Nga Albert Zholi

Intervista ime/ Flet Ismet Bellova: Ekipi gjerman në atë kohë ka sjellë në Shqipëri, yjet e futbollit të vet, emrat e mëdhenj të futbollit të vet

Ndeshja më e bukur Shqipëri-RFGJ 0-0, 1967

Dino Xoff u gëzua shumë kur i dhashë librat dhe nisi të përlotet

59 vjet në mikrofon. Më shumë se gjysmë shekulli. Aq sa nuk i mban dot mend ndeshjet e transmetuara Fill mbas Anton Mazrekut, hyri i dyti në historinë shqiptare të transmetimit radiofonik të ndeshjeve të futbollit shqiptar. Zëri i tij i veçantë njihet në hapësirat mbarëshqiptare, jo vetëm për tingullin e veçantë, por edhe për emocionet e përcjella gjatë transmetimit. Askush s’mund ta besojë, por më shumë se gjysmë shekulli në transmetim të drejtpërdrejt ndoshta përbëjnë një rekord jo vetëm në Shqipëri, por kohëzgjatja përbën një hap dhe për Gines. Por…do të veçoja. Kur njihesh nga afër me Profesor (se kështu e thërrasin të gjithë), Ismet Bellovën me të vërtetë ndjen kënaqësi, simpati, respekt. Flet po aq pastër dhe bukur si në mikrofon. Ndjeshmëria e tij dhe nostalgjia që ka për mikrofonin e bëjnë që fjalët t’i dalin me një emocion fëminor. Kujtimet e tij rrjedhin si në një film, ku nga fjala në fjalë gjen të papritura dhe të veçanta që mund t’i gjesh vetëm në arkivat e RTSH. Ai është një arkiv me vete, në botën e bukur të sportit, në atë botë ku njeriu përjashton politikën, mëritë, inatet dhe përqafon relaksin shpirtëror që aq shumë na mungon ne shqiptarëve të rritur mes hallesh dhe të mësuar me varfërinë ekonomike.

Profesor Ismeti, ju keni disa ditë që keni nxjerrë një libër me titull “Portierë të mëdhenj”, si lindi ideja për realizimin e këtij libri?

Ky libër ka pak kohë që ka dalë. Ideja ishte e pronarit të shtypshkronjës (Edlors) i të ndjerit Bajram Haxhia, një njeri shumë fisnik, mik i portierit Perlat Musta. Ai m’u lut që unë të bëja një libër kushtuar Perlat Mustës. I premtova që do ta bëj po me një konditë, që në libër të paktën të fusim edhe Qemal Voglin. Sepse sistemi i kaluar i kishte vjedhur rininë dhe ne i kishim borxhe atij njeriu, koha i kishte burgosur vitet më të bukura të jetës, i kishte burgosur talentin. Ai ishte një portier i madh i kohës. Unë kisha dëshirë që t’i jepnim një sadisfaksion moral, një kënaqësi shpirtërore, që ta përjetësonim në një libër. Kisha idenë që përmes tij dhe Perlatit, ne të nxirnim në pah rolin e madh të portierit në lojën e futbollit. Bajrami i ndjerë e miratoi mendimin tim dhe unë i hyra një pune plot labirinthe ku mezi dola. Mendoja t’i jap unë lexuesit edhe një
kuriozitet, se ç’është loja e portierit dhe si ka lindur loja e portierit, si ka evoluar dhe si kanë qenë rregullat e para dhe si janë përpunuar. M’u desh disa kohë që ta realizoja, aq sa nuk e kisha parashikuar…

Gjatë rrugës të dolën gjëra të reja?
(qesh) Pastaj mendova t’i bëj një përshëndetje të gjithë portierëve më të mëdhenj të kohës (me këtë sebep) dhe të them 2-3 fjalë për secilin prej tyre. Kur e bëj këtë gjë për portierët e botës, përse mos ta bëj edhe për tanët, thashë me vete ?! Nisa të përmend ato të paraçlirimit dhe ata të pasçlirimit.

