Nga Bujar QESJA

Jemi në një moshë, që bëhemi shumë të ndjeshëm ndaj kujtimeve, sidomos atyre të hershme. Po i ofrohem të 70-tave dhe memoria fillon të lëkundet, por ndjeshmëria rritet dukshëm. Nuk kam qenë partizan i celularit, por ndjesia profesionale dhe raporti qytetar dhe human me njerëzit, m’a kërkoi ta kisha një të tillë. Madje shpenzova jo pak, që të merrja një cilësor, pasi më duhet edhe për foto. Mbase dihet, por edhe se e theksoj, nuk është se po e teproj. Profesioni ynë i të shkruajturit nuk ka moshë, për të thënë këtë tjetrën, që tani jemi në kulmin e shtrëngimit të kalemit, për të mos na dalë huq qoftë edhe një rradhë.

Kështu ndodh edhe në rastin e Kadri Ngjelës. Ishte ora 18.05, e ditës së sotme, që në WhatsApp-in e telefonit tim, dëgjoj sinjalin e zakonshëm të kalimit të ndonjë informacioni. Mond Naçi, djali i të paharruarit Kili Naçi, mik i babait dhe i imi, më dërgon një foto. Poshtë ishte shkruar: a të kujtohet ky njeri? Qesha me të madhe edhe se i vetëm. Si mos të njihja, Kadriun e famshëm të Durrësit. Vonova ca dhe memoria ime ndonëse e zbehur por e saktë, befasisht shqipton mbiemrin: Ngjela.

Fotoja më ngjalli kujtime dhe më solli kohën e fëmijërisë, të rinisë dhe të moshës së pjekur, pasi Kadri Ngjela ishte nga shitësit më popullorë në Durrës. Një shitës, që edhe shkollë të lartë dhe mastër të bënte, nuk do të ishte kaq famoz, kaq i prerë për këtë zanat, kaq hipnotizues, deri në hutim dhe befasi. Mirësjellja e tij, ishte më shumë se i një të dituri, edhe se i një intelektuali, edhe se i një të shkolluari qoftë edhe në perëndim. Kadri Ngjela ka krijuar profilin e një shitësi historik, ku jo vetëm tani po se po, por kam bindjen se edhe për shumë e shumë vite të tjera pas, emri i tij nuk ka për t’u venitur.

Dhe çudia këtu është, se kjo po ndodh dhe do të ndodhë edhe me një brez që se kanë njohur, as e kanë parë kurrë pamjen e tij, por e kanë dëgjuar dhe lakuar fort nga më të mëdhenjtë emrin e Kadri Ngjelës. Çfarë bënte ky Kadri dhe pse ishte kjo famë e tij kaq e gjallë dhe mbetet e pashuar?

Dyqani i tij ndodhej përballë NISH Gomës së vjetër dhe tani i bie të ketë qenë pranë Blu Starit apo Flegshipit. Në kohën e Enverit, quhej dyqani i paisjeve të imta dhe i pjesëve elektrike. Kishte, e çfarë nuk kishte. Por sistemuar në mënyrë të habitshme. Ku e kishte marrë këtë kulturë tregtimi, ky dukaqot brilant?! Por shërbimi që të servirte, nuk e gjen sot qoftë edhe në lokalin tregtar më të përparuar të kohës së kapitalit. Si nuk mërzitej? Si nuk lodhej deri në begenisje të mirfilltë? Dhe kur rrallë qëllonte që mungonte ndonjë artikull, të linte të kuptohej që sapo ishte mbaruar dhe do ta kishte të nesërmen. Dhe e folura e tij aq e hijshme e jugut, të fshatit aq të njohur Dukat, të joshte dhe ndaheshe me të sikur të ishte njohur prej kohësh.

Edhe qumësht dallëndyshe, gjeje tek dyqani i Kadriut. Fama e tij kishte kaluar Durrësin dhe ishte bërë po aq popullor, thuajse në të gjithë Shqipërinë. Dyqani i Kadri Ngjelës, ishte kthyer si një qendër turistike e vizitueshme, që nëse nuk e frekuentoje, nuk mund ta mendoje veten se kishe ardhë në Durrës. Ekspozimi i mallit, mjedisi i ndriçuar, pritja ekselente që të bënte ky njeri me pak shkollë, por me shumë mënd, e bënë Kadri Ngjelën pasuri jetësore dhe historike të Durrësit. Ja ku të çon ndershmëria dhe përkushtimi, zelli dhe pasioni për të punuar, bindja për ta parë klientin të parin dhe vetëm të parin, duke e ledhatuar deri në “imponimin” për të blerë me çdo çmim diçka. Dhe në fund të shoqëronte me atë mirsjellje klasike, që nuk lëvizte nga konturet e dialektit: Mirardhç!

Kadri Ngjela! Njeri shumë i thjeshtë, mbase edhe shumë, shumë modest. Por shumë i madh në zanat, në atë që quhet arti i të sjellurit dhe i komunikimit. Me punën që bëri, me atë mjeshtëri që rrezatoi, me ato cilësi të vyera të bashkëbisedimit me klientin, me atë raport aq miqësor që krijonte me të, me atë…, me atë… pa mbarim dhe pikërisht për këtë, për durrsakët ka mbetur e palëkundur kjo thënie:

Ku do të takohemi? Tek dyqani i Kadriut. 
Kadri Ngjela, ka vite e vite që është larguar nga jeta, por kujtimi për të mbetet i palëvizur.

Ku do të takohemi? Tek dyqani i Kadriut. Durrsakët nuk të harrojnë, kultura dhe shërbyesi i tyre. 
“Tek dyqani i Kadriut”! Nuk ka për tu harruar kurrë.

/portali DurresLajm/