saj kishte qenë me princeshat mbretërore Muzejen dhe Ruhie. Kishte dhe fotografi me gratë dardhare. Princesha thoshte shpesh se e merrte malli për ato gra aq të zonja. Veçanërisht pëlqente veshjet e tyre. “Janë sugjestive” shprehej për kostumet popullore. Megjithatë kuptoi se kishte filluar të ndihej këndshëm. E kishte pushtuar entuziazmi. Bëri një lëvizje të shpejtë dhe po me atë vrull mori një letër dhe nis të shkruante. Princesha Maxhide po i drejtohej me një letër kryetarit të shoqatës dardhare “Shpresa”. Letrën po e japim ashtu siç është në origjinal:

Dardha e sotme

Që nga dita kur Patronesha dhe Kryetarja e Naltë e Turizmit hodhi firmën e saj mbi letër kanë kaluar  81 vjet. Në vitin 2006 doli në dritë guidë e re e Dardhës, por që nuk i afrohet  në as një të qindën  asaj që  prezanton guida e dikurshme. Megjithatë ende u këndohet shkrepave, luginave, Gurit të Vjeshtës, Malit të Thatë dhe Lumit të Devollit, Liqenit të Ohrit dhe atij të Kosturit që shihen bukur që aty.  Por nuk thuhet asgjë se çfarë do të gjejnë vizitorët në atë vend të virgjër, i mbetur njësoj që nga dita e krijimit të natyrës. Ajo çka thuhet me krenari në guidën e re janë fjalët: “Nëse do të jeni të ftuar për një drekë të shijshme në Dardhë, sigurisht që nuk do të ikni pa provuar të famshmin lakror me dy petë të pjekur në saç. Asortimente të tjera që do të shoqërojnë drekën tuaj janë kërmijtë dhe ligavecët”. Me sa duket autori nuk e ka ditur se kërminj dhe ligavecë kanë të njëjtin kuptim. Nëse patronesha dhe kryetarja e Naltë e Turizmit do të ishte gjallë me siguri do të thoshte:  Pushimet e mia do t’i kaloj në Dardhë, është një nga vendet më të bukura që kemi!

Burimi: Telegraf.al

Advertisements
Advertisements