Naim Frasheri
Naim Frasheri

Ai ishte gjeniu. Ai ishte aktori fjalëpakë e talentshumë që solli epokën e artë të teatrit shqiptar. Ai ishte ikona Naim Frashëri. Ai që kursente ato dy pare xhepit, për biletën e një  filmi në kinemanë e viteve ’40. Ai që e donte aq shumë jetën. Ai që vdiq për skenën.

Shembulli i të cilit, mjerisht, nuk ndiqet më. Sot, arti çalon. Sepse siç thotë dhe një fjalë e urtë: Nuk shkohet në Bagdat me gomar topall dhe me qese bosh.

Por nuk do mblidhemi për të shtypur sot, por për të ngritur. Madje ringritur! Ringritur Naimin në kujtesën tonë emocionale, nostalgjinë e një arti tjetër dhe një bote që do e gjejmë fletësh ditarit të tij… të cilën na e dhuroi Anil Frashëri,i biri. Një botë tjetër, e cila ngjason porsi film.

Andaj do të kthehemi pas në kohë.

Ishte viti 1941. Ishte viti i përjetimeve të forta, të thjeshta, të ndiera dhe me emocione.

Ishte vizatimi i jetës parë nga një 18-vjecar, emri i të cilit do të trashëgohet brezash.

Një vit me grimca, hormone, kuptime, imtësi prej të cilave del në pah ideja, tema, problematika, forma (sikundër në një vepër teatrale), qëllimi dhe mbidetyra e talentit që ai ra dhe dëshmor, duke e mundur në fund gjendja shpirtërore, që nuk e mirëkuptoi dashurinë për artin.

Ai i donte shumë ditët e këtij viti, aq sa do të donte si duket rolet, viteve që do të pasonin.

3 janar 1941, e premte – Ditë e mërzitshme dhe e ngrohtë. Për drekë nuk kishim gjë të mjaftueshme. Për darkë u bëra unë makarona.

4 janar, e shtunë –  Ditë e mërzitshme, kohë e mirë. E para herë që po ha bukë thatë për drekë. Në ora 5 vajta në kinema, pashë fimin Italian ‘’Riformatorio’’

6 janar, e hënë – Ditë e keqe , kohë shiu, prandaj qe shumë e mërzitshme. Mamaja mungonte!

8  janar, e mërkurë – Koha e mirë, dita qe e qetë. Mora këpucë, por nuk më pëlqyen, prandaj i ktheva. Mamaja mungonte.

10 janar, e premte- Ditë shiu dhe e ftohtë, mamanë e pritëm dhe nuk erdhi. Por muarëm telegram dhe thoshte se ishte mirë dhe vjen pas Bajramit.

23 janar e enjte- Ditë e qetë. Nata qe me grindje. Kohë shiu.

5 mars, e mërkurë – Për herë të parë ndjeva dashuri për një italiane. Të shohim fundin.

6 mars, e enjte – Ditë e mirë. Mbasditja qe melankolike. Në një shëtitje që bëmë, pamë atë që më pëlqente mua. Por, ajo as më shikoj me sy.

10 mars, e hënë – Ditë e mirë, koha e keqe. Duallëm shëtitje, por s’dolli gjë.

16 mars, e diel- Ditë e mirë, koha e bukur. Duallëm shëtitje, në 4 të natës u bombardua TIRANA.

17 mars, e hënë- Ditë e mirë, koha e bukur. Më 1 e gjysëm ra alarm dhe u bombardua DURRËSI.

19 mars, e mërkurë- Mbrëmja qe me sherr. U zura me mamanë dhe u zemërova.

20 mars, e enjte– Mbrëmë në 4 të natës u bombardua Durrësi.

31 mars, e hënë- Gjithë ditën e kalova në dyqan me Ushin. Sot frynte një furtunë e madhe.

10 prill, e enjte- Ushi qe sëmurë. Sot ra Beogradi.

