Muaji i parë i pranverës sjell çdo vit disa festa, por 7 dhe 8 Marsi, janë dy nga më të bukurat e më njerëzoret për kombin dhe shoqërinë shqiptare, që i kushtohen mësuesit dhe nënës. Më pëlqen të mendoj se jo rastësisht e kanë gjetur veten pranë e pranë, si dy gonxhe rritur në një degë. Zoti nuk i ndau, sepse të dyja u takojnë fëmijëve. Nëna i sjell në jetë, ndërsa mësuesi i përgatit për jetën. Ndaj urimet për nënën dhe mësuesin janë nga më të bukurat, sepse burojnë nga shpirti i çiltër i fëmijëve dhe i prindërve.
Nuk dua të bëj fajtor asnjeri, pasi edhe unë jam brenda shoqërisë, por kur bëhet fjalë për festën e shkollës shqipe, menjëherë na vete mendja vetëm tek “7 Marsi” i vitit 1887, duke harruar se katër vjet më pas, më 1891 u hap “Shkolla e Vashave”, që të dyja në qytetin e Korçës. Pavarësisht se i shërbejnë të njëjtit qëllim e të njëjtit mision, shkollë ku mësohet në gjuhën shqipe, duket sikur e dyta është thjesht vashdimi i së parës, aq sa edhe festa është pronë e shkollës së parë. Kjo është e drejtë vetëm për histori, që është e ftohtë ndaj ngjarjeve. Mjafton të kthehemi e të qendojnë pak në ato vite të turbullta për shqiptarët, që ishin të robëruar e të përçarë dhe nuk u lejohej të mësohej gjuha amtare shqipe, atëherë mund të kuptojmë se sa e vështirë ishte hapja dhe mbajtja e kësaj shkolle. Nismëtarët ndodheshin në një trysni të trefishtë: turku me ushtri, xhandarë, burg e dajak, kisha greke me djallëzi, helmë e mallkime, në anën tjëtër fanatizmi ndaj vajzave dhe grave, i rrënjosur ndër shqiptarët prej 500 vjetësh robëri.
Duke u endur në historinë e kësaj çerdheje shqiptarie, siç ishte Shkolla e Vashave në Korçë, secilit i hapet gjykimi për udhën e ndritur dhe e vështirë nëpër të cilën udhëtuan e shërbyen dy mësueset, dy motrat, të ndihmuara me përkushtim nga vëllezërit e tyre Gjerasim e Gjergj Qiriazi. Shterohen fjalët e shtohen mendimet, kur lexojmë këto vargje të dalë nga shpirti i një mëmëdhetari të zjartë, siç ishte Gjerasim Qiriazi:
“Do punoj për mëmëdhenë
Gjithë jetën sa të ronj.
Do të zgjoj dhe ata që flenë
Kështu jetën ta mbaronj”.
Me këtë frymë atdhedashurie në familje, u rritën të dyja motrat, që kur e nisën shkollën dhe gjersa i bitisën studimet e larta në Stamboll e në Amerikë. Kultura e gjërë, zotërtonin mbi shtatë-tetë gjuhë të huaja, takimi me rilindasit e shquar, ideologët e çështjes shqiptare, u dha mundësi të njohin gjendjen e mjerë të shqiptarëve dhe të ndjejnë e të parashikojnë ardhmërinë e kombit tonë të shumëvuajtur, se veç me “Pushkë e penë të luftojmë për mëmëdhenë”.
Nuk ishte i lehtë vendimi dhe “betimi” për t’u bërë misionare të dijes, të hapjes së shkollave dhe mësimit të gjuhës shqipe, kur diheshin e njiheshin mundimet e pengimet që do të ndeshnin në veprimtarinë e tyre, kushtuar mësimit dhe ngjalljes së ndjenjës kombetare tek shqiptarët. Bindemi lehtë po ta shtyjmë veten në kohë, këtu e 125 vjet më parë, sepse mjaftojnë vetëm këto pak fjalë të arta: “Motër, punë më të mirë dhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë”. Për Parashqevinë kjo ishte porosia dhe “bekimi” i Naim Frashërit, kur e takoi në Stamboll dhe i firmosi diplomën e arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit turk.
Hapja e shkollës së Vashave, ishte një ngjarje e madhe në historinë kombëtare dhe faqe e ndritur e Arsimit Shqip. Vlera e kësaj pune ishte e jashtëzakonëshme për kohën, por edhe në vazhdim, sepse bëhet fjalë për emancipimin e femrës shqiptare, që ndodhej e zhytur në erësirën e fanatizmit. Vetëm arsimimi dhe mësuesi, ishte “doktori” më i mirë i kohës, që mund ta çlironte e ta shpëtonte vajzërinë shqiptare e nëpërmjet asaj emancipimin e shoqerisë.
Çuditërisht fjala “lavdi” u kushtohet vetëm drejtuesve të shteteve dhe fitimtarëve të betejave ushtarake, aqsa duket si pronë e tyre. Mbase e meritojnë dhe me të drejtë u ngrihen buste e përmendore, ndërsa për mësuesin jemi të kursyer e dorë shtërnguar, sado i shquar të bëhet, nuk i vendosin kurorë lavdie, pavarësisht se e meriton të artë. Ndoshta edhe shoqëria ka të drejtë në këtë mangësi gjykimi. E përsëris ndoshta, pasi mësuesi, si idealisti dhe “sherbëtori” më besnik i kombit, vrapon jo drejt dukjes dhe famës, por pas suksesit në mësimin dhe edukimin e brezave, drejt idealit që kombi të bëhet i lavdishëm. Kështu ka ndodhur e po ndodh edhe me Motrat Qiriazi, që përmenden rrallë e me raste, pavarësisht se meritojnë shumë e më shumë.
