Deri para viteve ‘90 plazhi i Currilave ishte destinacioni i preferuar i durrsakëve për të kaluar një ditë pushimi.

Shumë kush i kujton ditët e pushimit kur me çadra dhe bukë me vete durrsakët dyndeshin aty për të kaluar të dielat verore.

Në atë kohë shumë kushte mungonin, por mjaftonte që qytetarët ndiheshin mirë me njeri-tjetrin, takoheshin aty grupe-grupe dhe përpiqeshin të kalonin një ditë ndryshe nga ato të mbushura plot me hallet e përditshme dhe mungesat e shumta, për të cilat e kishin të ndaluar të flisnin.

Pas viteve ‘90 edhe në këtë plazh, ashtu si në të gjithë vijën bregdetare të rrethit të Durrësit nisi masakra urbane. Ngritja e dhjetëra e qindra lokaleve, hoteleve dhe ambienteve të tjera të shërbimit çoi në betonizimin e bregdetit, aq sa ata që kthehen pas shumë viteve emigracion e kanë të vështirë të orientohen në amullinë e krijuar.

Por nuk është qëllimi i këtij shkrimi trajtimi i masakrës që i është bërë bregdetit të Durrësit. Ai është një fenomen që vazhdon prej vitesh dhe nuk ka më kthim pas. Të gjithë durrsakët e vjetër e dinë se plazhet e dikurshme nuk do mund t’u kthehen më. Hapësirat e zëna nga ndërtimet disa katëshe nuk do të lirohen më.

Ndërsa masakra urbane nuk mund të zhbëhet më, të paktën të ruhen dhe mirëmbahen ato sipërfaqe plazhi që kanë mbetur.

Ngrohja e motit dhe temperaturat verore të ditëve të fundit kanë bërë që shumë durrsakë t’u drejtohen plazheve. Por nëse mendoni të kaloni ndonjë të dielë në Currila pamja që të ofrohet është vërtet e trishtueshme.

Rripi i hollë i rërës që ka mbetur në këtë plazh është i vështirë të dallohet, pasi leshterikët, degët dhe trungjet e pemëve si dhe mbeturinat urbane që ka sjellë deti gjatë stinës së dimrit, si dhe ato të hedhura në vetë njerëzit, e mbulojnë pothuajse gjithë hapësirën.

Pushuesit që kanë zgjedhur të kalojnë të dielën aty janë shumë të paktë dhe janë kryesisht të zonës përreth. Në bisedat me ta shqetësimi kryesor që ngrenë është pastërtia e munguar dhe harresa e pushtetit lokal, i cili prej kohësh nuk ka vënë dorë në këtë plazh. Një grua thotë se ka ardhur bashkë me fëmijët por ka frikë se mos i sëmuren, sepse mbeturinat janë të përhapura gjithandej.

Peshkatarët janë të vetmit që e frekuentojnë këtë zonë përditë. Nga këtu marrin varkat dhe dalin në det duke shpresuar të kenë gjueti të mbarë. Të preokupuar nëse do të arrijnë të kapin ose jo një sasi të mjaftueshme peshku ata nuk e kanë shumë hallin tek gjendja e plazhit. Ose më mirë janë mësuar prej kohësh me këtë pamje dhe ndoshta do t’u bënte përshtypje nëse do ta shihnin të pastër.

Nëse ndonjë privat do ta kishte marrë për shfrytëzim këtë sipërfaqe pamja që plazhi do ofronte do të ishte komplet tjetër. Gjithsesi interesant mbetet fakti se ndonëse shpesh ankohemi se nuk ka mbetur asnjë hapësirë publike në plazhin e madh, askush nuk ngre zërin që ato që janë ende të tilla në letër të pastrohen e mirëmbahen për t’u ofruar qytetarëve një qëndrim në mos jo shumë komod, të paktën t’u garantohet higjena dhe pastërtia.

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/