Nga Spiro Mëhilli

Fund tetori. Nata kishte pothuaj katër muaj që i kishte marrë rreth 4 orë ditës. Dy veta zbrisnin me nge një rrafshine me pemë të larta shekullore. Era frynte e lehtë dhe rrugtimin e tyre e bënte të këndshëm. Ata vinin nga Rrësheni, qendër e rrethit të Mirditës në kuadrin e kontrolleve që do të bënin në fshatrat e zonës së Fanit. Reliefi diku vinte malor e diku kodrinor. Edhe pak rrugë u kish mbetur që të zbrisnin në fshatin Sang. Pemët filluan të oshëtinin nga era që filloi papritur.

Qielli u errësua nga re të zeza. Nikolin Ndoi si Mirditor e kishte të qartë që do të binte shi, prandaj i tha shokut të tij të shpejtonin që mos t’i kapte jo vetëm rrebeshi por edhe nata dhe nuk do të dinin se ku të futnin kokën. Bashkudhëtari ishte Marenglen Dumllaja, operativi i ri i zonës së Fanit. Ai mbante veshur një xhaketë lëkure të zezë dhe një çantë shërbimi po prej lëkure që nuk e hiqte nga qafa kudo që shkonte. Ai kishte sy të zinj zhbirues që të kallnin datën.

– Marenglen, nxitojmë!

– Kemi edhe shumë rrugë për të bërë?
– Edhe pak.

Ndërkohë filloi të binte shi. Një pjesë të mirë të pikave të tij i mbanin gjethet verdhake të pemëve por kur ato u mbingarkuan, filluan të binin mbi udhëtarët. Ata diku rrëshqisnin, diku pengoheshin në degë të thata pemësh që kishte rënë përtokë, e diku futeshin në ndonjë pellg me ujë. Pas një rrugtimi të gjatë dhe të lodhshëm, përpara u dolli një shtëpi me dy kate, rrethuar me gardh dhe në ballë dera e oborrit. Një qen filloi të lehë me sa fuqi që kishte.

– Marenglen, do të futemi në këtë shtëpi malësori.

– Se mos…?

– Jemi në zonën e Fanit. Të garantoj unë që jemi në vend të besës.

Nuk mbeti gjë tjetër veçse të bërtisnin “O i zoti i shtëpisë”.

Te pragu i derës u duk një grua veshur me xhubletë, gjoksore, brez me tufa mbrapa dhe në kokë lidhur shami të zezë.

– A prisni miq?

– Mirë se ju ka pru Zoti, – iu përgjigj ajo.

– Nikoll?
– Mos e zgjat.

Gruaja që nuk ishte më shumë se njëzet a njëzetepesë vjeçe i ftoi të futeshin brenda. Ata kullonin ujë.

– Qënkeni lagur. Ejani që të thani rrobat.

– Jo, faleminderit.

– Mos u druani.

Ajo u solli nga një këmishë dhe nga një tirq që vishte i shoqi, i hodhi një krahë dru zjarrit, u mori teshat dhe i tha të uleshin pranë oxhakut ku kish filluar të bubulonte një flakë ngrohëse. Më tej u shtroi sofrën dhe i ftoi të hanin me çfarë u kishte dhënë Zoti. Kaluan mbi dy-tre orë. Ata falenderuan të zonjën e shtëpisë për mikpritjen dhe bujarinë që kishte treguar ani se në mungesë të të shoqit. Ku dolën te pragu i derës, në oborr u duk një burrë i thyer në moshë, ai ishte Zef Pjetër Nikolla.

– Babë!- tha ajo pa arritur të vazhdonte më tej sepse ai ia priti:

– Mrikë, më ke nderu. Ke mbajtur lart zakonin e malsorit. Ke pritur në shtëpi miq të nderuar.

Nikolin Ndoi i zënë ngusht tha:

– Zoti ta shpërbleft.

– Futuni brenda o burra!

– Na falë se duam të largohemi.

– Për ku?

– Për në Sang.

– Pothuajse aty jeni. Nata do të zbresë së shpejti. Sonte do të qëndroni në shtëpinë time. Pas pak vjen edhe djali dhe nesër në të gdhirë shkoni për atje ku ishit nisur. Më keni nderuar derën. Këto janë zakonet e krahinës tonë.

Burimi: Gazeta Mapo – https://gazetamapo.al/nderi-i-deres/