Ky detaj pak i njohur, për Ramiz Fiçorrin, ish-zyrtarin e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, që ka drejtuar punimet për heqjen e monumentit të Stalinit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka vlerën e një simbolike të veçantë për dashurinë dhe divorcin historik me epokën “Stalin”. Sidoqoftë, ish-shtatmadhori i ushtrisë, që ka kryer për shumë vite detyrën e drejtorit të xhenios të Forcave të Armatosura, e lë me kaq qasjen politike për t’iu kthyer kronikës së ngjarjes së 21 dhjetorit ‘90. “Prania ime aty,- shprehet Ficcorri,- më së shumti kishtelidhje me funksionin si komandant i regjimentit të Mbrojtjes Civile, përvoja dhe mjetet e të cilit ishin paracaktuar për të çmontuar monumentin e Stalinit nga piedestali në bulevardin e Tiranës”.

Ai kujton se heqja pa bujë e tij ishte një zgjidhje oportune e iniciuar nga krerët e lartë, për të shmangur protestat popullore që kishin përfshirë vendin pas ngjarjve të 2 korrikut. Më shumë se dinamika e veprimeve në të ftohtin e acartë, për të ka rëndësi fakti që Tirana u zgjua mëngjesin e 21 dhjetorit ’90, ditën e përvjetorit të lindjes së diktatorit sovjetik, pa bustet dhe imazhin e tij. Po atë natë, sipas Fiçorrit, bashkë me monumentin në bulevard, u hoq edhe Stalini në qendër të Kombinatit të Tekstileve, si dhe bustet e tjera në mjediset publike të kryeqytetit…

Zoti Ramiz! Në një dokument të vitit ‘90 rezulton se bashkë me ministrin e Ndërtimit, Ismail Ahmeti, keni drejtuar punimet për heqjen e monumentit të Stalinit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Në çfarë rrethanash u angazhuat me këtë detyrë?

Më kanë pyetur edhe herë tjetër për këtë histori, por kam hezituar të flas. Nuk e kam parë të arsyeshme të bëj protagonistin, kur nuk kam qenë i tillë. Ajo ishte një ngjarje e bujshme në aspektin politik, por nuk ka lidhje fare me mua. Prania ime aty ka qenë më së shumti një çështje teknike, që kishte të bënte me zbatimin e një urdhri dhe vetëm kaq. Diçka e lidhur me funksionin, me detyrën zyrtare, që në një farë mënyre më bëri dëshmitar të këtij momenti historik. Në këtë vështrim, nuk kam pse të marr pozat e heroit që hoqi monumentin e Stalinit nga bulevardi i Tiranës. Roli im ka qenë tërësisht sporadik…

Çfarë keni parasysh kur thoni se dëshmitarë të ngjarjes ju bëri funksioni që kryenit…

Në atë kohë kryeja detyrën e komandantit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Republikës. Ishte kjo një nga njësitë elitare të Ushtrisë, e krijuar rishtas dhe e kompletuar me kapacitete të shumta teknike, si fadroma, borëpastruese, vinça, etj. Me sa duket, këto resurse u bënë shkaku i angazhimit tonë në këtë operacion. Kishte ndodhur edhe herë të tjera që reparti ynë të zgjidhte detyra të karakterit civil në shërbim të komunitetit. Në këtë kuptim, funksioni si titullar i tij më bëri dëshmitar në këtë ngjarje të bujshme…

Kush ishte zyrtari që u komunikoi detyrën për të çmontuar monumentin e Stalinit natën e 21 dhjetorit ‘90?

Viti ‘90 filloi e mbaroi si viti i lëvizjeve të mëdha. Përmbysjet  në Europën Lindore po jepnin ndikimet e veta edhe tek ne. Qysh në janar pati trazira në Shkodër. U fol madje se kishte organizime të fshehta për të hedhur bustin e Stalinit. Në mars pati një përpjekje tjetër në Tiranë, por aventura për të shpërthyer me eksploziv monumentin e Stalinit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbeti në tentativë. Vërshimi drejt busteve e monumenteve, sidomos i rinisë, u bë dukuri e ditës. Shteti, i zënë në befasi, nxori një dekret për ruajtjen e tyre si objekte të rëndësisë së veçantë. Ishte kjo një masë shtrënguese që jo vetëm nuk pati efekt, por e bëri situatën më kritike. Presioni në rritje, me sa duket, detyroi lidershipin, për të gjetur një mënyrë oportune për heqjen e busteve e monumenteve. Logjika e kësaj sjelljeje parakuptonte zbrazjen pa bujë të piedestaleve dhe shmangien e përplasjeve. Pikërisht në këtë kontekst, u gjenda në grupin që ishte caktuar për të hequr monumentin e Stalinit. Prania ime aty, me sa duket, lidhej me përvojën dhe mjetet që posedonte reparti që drejtoja. Më lajmëruan dhe shkova. Aty pastaj diskutuam teknikisht për mënyrën e realizimit të detyrës…

