Nga Silvana Gjika (Karagjozi)

Ne e kishim zakon të dilnim atëhere kur të gjithë hynin brenda. Uleshim mbi disa blloqe betoni që ndodheshin në oborrin para pallatit tonë. Pellgu ku jetonim ishte një katrahurë ndërtesash pesëkatëshe që dukej sikur i nxirrnin gjuhën njëra tjetrës.

Në çdo rrugëz që të çonte drejt tyre do të hasje gropa e kanale me kodra dherash e plehrash përanash. Jashtë, telat e elektrikut të lidhura në mënyrë klandestine dukeshin si rrjetë merimange thurur pa kujdes. Në shumicën e herëve shkallët e pallateve lageshin nga rrëkeza uji që dilnin nëpër rrugë. Ambienti përreth ishte i zhytur në pluhur e beton. Asnjë pemë, asnjë lule, asnjë lloj bari.

Oborri përpara pallatit tonë ishte një goxha hapësirë e asfaltuar. Pak e çuditëshme që i kishte shpëtuar tekës së ndonjë ndërtimi, qoftë edhe të vogël si të themi ndonjë garazh makine, byrektore, apo tjetër gjë, aq shumë të lakmuara këto kohë.

– E di si i thashë Dorinës sot o ma? Mes nesh gjithçka mori fund. Ti më tradhëtove. Më ke dalë nga zëmra, Dorina.
– Pse gjithë këto?- ia ktheva vajzës që rrinte ulur pranë meje.

Nuk kisha dëshirë t’i hyja ndonjë bisede. Nata ishte e bukur, e ngrohtë dhe qielli tërë yje. Më shkoi mëndja të kisha një të dashur.

– Se ashtu ma punoi, u bë me shoqet e tjera, pastaj ka një zakon të keq ajo o ma, kur unë flas shikon në tjetër vënd. “Ku e ke mëndjen, mi Dorina?”, i them tërë inat. “Kur tjetri flet duhet parë në sy!”

Ishim duke ecur drejt rrugës kryesore që të nxirrte në “Unazë”. Vajza ktheu kokën pas.

– Shiko Lizën o ma! Po na ndjek! U, shpiirt! – tha dhe ndali këmbët. – Sa e zgjuar është!
– E ç’tha Dorina? Dhe vazhdova të ecja.
– Një minutë o ma, një minutë?- Vajzës i ndritnin dhëmbët në errësirë.- E di pse rri Liza rrotull nesh?

– Boll me Lizën!
– Na ruan se mos na ngacmon kush.
– Liza është e pisët, nuk lë kazan plehrash pa futur kokën.- thashë tërë bezdi.

– Ajo të ruan ty, o ma, nga macja gri, se e di që nuk e do, të ka parë nga ballkoni kur e zbon me shkop. Sa e zgjuar është ë ma’? Si na shikon… o zot, kur të bëjë Liza këlysh, a ta marrim një në shtëpi?
– Bah, në asnjë mënyrë, nuk mbaj dot kafshë nëpër shtëpi, ta kam thënë me qindra herë, mos të të vijë keq.

Një copë herë ndejtëm pa folur. Vajza ma kish liruar krahun. Unë nuk pyesja për pasionet dhe dëshirat e të tjerëve nëse këto nuk ishin dhe të miat. As për vajzën time. Isha e pandreqshme.

– Hë pra, vazhdo për Dorinën, – fola me një zë që nuk m’u duk i imi. I mora dorën dhe ia lidha tek krahu.
– Je e zëmëruar?
– Jo!

E pashë tek fshiu fshehtas një lot. U drodha.
– Dorina filloi të fliste me fjalë të mëdhaja, o ma. “Dorina mos m’u llasto mua”, i thashë. Më ngriti nervat, nuk po e duroja dot. E kishim lënë të blenim revistën “West life”, pasi të dilnim nga shkolla. Do ta blenim te qëndra, përballë hotel Tiranës. “Nuk vi dot, nuk më lë mami”, tha, “ka çuna nëpër rrugë dhe do të ha drekë tani”. Kur po kthehesha e pashë me Elsën për krahu. O ma, unë i flas asaj ashtu siç më flet ti mua kur je e nevrikosur. I flas me ton.

– Pse më kopjon Ina?
– Më pëlqen të flas si ti o ma. Ti të mbërthen, ja kështu…- dhe më lidhi duart në grykë
– Ia mblodhe, ë?

– Kur më llastohet nuk e duroj dot.
– Edhe ti llastohesh Ina, mos kujto…
– Ngandonjëherë… se ku të lë ti o ma.
Qesha fort.

– Ina je e mirë…kthehemi tani?
– Edhe pak, shkojmë deri te fillimi i rrugës, ose deri te kioska e Idajetes?
– Joo, andej është errësirë, janë thyer të gjithë poçat e rrugës.
– Të lutem, rrimë dhe pak!

– E di sa ka shkuar ora? 12 e natës…babi s’po vjen akoma, – thashë e merakosur.
– Një xhiro rreth pallatit tonë derisa të vijë dhe babi. Tani që është asfaltuar sheshi ka lezet të ecësh. Kalojmë pas pallatit, nga dritaret tona? Sa bukur duken nga jashtë, o ma!

– Janë tonat, prandaj…,- thashë me mosbesim.
– Ballkoni duket si pyll i vogël! Lulebora është bërë fantastike, ë mà? Xhaxhi Kurti na e ka dhënë?
– Po, edhe mullagat. Janë bërë vërtetë të bukura, janë rritur shumë. Kur do t’jua ndërrojmë dheun? Sikur i kemi lënë një çikë pas dore…

Vajza u shkëput.
– Shiko kë kemi pas!
– Kë?
– Lizën, o mà.
– Thashë se kush ishte.

– Si i ka ngritur veshët, oh zot sa e mirë është!
Vajza u hodh drejt qenit ta përkëdhelte.
– Mos! e tërhoqa nga dora. – Liza është e pisët.

– E ke gabim, Liza është e pastër, ajo pastrohet vetë, veç ta shikosh.
– E kam parë si zhgryhet nëpër plehëra…
– Do të ushqehet, o mà, prandaj.

-Ina, kaq shumë e do?
– Vdes o ma, për të!
E putha.
– Zëmra ime! –
– E di mà, Liza të do edhe ty që s’e do, është e mrekullueshme!

Tiranë, gusht 1999

Photo: Daniel Schludi

Burimi: Gazetamapo.al