Është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare artistja franceze Claudine Auger. Ajo është bërë e famshme në vitet 60-të për rolin e bukuroshes Domino në ‘Agjenti 007-Thunderball’ në krah të Sean Connery.

Por gjatë rrugëtimit të karrierës së saj ajo ka xhiruar më shumë se 60 filma, shumë prej të cilëve edhe në Itali.

Lajmin e ndarjes nga jeta e ka dhënë agjencia Art Time që e përfaqësonte.

Përpara se të luante në filma ajo kishte marrë pjesë në disa konkurse bukurie, ku në 1958 ajo mori pjesë në Miss Bota duke përfaqësuar Francën dhe duke arritur e dyta.

Direkt pas një viti ajo debutoi me ‘Testamenti i Orfeo’. Përpara se të arrinte tek Bond ajo interpretoi disa role si ‘Misteri i tempujve indian’, ‘njeriu me maskën prej hekuri’ e të tjerë.

Në vitet 80 ajo mori pjesë edhe në sezonin e pestë të ‘La Piovra”. Filmi i saj i fundit ishte në 1990, ’Goja’ e drejtuar nga Luca Verdone.

(da.xha/BalkanWeb)