23 prill, e mërkurë- Duallëm shëtitje me Linin. Sot kapitulloi një pjesë e Greqisë.

17 maj, e shtunë– sot iku dajua. Më erdhi shumë keq. Sot bënë atentat kundër Viktor Emanuelit në Tiranë, po s’dolli gjë. Në 5 vajta në kinema.

29 maj, e enjte – Sot bleva 3 libra.

14 qershor,e shtunë- Në drekë desh më shtypi një automobil.

31 gusht, e diel –  Vajta në ‘’Savoja’’ dhe pashë ‘’Mam Liberato’’ me Brigitte Harney.

12 shtator, e premte – Ra shi i madh. Në 6 vajta në ‘’Rex’’ dhe pashë ‘’Uba note d’amore’’ me Grace Moore e Juio Carmonali.

22 shtator, e hënë – Dje kishin grabitur ‘’Savojën’’. Në 8 vajta në ‘’Skënderbej’’ dhe pashë ‘’Una drama nel bosco’’ me Paul Vegener.

15 tetor- S’kam ftohtë. Bardhua shumë sëmurë nga zgjebia.

16 tetor– Bardhua sëmurë.

17 tetor- Sot qeshë melankolik dhe qava mbasi ngordhi Bardhua. Më pas vajta në ‘’Rex’’ dhe pashë ‘’La forza brutta’’ me Joon de Lande.

18 tetor– Sot bëmë qef, mbasi dy orët e para nuk erdhën profesorët. Sot u qetha.

13 nëntor – Sot për herë të parë ndjeva dashuri për Dorothenë, nuk di si do më dalë fundi.

19 nëntor – Sot s’e di por kam qenë më qef, aq sa Dorothea më ka shikuar me vërejtje.

20 nëntor- Sot u bombardua keq Brindizi. I jam vënë mbrapa Dorothesë, por s’di si do t’më dali. Ikbali shumë sëmurë.

29 nëntor– Mbrëmë u vra ‘’Dedeja’’. S’dihet kush e vrau, por duket se e vranë italianët.

22 dhjetor, e hënë – Sot u zumë me Ikbalin. Sot më tha një gjë të keqe për Dorothenë.

Ndoshta ai e dinte që gjerat më vonë do të harroheshin, ndaj shënonte gjithçka. Në një bllok vishnje të vogël kujtimet dhe në skenë rolet.

Të cilat ishin plot 60 me kryeinterpretime Selimin – ‘’Familja e Peshkatarit’’, Valerin – ‘’Tartufi’’, Ferdinandi –  ‘’Intrigë dhe dashuri’’,  Hamletin –  ‘’Hamleti’’, Gjeneralin – ‘’Gjenerali i ushtrisë së vdekur’’, si edhe  Jonuz Bruga – ‘’Familja e Peshkatarit’’ nga ku për fat të keq do të ishte dhe rrugëtimi i tij i fundit në skenë.

Gjithashtu ka interpretuar dhe 8 role në filmin artistik. Skënderbeu ( 1953), Fëmijët e saj ( 1957), Tana ( 1958), Furtuna ( 1959) , Ngadhënjim mbi vdekjen ( 1967) , Plagë të vjetra ( 1968) ,Gjurmët (1970). Në filmin Skënderbeu, regjisori Jutkeviç, përgjatë xhirimeve, ndërsa Naimi interpretonte Palin dhe ne të gjithë e mbajmë mend skenën e pemës tek ai është në plan të parë aty, i kish thënë në fund : “Me këtë gjendje emocionale që ti përjeton, do të fikesh shpejt”Dhe nuk vonoi. Ai u shua në moshën 53-vjeçare.

Ndaj, Korifeu-Frashëri, sot na mblodhi për të kuptuar se sa e bukur është jeta e një artisti ikonë, siç ai qe dhe sa e trishtë harresa e këtij kombi që nuk e shfrytëzoi kurrë atë thesar-fond që ai la pas…

Burimi: Aktoret Shqiptare