Fatmira Nikolli – Fiona Todhri dhe Eris Dhamo shënojnë që në krye të herës se ngjarjet fillojnë dhe zhvillohen në një vend që sapo ka dalë i shkatërruar pas luftës së ’44-ës dhe rrymës së re, si edhe formës së pushtetit që kërkon të uzurpojë vendin dhe gjithë shoqërinë e atyre viteve. Sa shumë ngjarje, përjetime, emocione gjenden te figurat historike shqiptare që hodhën themelet e para dhe tentuan krijimin e një shoqërie demokratike dhe të lirë. “Punimi është një përpjekje për të zbardhur disa fakte, dëshmi dhe, mbi të gjitha, përjetime të ndryshme, por që kanë të përbashkëta midis tyre. Nëse do t’i referohemi proces-verbaleve gjyqësore që janë mbajtur për këto gra të dënuara politike, letërkëmbimeve, mbrojtjes, deponimeve, si dhe akuzave të bëra gjatë gjykimit ose/dhe mungesës së gjykimit, dorëshkrimeve, punimeve dhe mbrojtjes së disertacioneve, në rreshtat e tyre gjejmë forcë mendimi kritik, ideale, personalitete të hekurta, të forta, pavarësisht vuajtjeve apo përdhosjes së dinjitetit që i bëhej nga pushteti i asaj periudhe. Gjatë shfletimit të dosjeve, të bien në sy kryesisht disa karakteristika, përshkrimi i të cilave qoftë me fjalë me kuptim të drejtpërdrejt apo të figurshëm (me anë të epiteteve, metaforave etj.), nuk do të mjaftonte për të ndërtuar një kuadër të plotë të figurës së tyre, duke u ndalur sidomos në vlerësimin e vetëdijes intelektuale, integritetin, si dhe frymën idealiste që i karakterizonte.

Nëpër rreshtat që janë shfletuar e lexuar, vërehet ndjenja e shpresës, optimizmi, spikat vetëbesimi, portretizimi i grave që nuk u dorëzuan kurrë, edhe kur u torturuan, edhe kur u dëbuan në skutat më të errëta të vendit të tyre”, shënojnë Todhri e Dhamo në studimin e tyre që u bë publik gjatë konferencës “Të mohuar nga regjimi”, mbajtur në Tiranë nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit më 30-31 tetor. Dy studiueset vënë në dukje se puna e tyre, kaloi nëpërmjet një procesi sistematik të ekzaminimit të dokumentacionit, fakteve, procesverbaleve, fotove të së shkuarës për të kuptuar qëndrimet dhe sjelljen e grave, në referencë të hapave të ndryshëm të persekutimit historik. Për këtë studim janë përdorur të dhëna parësore të dokumenteve origjinalë të AIDSSH; janë rreth 821 faqe format A4 me të dhëna nga disa institucione aktive të ish-sistemit komunist si ish-Gjykata e Lartë Ushtarake, ish-Sigurimi i Shtetit, Hetuesia.

MBI MUSINENË
“…Përgjegjëse e Gazetës ‘Zëri i Lirisë’ kam qenë unë, edhe kam shkruar. Nuk di nëse gazeta ishte legale apo ilegale, por unë e drejtoja dhe shpërndahesh prej disa të rinjve…” Studimi vë në fokus një figurë përfaqësuese si Musine Kokalari, jeta dhe aktiviteti i së cilës, ndahet mes përvojës akademike e pasionit të saj për letërsinë, që përbën fushën e studimeve të saj universitare. Pasioni për të shkruar dhe afërsia e saj me librat, e bëjnë një figurë të formuar intelektuale. Musineja kishte dhe një librari të cilën e administronte dhe kalonte kohën më të madhe, ku edhe ushtronte veprimtarinë dhe angazhimet e saj politike, shënojnë Dhamo e Todhri. Sipas tyre, referuar raportimeve dhe proces-verbaleve të mbajtura gjatë gjykimit të saj, pohohen vazhdimisht takimet e saj me grupet e interesit, si aktiviste dhe mjaft e përfshirë në jetën politike të vendit si gjatë luftës, dhe pas saj. Përveç pasionit të saj për të shkruar, ku mund të përmenden edhe librat, si: “Seç më thotë nëna plakë”, “Rreth vatrës”, ajo drejtonte dhe shkruante për gazetën “Zëri i Lirisë”, të cilën e konsideronte si një mekanizëm mjaft të rëndësishëm për të shpërndarë në mbarë vendin dhe jashtë tij bindjet dhe frymën politike jo vetëm të saj, por edhe të disa grupeve të tjera në vend.