Pra, nuk ishte një veprim spontan, por një operacion i organizuar që drejtohej nga një grup i caktuar…

Fjala operacion në këtë rast nuk mendoj se është me vend. Për mua ishte një detyrë e zakonshme, me praninë e pak specialistëve dhe mjeteve, që zgjati vetëm pak orë…

Fakti që u ngarkua Ministria e Mbrojtjes me heqjen e monumentit të Stalinit, lidhej me shkallën e besueshmërisë, apo kishte të bënte me diçka tjetër…
Me tërësinë e procedurave dhe angazhimeve për heqjen e busteve dhe monumenteve të Stalinit në Tiranë me sa më kujtohet merrej  Ministria e Ndërtimit, të paktën për sa isha unë në dijeni. Ministria e Mbrojtjes si institucion nuk pati asnjë urdhër dhe detyrim zyrtar…

Qytetarët e Tiranës mbajnë mend se gjithçka është parapërgatitur jashtë vëmendjes së opinionit. Ku zhvilloheshin takimet për organizimin e veprimeve për heqjen e busteve të Stalinit?

Nuk e di si lindi ideja për të hequr në këtë mënyrë monumentet e Stalinit, ndërkohë që nuk ishte shfuqizuar ligji për ruajtjen e tyre si objekte të rëndësisë së veçantë. Për herë të parë jam njohur me këtë detyrë nga Ismail Ahmati, ish-ministri i Ndërtimit, në një takim në zyrën e tij. Aty kemi biseduar për aspektin teknik të procesit, për llojet e mjeteve dhe specialistëve që do angazhonim. Me sa më kujtohet, ka qenë edhe Farudin Hoxha. Pas një konsulte të gjerë, detajuam detyrat, masat organizative dhe vendosëm për orën kur do fillonim nga veprimet në bulevard. Aty për aty kuptova se bëhej fjalë për një vendim zyrtar të marrë më herët. Ne në rastin konkret, ishim thjesht zbatuesit. Së paku, kështu e preceptova në ato çaste…

Sa kohë pas kësaj konsulte filluan veprimet në bulevard?

Veprimet në terren, siç i themi ne ushtarakët, filluan në mbrëmjen e asaj dite dhe zgjatën 3-4 orë. Gjatë tërë kohës binte borë. Me borë e ngricë me sa duket ia kishte rezervuar Tirana lamtumirën Stalinit. Krejt ndryshe kishte ndodhur kur erdhi rishtaz në Shqipëri. Në nëntorin e vitit 1951, kur u ngrit për herë të parë monumenti i tij te sheshi “Skënderbej”, mbaj mend se kishte diell. Një diell i ngrohtë madje që vinte pas disa ditëve me shi të rrëmbyshëm…

Si u procedua për heqjen e monumentit?

Në fillim afruam te monumenti i Stalint një fadromë, por prova me të nuk na dha rezultat. Pastaj i hodhëm ganxhat e vinçit për ta tërhequr, por përsëri patëm vështirësi. Ishte një bllok monolit shumë i fuqishëm. Pas përpjekjeve të para shkëputëm pjesën e sipërme të trupit të Stalinit. Pjesa tjetër ishte e pamundur të lëvizte. Na u deshën orë të tëra deri sa e shkërmoqëm pak nga pak. Më në fund mbeti piedestali. Provuam ta shtyjmë me ruspë, nuk ia dolëm. Menduam ta shkatërrojmë me goditje, por nuk e realizuam deri në fund. Përfundimisht nuk e denatyruam plotësisht. Pjesa më e madhe e tij mbeti në bulevard. Ndryshe na ndodhi me monumentin e Leninit. Sa i hodhëm litarët, ra përtokë menjëherë, thua se na priste ne për t’u ulur. Kaq ishte e gjitha…

A kishte njerëz në bulevard atë natë?

