E hëna për muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi”, është dita që i kushtohet publikimit të materialeve të arkivës. Muzeu shprehet se çdo muaj sjell një tematikë të re e me të edhe një përzgjedhje imazhesh, që e ndan me publikun. “Nëntori, muaji i festave kombëtare, do të shoqërohet nga fotografi që përcjellin këta momente të rëndësishme për historinë e Shqipërisë. Kemi vendosur ta fillojmë me një fotografi të Petro Dhimitrit, e riprodhuar nga Kel Marubi, të patriotit për pavarësinë kombëtare, Isa Boletini e të trimave të tij, tek mbërrijnë në Vlorë, disa ditë pas 28 nëntorit 1912”, shprehet muzeu “Marubi”.

Lidhur me këtë imazh, studiuesi Qerim Vrioni shkruante se fotografia është bërë në rrugën kryesore të qytetit, në atë kohë me emrin “Liria” (sot rruga muze “Justin Godard” në lagjen e vjetër “Muradie”), disa dhjetëra metra para se ajo të bashkohet me sheshin e Flamurit. “Autori i saj kishte ngritur trekëmbëshin e aparatit aty për të përjetësuar ato ditë të shënuara, e ndoshta ishte edhe në dijeni se atypari, do kalonin kosovarët me Isën në krye, edhe pse nuk është në qendrën optike të fotos, kuptohet lehtë se është kryesori në atë grup njerëzish, edhe ngase ai ecën një hap para të tjerëve. Nga vështrimi i fotos të bien në sy trupat viganë të tyre, por sidomos ecja e lirshme dhe dinjitoze”, shkruan studiuesi Vrioni.

Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”, tashmë në pedonalen kryesore të qytetit të Shkodrës, mban në arkivin e tij rreth 400.000 negativë në pllaka xhami, të organizuar në mënyrë të përkryer dhe të klasifikuar sipas vitit të shkrepjes dhe përmbajtjes së fotografisë. Në dy katet e muzeut janë studiot e fotografit të famshëm, Pietro Marubit, dhe pasardhësve të tij. Ishte Pietro Marubi, azilanti politik italian, ai që hapi këtë godinë si studion e tij të re, ndoshta duke mos parashikuar qëndrimin 150-vjeçar të këtij institucioni apo ndikimin e tij të gjerë në fushat e fotografisë, mjekësisë, arkitekturës, dhe kulturës të përgjithshme shqiptare. Pas vdekjes së tij, studion e trashëgoi nxënësi i tij shqiptar e më pas fëmijët e nxënësit, të cilët mbajtën të gjallë dinastinë e familjes Marubi.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Burimi: www.sot.com.al