Si mësuese, motrat Qiriazi u shquan për dashurinë, vullnetin, këmbënguljen, qartësinë e mendimit dhe misionit të tyre, për frymën mëmëdhetare dhe kërkesave për ta ngritur “Shkollën e Vashave” në nivelin e shkollave më të mira të kohës. Ato jo vetëm që u përplasën dhe kapërcyen pengesat e kohës, por përbuzën lajkat, ofiqet dhe paratë që ofronin armiqtë e shkollës dhe gjuhës shqipe. Është me vend të përmenden dhe duhen mbajtur si stoli këto fjalë që aso kohe dolën nga shpirti i mësueses Helidhona Falli, që nuk u thye e nuk u tërhoq nga betimi që i kishte bërë vetes: “Vërtet jam një çupë e varfër, lindur e rritur jetime, por do punoj për gjuhën time. Qeveria don ta mbyllë shkollën shqipe, por unë do të vete shtëpi më shtëpi dhe do t’u mësoj fëmijëve shkrim e këndim shqip”. Të njëjtin qëndrim përbuzës ndaj parave do të mbante Parashqevia shumë vjet më vonë, kur ishte pjesë e delegacionit që përfaqësonte shqiptarët e Amerikës në Konferencën e Paqes në paris më 1919:
– Deshiroj t’ju jap një mbështeteje ekonomike, ashtu siç ju jap edhe të tjerëve”. – Tha dipllomati Italian Kastoldi.
– Faleminderit për ndihmën ekonomike që kërkoni të më jepni, por s’kam nevojë për të”. – i`u përgjigj me krenari Parashqevia.
Motrat Qiriazi nuk mbetën vetëm mësuese e mësimdhënëse të nderuara, sepse në mungesë të librave ju desh të hartonin shkrime, abetare dhe libra për nxënësit. Fjala e tyre kërkohej e çmohej në kuvende burrash, ndaj pavarësisht fanatizmit, ishin të vetmet femra delegate në kongresin e Manastirit dhe më pas në të Elbasanit, ku u vunë themelet e alfabetit shqip. Me dëshirën e zjarrtë të përparimit të kombit, Parashqevia përgatiti programin arsimor për qeverinë e Ismail Qemalit, që për një grua dhe për kohën, përbën shembull të rrallë në fushën e mendimit pedagogjik. Ç’mund të themi tjetër kur mësojmë pikpamjet e kësaj mendjeje të ndritur, kur shkruan: “Arrsimi është të zhvilluarit e fuqive të mendjes, ndërsa mësimi është vetëm të mbledhurit e fakteve dhe ideve të të tjerëve, është të mbushurit e mendjes me dituritë e gjërave të ndryshme”.
Të dy motrat, si vizionare u bënë veprimtare, organizatore dhe drejtuese të shoqatave atdhetare e kulturore. “Dora që tund djepin, udhëheq botën”, ishin fjalët që Sevasia u drejton korçarkave, për të njohur pozitën e tyre dhe luftën që duhet të bëjnë për ndërgjegjësimin e vetes. Nuk u mjaftuan me kaq, u futën në botën e shkrimeve, duke hartuar dhe publikuar artikuj të shumtë, dhe më tej akoma botuan revistën “Ylli i mëngjesit”, me theks tërësisht kombëtar.
Megjithatë këto janë pak për “lavdinë” e tyre, pasi në kushtet e botës së trazuar, kur rrezikohej kombi, u bënë flamurtare të mbrojtjes së Shqipërisë dhe shqiptarëve në kanceleritë e botës, aqsa burrat me namuz e mustaqe ndjehen të vegjël para tyre. Duke i’u shmangur pak biografisë, sepse kjo veprimtari u takon studiusëve, munda të zgjedh e të shënoj vetëm pak vlerësime që i bënë bashkëkohësit, të cilët patën rastin dhe fatin të t’i njohin e të bashkëpunojnë me këto “Dy motra heroina”, siç shprehet, Prof. Dr. Hester D. Xhenkins. Në Librin. “Ambasadore e arsimit në lindjen e mesme”.
Të gjithë shqiptarët, në veçanti ne mësuesit ndjehemi krenarë, të nderuar e të përkëdhelur, kur mësojmë vlerësimin që u jep bota figurave të shquara të racës sonë. Le të gjykojmë këto pak rradhë që shkruan revista “Ylli i Mëngjesit”: Në një letër nga Parisi, firmosur nga “Korrespodenti”, jepet ky vlerësim: “Le të mburremi jo vetëm ne burrat, por edhe gjithë zonjat shqiptare, se zonjusha Parashqevi Qiriazi, “Zhan D`Arka” e Shqipërisë na nderoi të gjithë. Asnjë komb i madh ose i vogël nuk ka sot në Paris një delegate zonjë, po Shqipëria e ka këtë zonjush”.
Jeta e tyre e thjeshtë në madhështi, tej e mbushur me përpjekje në shërbim të arsimit dhe çështjes kombetar, mbetet model frymëzimi për të gjithë ata të rinj e të reja që zgjedhin e vendosin të nisin udhën e vështirë të mësuesisë. Në këto dy vargje kulmon e gjithë vepra e morave Qiriazi, dy “shenjtoreve” të arsimit shqip:
“Ju ishit shqiponja që zbritët nga qielli
Ju bekonte toka, ju ndriçonte dielli”.
Besoj se janë të mjafueshme këto gjetje, për të thënë:
“Të tillë mësues i duhen kombit”.