Në fakt, mendonim se njerëzit do ishin të paktë, duke pasur parasysh të ftohtin e acartë dhe orën e vonë, por nuk ishte kështu. Me mbërritjen e mjeteve të rënda te monumenti, qytetarët u shfaqën menjëherë si t’i kishte lajmëruar dikush. Bashkë me ta   dhe një grup i madh me gazetarë të huaj. Natyrisht, e kishim të ndaluar të komunikonim me ta. Sakaq, nuk mund t’i pengonim të fotografonin. Prania e tyre ishte diçka tunduese, por errësira dhe moti i keq, sikur na doli në krahë. I vetmi që takova atë natë ishte një gazetar francez, i cili mu lut për të marrë një pjesë nga pëllëmba e dorës së Stalinit, e rrëzuar përtokë. “A mund ta marrësh të gjithë?”, i thashë, për t’i rënë shkurt me të.

Po atë natë u hoq edhe monumenti i Stalinit para Kombinatit të Tekstileve?

Tirana u pastrua atë natë një herë e mirë nga monumentet dhe bustet e Stalinit. Mbaj mend që në rastin e monumentit të kombinatit, na u desh të ndërronim viccierin, pasi ai që manovroi në bulevard u sëmurë dhe e ccuam në shtëpi. Me sa më kujtohet, pak kohë më vonë ndërroi jetë në një moshë të re. Mëngjezi i të nesërmes që përkonte me ditlindjen e Stalinit, Tiranën e gjeti pa bustet dhe imazhin e tij…

Zyrtarisht pa Stalinin

Mënyra si u hoq mbrëmjen e 21 dhjetorit 1990, monumenti i Stalinit nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, zyrtarisht nuk u sqarua asnjëherë. Në mjedise të ndryshme qarkullonin zëra se Ramiz Alia kishte ndëshkuar për këtë ministrin e Ndërtimit, Ismail Ahmeti. Sidoqoftë, fill pas kësaj ngjarjeje, u bë e njohur se Këshilli i Ministrave, me propozimin e Byrosë Politike, institucionalizoi zyrtarisht heqjen e busteve të diktatorit sovjetik nga mjediset publike dhe emërtesat e tjera nga rrugët, sheshet dhe institucionet shtetërore me një vendim të veçantë.

Dekreti me një rrjesht

“Qyteti “Stalin” të emërohet me emrin e mëparshëm, Kuçovë.” Ky vendim i Presidiumit të Kuvendit Popullor, me numër 349, i përket datës 5 janar 1991 dhe mban firmën e Ramiz Alisë e Sihat Tozës. Me përjashtim të pjesës hyrëse me rrethanat kushtëzuese të aktit ku renditet kërkesa e Këshillit të qytetit “Stalin”, mendimi i banorëve, neni 78 i Kushtetutës, propozimi i Këshillit të Ministrave për ndryshim e emërtimit dhe dispozitës fundore “ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, dekreti nuk përmban asnjë fjalë tjetër. Ndoshta mund të jetë ky më i shkurtri në tërë historinë e institucionit. Sidoqoftë, mbetet akti i fundit i ndarjes  përfundimtare me Stalinin dhe mitin e tij.

Ndëshkimi: 50 vjet bu, rg,tentuan të heqin Stalinin

Aventura e 10 djemve nga Shkodra, që tentuan të rrëzojnë bustin e diktatorit sovjetik, u kushtoi 50 vite bu, rg.  Ishte janari i vitit 1990…

Ngjarja

Në fakt, përpjekja e një grupi të rinjsh për të rrëzuar bustin e Stalinit në Shkodër, në mesin e janarit ‘90, është e para e këtij lloji. Nga mënyra si përshkruhet kjo në një dokument të Sigurimit të Shtetit, zbulohet kronika e plotë ngjarjes. Më 13 janar të vitit 1990, Dega e Punëve të Brendshme e qytetit verior, transmetonte për qendrën informacionin e siguruar në rrugë agjenturore. “Nesër do të bëhet demonstratë, do të dalin 200–300 vetë në piacë para bustit të Stalinit e do ta rrëzojnë me litar, ganxha, shishe benzine e lëndë eksplozive. Njerëzit që do të marrin pjesë në këtë demonstratë do të nisen në tre drejtime, lagja “Serreq”, “Skënderbeg” dhe “Rus”. Organizatorë të kësaj veprimtarie janë Ded Kasneci dhe Flamur Elbasani.

