Kombinati

Ndërmarrja industriale më e madhe në vend ndërtuar në vitet `70. Kombinati u ndërtua nga inxhinierë dhe specialistë kinezë me ndihmën e specialistëve shqiptarë. Në Elbasan ka ekzistuar një lagje me kinezë e cila mban emrin edhe sot. Gjatë ndërtimit lëvizën 2.5 milion m3 dhé, u hodhën 830.000 m3 beton arme, u përgatitën 146.000 m3 elemente parafabrikate, 43.000 ton konstruksione metalike. U ndërtuan 520 objekte, 47 km hekurudhë e brendshme, 22 km rrugë automobilistike. Në këtë gjigant punuan rreth 12.000 punëtorë.

Rrëfehet inxhinieri

Robert Rapo është një nga inxhinierët e ndërtimit që ka punuar për një kohë të gjatë për ndërtimin e Metalurgjisë. Sipas tij, Kombinati Metalurgjik ishte një vepër me rëndësi strategjike dhe jo më kot u cilësua si “Çlirimi i dytë i Shqipërisë”. Për ndërtimin e këtij gjiganti përgjigjeshin direkt 4 prej anëtarëve të byrosë Politike; Mehmet Shehu, Rrahman Hanku, Spiro Koleka dhe Hajredin Çeliku. Rapo, tashmë pensionist, tregon se ka filluar punë në vitin 1975, fill pas përfundimit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. “U caktova të punoj në objektin 222, pranë Uzinës 12, në repartin e koncentratorëve. Uzina 12, ishte zemra e kombinatit, ajo do të prodhonte Nikel-Kobaltin e pastër, një produkt shumë i rëndësishëm për atë kohë, por edhe tani. Prodhimi i këtij materiali tepër strategjik do të siguronte një buxhet shumë të madh për ekonominë tonë”. Inxhinieri Rapo kujton se ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik ka filluar në vitin l962 me Uzinën Mekanike dhe vazhdoi për rreth 25 vjet. Periudha më intensive, sipas tij, ishin vitet 1968- 1980. “Ky kombinat u projektua nga shkencëtarët tanë me ndihmën e inxhinierëve kinezë. Kinezët udhëhiqnin punën e personelit inxhiniero- teknik shqiptar. Në ndërtimin e veprës ishin angazhuar mbi 15 mijë punonjës, të ndara nëpër ndërmarrje sipas rretheve. Sepse, çdo rreth kishte detyrimet e tij dhe plan punimesh.”

Kombinati në ëndrrën komuniste

Sipas idesë së marrë të udhëheqjes komuniste, Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, do të sfidonte industrinë e vendeve të zhvilluara kapitaliste, përfshi atë të imperializmit amerikan dhe social-imperializmit sovjetik. Për këtë qëllim për ndërtimin e tij përgjigjej direkt Byroja politike. Inxhinieri Robert Rapo thotë: “Kostoja e veprës arrinte rreth 5 miliardë dollarë në atë kohë. Kujdesi i Qeverisë për Kombinatin ishte i një rëndësie të veçantë; specialistë nga dikasteret përkatëse, nga Qeveria, madje edhe nga Byroja Politike ishin të angazhuar çdo ditë në kombinat. Kështu Rrahman Hanku, Spiro Koleka, Hajredin Çeliku, bile edhe vetë Mehmet Shehu ishin të pranishëm nëpër uzina natë e ditë. Në kohën kur punoja unë drejtor i ndërtimit të Metalurgjikut ishte Feruz Mata një nga inxhinierët më të mirë të vendit dhe drejtor i shfrytëzimit ishte Hajredin Çeliku.

Unë, gjatë kësaj kohe, kreva edhe stazhin e partisë 3 vjet në prodhim, i cili kishte rëndësi të madhe për “kalitjen” fizike dhe ideopolitike të kandidatit me virtytet e klasës punëtore si thjeshtësia, dashuria për punën, për shokun, lufta kundër arrogancës, prepotencës, dëgjimit të zërit të masës etj. Pra edukimi në gjirin e klasës punëtore ishte një shkollë e madhe e edukimit të kuadrove”. Duket se të gjithë ata që merrnin pjesë në ndërtimin e Kombinatit Metalurgjik kalonin nëpër një filtër të rreptë biografie. Por edhe sigurimi mësohet se ka qenë i infiltruar mes punonjësve dhe inxhinierëve me synimin për të mbrojtur veprën nga ndonjë sabotim i mundshëm.“Grupe sabotazhi nuk kemi pasur dhe kjo ndodhte për disa arsye.

Në radhë të parë, të gjithë punonjësit që vinin nga rrethet kalonin në filtrin e organizatave bazë të partisë dhe atje zgjidheshin më të mirët, pra ishin të shoshitur mirë. Por nga ana tjetër në brigadat e ndërtimit ishin infiltruar edhe punonjës të sigurimit që ishin sy e veshë dhe punonin nëpër brigada si punëtor të thjeshtë dhe ndiqnin elementët e pakënaqur, apo sabotatorët ekonomike. Këtë e mora vesh shumë vite më vonë, pikërisht në vitin 1998.

Burimi: Shekulli.com.al

Foto e kopertines Kozma Borova