Kadri Tarelli
Durrës

Shënim: Të gjitha citime janë marrë nga libri “Motrat Qiriazi”, shkruar nga Dhimitër Dishnica. Botim i vitit 1997.

 

Viron Kona. Koment tek “Fjala e lirë”
Datë: 08. 03. 2016.
Urime z. Kadri, për shkrimin nderues për mësueset dhe nënat.
Urime dhe gëzuar të gjithëve me rastin e 7-8 Marsit.
Ditë e shënuar veçanërisht për mësuesit dhe nënat, pasi janë festa për të gjithë popullin, sepse të gjithë nderojmë e respektojmë nënat tona të shtrenjta, të gjithë sjellim në kujtesë mësueset tona të mira dhe të ditura, të çmuara dhe të njesuara me të ardhmen e fëmijëve dhe të brezave.
Me shkrimin e tij z. Kadri Tarelli, ky gazetar, mësues dhe drejtues shkollash i talentuar, na afron shumë me historinë e arsimit shqiptar, si dhe me heroizmin e sakrificat në dekada të mësuesve, siç ishin edhe mësueset dhe mëmëdhetaret e shquara motrat Qiriazi.
I nderuar për jetë emri dhe vepra e tyre, ashtu edhe vepra e tërë mësuesve që kanë sakrifikuar për kombin dhe të ardhmen.
Gëzuar festat 7 dhe 8 Marsit!
Me respekt!
Viron Kona.

Burimi: Ilyria Press