Është një nga njerëzit më të famshëm të qytetit Durrësit në vitet 1970-1980. Jo si politikan. As si aktor. As si këngëtar. As si sportist. Mete Xhemali ishte njeriu më i kërkuar në ndërtimet e reja. Në banesa, objekte industriale, kulturore, arsimore, shëndetësore. Dora e tij dhe e brigadës që drejtonte (ishte 29 vjeç kur i dhanë detyrën) është kudo: që kur ishte 15-16 vjeç teksa hidheshin themelet e hotelit elitar turistik “Adriatiku” deri te Muzeu Arkeologjik në vitet 1982-1993, kur tashmë punonte dhe drejtonte me titullin Mjeshtër Ndërtimi.

MENÇURI

Të bisedosh me usta Meten, do të thotë të thithësh mençurinë e tij dhe të “bashkëpunëtorëve” që pati: arkitektë si Hajdar Kovaçi dhe Klement Kolaneci, historianë e arkeologë si Fatos Tartari dhe Hajredin Isufi, ish-drejtori i NSHN-së Ejup Maliqati etj. etj. Ndonëse 75 vjeç (i mbushi më 20 shkurt), mjeshtri është ende dinamik, i mbajtur, punon ende në bar. I gëzohet mbesës së vogël, luan me të.

VITALITETI

Ka kaluar një jetë të vështirë, qysh në fëmijëri teksa ikte kërthi nga Gumenica e Çamërisë së përvëluar nga grekët shovinistë dhe u vendos në Durrës në vitin 1946. Përgjithësisht, bashkësia çame e Durrësit ka zgjedhur punët më të rënda për të nxjerrë bukën e gojës. Por kudo kanë shkëlqyer për vendosmërinë. Sikurse ka ndodhur me një nga emblemat e bashkësisë vitale. Meteja i hyri punës së ndërtuesit ende fëmijë-adoleshent. Arriti të krijojë një brigadë nga më të paguarat në NSHN. Ishte brigadë “emergjence”, po të flasim me terminologjinë e sotme. Në kuptimin për kryer punime delikate, të posaçme. Madje, ka dalë dhe jashtë Durrësit. Në Elbasan (1975), në Bushat të Shkodrës në ditët e pas-tërmetit (1979), ku ndërtoi spital trekatësh.

GJURMË

Ja ku ka lënë gjurmë brigada e Mete Xhemalit (poshtë dy fotografi të viteve 1978-1980 si dhe disa pamje objektesh): Muzeu i ri Arkeologjik, pallatet eksperimentale me kolona të hyrjes së Durrësit, pallati i Kulturës “Aleksandër Moisiu”, evidenca ekonomike (ku ndodhet edhe selia e PD-së), komiteti i PPSh-së (sot këtu ndodhen Prefekti, Këshilli i Qarkut, ALUIZNI, selia e PS-së, shoqata “Durrësi”, INSTAT-i), shtëpia e pushimit e ministrisë së Brendshme, kantieri detar, depot e eksportit, Monumenti i Rezistencës dhe sheshi përreth tij (ish-lulishte “Vollga”), shkolla e mesme “Naim Frashëri”, tribuna kryesore e “Niko Dovanës”, pallatet te stacioni i ri hekurudhor i udhëtarëve, kapanonët e URT-së etj.

Epilog 

… Organet kompetente të Durrësit i kanë një borxh moral mjeshtrit Met Xhemali si Krenari Qyteti. Jo vetëm sportistëve, artistëve, politikanëve, biznesmenëve. Por edhe një Ndërtuesi të Madh.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/

/portali DurresLajm/