Ngjarjet zhvillohen gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe pas saj. (1939-1946). Aktiviteti i saj politik duket shumë i ngjeshur dhe me shumë kontakte pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Raportohet një bashkëpunim edhe me grupime të tjera që pothuajse kishin të njëjtat ambicie për zhvillimin e vendit, dhe përfaqësimin e tyre në nivele të larta vendimmarrëse, si: Balli Kombëtar, Monarkistët, Grupi i Rezistencës, ku ky i fundit u pagëzua nga vetë M. Kokalari.

“Në lëvizjen e saj fokus të veçantë kishin të rinjtë dhe gratë, të cilët i angazhonte duke marrë pjesë në mbledhje, në zgjerimin e partisë dhe rritjen e përfaqësisë në popull. Musineja krijoi Partinë Socialdemokrate me qëllimin e rritjes së frymës opozitare në vend dhe përfaqësimin e saj në parlament. Programi i partisë përmbante disa pika: 1) Sigurimin e një Shqipërie Indipendente në kufijtë e saj etnik (të pavarur); 2) Reforma Sociale duke u ruajtur gjithnjë traditat e mira dhe zakonet kombëtare; 3) Reforma me karakter ekonomik; 4) Mbajtja e një Xhandarmerie për ruajtjen e rendit publik; 5) Shpallja e neutralitetit të Shqipërisë të garantuar nga Fuqitë e Mëdha Ndërkombëtare; 6) Administrimin e Shqipërisë me një sistem demokratik perëndimor; 7) Shpallja e lirisë së besimit, të fjalës, të shtypit e të tjera.; 8) Sigurohet barazia e të drejtave të qytetarëve”, shënojnë dy studiueset Todhri e Dhamo.

Shtojnë se atdhedashuria për vendin dhe vëmendja e saj e vazhdueshme mbi çështjet etnike, liria e fjalës së shtypit, drejtësia sociale, ishin fjalët kyçe të gjithë aktivitetit të saj politik. Si demokracia e vendit, por dhe Kosova, perceptohen si lufta e saj me aleatët brenda dhe jashtë vendit.
Transparenca e mendimit dhe veprimeve janë elemente që vihen re në proces-verbalet e mbajtura gjatë ditëve të gjykimit të saj.
“E pandehura Musine Kokalari: _ Grupi jonë e firmosi notën, nënshkruam unë, ……fq. Grupin e Rezistencës e kam pagëzuar unë, kur mora vesh se kishte lidhje me ato të maleve”, thoshte ajo.

“Duke parë zhvillimin e procesit, e shoh të arsyeshme të them vetë se i gjithë aktiviteti i atij grupi të vogël Social Demokrat nuk është gjë tjetër veçse një notë e drejtuar aleatëve të perëndimit për shtymjen e votave kur qeveria u njoh me të drejt opozite. Një hap i tillë nuk do të thotë përmbysje e pushtetit të sotëm me violence se ne, 37 të pandehurit, në bankën e të akuzuarve nuk jemi pjesëtarët e një organizate, por anëtarët e katër korenteve të ndryshme, tri jashtë fronit dhe i katërti i dalë nga gjiri i tij dhe i shkëputur që andej. Katër korente me koncepte politike -shoqërore të ndryshme dhe vetvetiu me veprimtari të përshtatur që pas frymës që përmban, duke qenë secili përgjegjës për veten …”,- shprehejMusineja.

Burimi: GSH.AL