Mami ish sëmurë,

dridhej,

kishte ethe,

këmbët i kish akull,

duart si dy gjethe.

Lola, Genta, Krisa

pas lojës

u harruan,

për nënën e tyre

fare s’u kujtuan.

 Lola, Genta, Krisa

erdhën

në shtëpi,

të trija me etje,

me djersë dhe uri.

I pa mami vajzat

me djersë

në ballë,

në vend të qortimit,

nisi një përrallë:

Bleta, Merimanga

dhe Gjinkalla

pra,

na ishin tri motra,

të mira sa s’ka.

 Motrat të trija

na kishin

dikur

një nënë të vetme,

që dergjej sëmurë.

Një ditë në ethe,

ashtu

në kllapi,

kërkoi nëna vajzat

t’i kishte në shtëpi.

Bija Merimangë

po thurte

pëlhurë

kur i vajti lajmi

që nënën, kish sëmurë.

 Ku e gjeti nëna

të sëmuret

sot,

unë po end pëlhurë

pëlhurën  s’e lë dot.

Dhe vazhdoi Merima,

punën

nuk e la,

për lajmin e hidhur

të fikët s’i ra!

Thërritni, tha nëna,

 bijëzën

Gjinkallë,

ajo do më vijë

me lot edhe mall.

 Gjinkalla këndonte

mes vapës

në drurë

kur i vajti lajmi:

që nënën kish sëmurë.»

  Ku e gjeti nëna

të sëmuret

sot,

unë po këndoj,

këngën s’e lë dot.»

 Gjinka moj bija,

vazhdoi

të këndonte

edhe kur mësoi

që nëna lëngonte!

Dhe vazhdoi Gjinka,

këngën

nuk e la,

për lajmin e hidhur

të fikët s’i ra!

 Thërritni, tha nëna, 

bijëzën

e tretë,

bijëzën e vogël,

që ma quajnë Bletë!

Bleta po gatuante

dyllë

edhe mjaltë

kur i vajti lajmi:

që nënën kish në shtrat.

Bleta la gatimin

e pikëlluar

shumë,

dhe u nis në çast

me duart me brumë.

Mbi blire dhe lule

Bleta fluturonte,

lulet derdhnin

mjaltin,

Bleta s’i shikonte.

Se s’pyeste Bleta

 për dyllë

dhe mjaltë,

vraponte te nëna

që dergjej në shtrat.

Erdhe, bija ime? 

tha nëna

e shkretë,

kur pa para syve

bijëzën Bletë.

Erdha, nënë e dashur,

pa më thuaj

ç’ke,

si ndihesh, moj nënë,

moj nënë, si je?

Sa më qenke lodhur!,

tha nëna

me mall,

kur Bletëzën e pa

me djersë në ballë. –

Dhe duart i paske

me miell

dhe brumë,

po pse të nxitoje,

moj bijë, kaq shumë? –

Po nëna po dridhej,

nëna

kishte  ethe,

duart i kish akull,

të verdha si gjethe.

Që t’i shuhej zjarri

duhej pak dëborë;

Bleta

fluturoi,

e mori në Tomor.

Mbi ballin e nënës

që digjej, përvëlonte,

i vuri

një leckë

lecka avullonte.

Një lule këputi

bijëza

Bletë,

e mbushi me mjaltë

për nënën e vet.

Dhe bëri me ngut

një kafe

me mjaltë

për nënën e dashur,

që dergjej në shtrat.

Nëna piu kafen,

shurupin prej mjalti,

u çel

në fytyrë,

u çua nga shtrati.

 Kur i shkuan ethet

dhe zjarri

i ra,

bijëzës së vet

nëna na i tha:

Kur  të thirra ty Bletina,

Më erdhe  

me nxitim

mjalti yt u bëftë

për njerëzit ushqim ! –

Mamaja përrallën

sapo

mbaroi,

secila nga vajzat

mjaft drejt e kuptoi.

Dhe bijat të trija

për mëmën

e vet

u bënë secila

si bijëza Bletë…

Lola lagu leckën,

ia vuri

në ballë,

Gentiana i lidhi

mamasë një shall.

Krisa i bëri

mamit

menjëherë

një kafe të fortë

me pakëz sheqer.

Kur ethet i ranë

dhe zjarri

i ra,

vajzave të trija

mamaja u tha:

Ejani te mami,

ejani,

moj bija… –

Dhe mami në ballë

i puthi, të trija.

Burimi: Voal.ch