Aty do të flasë edhe një prift”. Sigurimi në kohë i këtyre të dhënave bëri të mundur arrestimin e organizatorëve, “persona vagabondë, ish-të dë, nuar, rrugaçë, prishës të rendit e të qetësisë, pijanecë e të sëmurë psikikë” dhe shmangu rrëzimin i bustit. “Nga ndjekja e problemit në rrugë operative, nga pohimet e të arrestuarve dhe të ndaluarve,- raportonte më tej Dega e Punëve të Brendshme e Shkodrës,- vërtetohet plotësisht se më datën 14 janar 1990, disa elementë armiq, qysh më parë, kishin biseduar dhe ishin organizuar të grumbulloheshin para bustit të Stalinit dhe që këtej të shkonin tek Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë e të kërkonin më shumë liri për shtypin e fjalën, ndërsa grupi jashtë të vepronte vetë, duke ngritur dorën me dy gishta tregues. Të frymëzuar edhe nga propaganda e jashtme, këta elementë armiq kanë biseduar vesh më vesh me njëri-tjetrin, duke marrë përsipër që të punojnë edhe me persona të tjerë të dë, nuar e vagabondë, që t’i bindnin për të dalë në qendër të qytetit”.

Dënimi

Për herë të parë, 10 të arrestuarit që tentuan të rrëzojnë bustin e Stalinit u përballën me gjykatësit e Shkodrës.

Gjatë shqyrtimit të çështjes, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vëren se “të pandehurit Dedë Kasneci dhe Rini Manajka janë takuar më 11 janar 1990, paradite, në qendër të qytetit dhe kanë biseduar për njoftimin e rremë të përhapur nga TANJUG-u dhe gazetat e Beogradit se gjoja në Shqipëri kishin shpërthyer trazirat dhe në Shkodër kishte patur revolta. Të frymëzuar nga këto lajme dhe nga konfirmimi që u bënte atyre agjencia italiane e lajmeve, e cila u referohej mjeteve të informimit jugosllav, të dy këta të pandehur kanë shpresuar që atë ditë të grumbulloheshin me të vërtetë vagabondë e njerëz me predispozita armiqësore në qendër të Shkodrës e të bënin presion para organeve të Partisë për të hequr dorë nga parimet e marksizëm-leninizmit në shembullin e ngjarjeve të fundit në Europën Lindore. Në periudhën nga data 11–14 janar, është intensifikuar veprimtaria armiqësore e fshehtë, duke hedhur fletushka e parulla armiqësore në qytet e në fshat, duke grisur veprat e shokut Enver Hoxha, si dhe duke vënë dinamit para Komitetit të Partisë, i cili nuk shpërtheu, pasi u kap në momentin e plasjes nga polici i shërbimit. Kësisoj, të dy këta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer kri, min e agjitacionit e të propagandës kundër shtetit, çka vërtetohet me shpjegimet e tyre, me fletushkat provë-materiale, me aktin e ekspertimit grafik që vërteton se ato janë shkruar nga i pandehuri Aldo Previzi dhe me materialet e tjera të çështjes”.

Më poshtë, vendimi i Gjykatës së Lartë shtjellon rrethanat e procedimit penal, ku veçon shkallën e lartë të rrezikshmërisë që paraqet sidomos kri, mi i diversionit dhe agjitacionit e propagandës kundër shtetit dhe rolin kryesor në këtë vepër kri, minale të të pandehurve Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi e Rino Monajka. “Ndërkaq,- vijon dokumenti,- gjykata mban parasysh se të pandehurit Ded Kasneci, Gjergj Livadhi, Flamur Begu e Tonin Dema kanë qenë dë, nuar edhe më parë për vepra të ndryshme kri, minale”. Në fund të këtij shqyrtimi, kolegji ka shpallur verdiktin e vet, duke dë, nuar me 50 vite bu, rg 10 të pandehurit, ku bie në sy ndëshkimi me 12 vjet për Ded Kasnecin…

Reagimi

Ngjarja e 14 janarit 90 në qytetin e Shkodrës, sado e izoluar, bëri bujë edhe përtej qytetit verior. Pavarësisht ndëshkimit të rreptë të organizatorëve, për lidershipin e Tiranës tronditja ishte e jashtëzakonëshme. Vërshimi i rinisë drejt simboleve të komunizmit, nuk kërcënonte thjesht statujat, por vet regjimin. Pikërisht për këtë arsye presidenti komunist Ramiz Alia, menjëherë pas ngjarjes së Shkodrës, nxorri dekretin për ti ruajtur ato si objekte të rëndësisë së veccantë. Po strategjia nuk dha impaktet e pritshme dhe shpejt presioni në rritje i qytetarëve, zbrazi piedestalet nga statujat e komunizmit. Në rastin e Stalinit, autoritetet u detyruan ti ulin vet pa zhurmë. Ndërkohë që nuk ndodhi kështu me atë të Enverit në ems të Tiranës.

Burimi: Shqiperia.com