Më konkretisht?
Midis të tjerëve futa edhe një person që kishte arritur të bëhej portier i Partizanit dhe portier i kombëtares, Mikel Janku, të cilin e kisha nxënës dhe i dedikova 2-3 faqe. Kisha kontribuar që ai të bëhej një portier i mirë veç vullnetit dhe falë dhuntive të tij. Përmenda edhe Jani Kaçin, Dinellën dhe të gjithë portierët tanë. Kapitullin e parë ia kushtova portierëve të botës dhe portierëve tanë. Kapitullin e dytë ia kushtova Qemal Voglit dhe kapitullin e tretë ia kushtova Perlat Mustës. Këtu u ndala më shumë dhe vura një theks më të fortë. Perlati qe një talent i kohës dhe një nga portierët më të mëdhenj që kemi nxjerrë ne. Shfrytëzova një rast, si njëherë një revistë e madhe sportive e futbollit (Francë), kishin vënë në kopertinë foton e tij dhe kjo përbënte një konsideratë të madhe që e bindte lexuesin se me të vërtetë e paska merituar Perlati këtë libër. Ajo që e
zbukuroi librin akoma më shumë është parathënia e bërë nga portieri i madh Italian Dino Xoff. Unë i bëra një kërkesë dhe ai m’u përgjigj pozitivisht. Ai u tregua shumë i gatshëm dhe për 2-3 ditë, më çoi parathënien. Kjo ia arriti vlerat librit.

A keni pasur njohje dhe lidhje më parë me Dino Xoff?
Jo, nuk e njihja, po pas librit u njohëm. E kam takuar në Romë para një ndeshje midis Lacios dhe Dinamos së Kievit për Kupën e Kampioneve të Europës. E takova rastësisht. Dino Xoff u gëzua shumë kur i dhashë librat dhe ai nisi të përlotet. Menjëherë në stadium ai na dha (isha me disa miq), një vend të nderuar atje ku ulej Presidenti i Republikës. Na uli të pestëve ku pamë ndeshjen dhe pas saj na dha një darkë. Aty ishin edhe shokë të gazetës “Della Sport”.

Kur e ka filluar rrugën e sportit profesor Ismeti?
Si çdo fëmijë e kam nisur në moshë shumë të re dhe pastaj hyra menjëherë në shkollën e fizkulturës. Aty më tërhoqi shumë ana organizative, teknike. Të gjitha sportet i luaja. Luaja shumë mirë volejboll, basketboll, pingpong (ku isha kampion i vendit për të rinj), futboll, por të gjitha këto në nivel amatoresk, sepse u dhashë shumë mbas anës organizative dhe propagandistike. Kur ishin aksionet e rinisë, ku shkonim nëpër hekurudha, nëpër orët e lira shokët më kurdisnin që të bëja transmetime të improvizuara. Të gjitha këto mi nxiti mësuesi im i parë, Anton Mazreku, që ishte ylli i emisioneve sportive, që unë i dedikoj gjithçka. Ky ishte mësues gjeografie në Institut, por e kishte për zemër mikrofonin dhe është themeluesi i radiotransmetimit të futbollit shqiptar.

Ju improvizonit, por a e kishit menduar ndonjëherë veten pranë mikrofonit për transmetim?
Kisha shumë dëshirë, por nuk mendoja të shkoja tek mikrofoni, vetëm ëndërroja për të. Ishte një pasion dhe dëshirë e brendshme që më shoqëronte kudo.

Kur e prekët ëndrrën ?
Kur nuk e prisja. I madhi Anton Mazreku më dha mikrofonin shumë shpejt në dorë, qëkur isha nxënës. Ka qenë një ndeshje në stadiumin “Qemal Stafa” midis Partizanit dhe Vllaznisë, ku kam transmetuar 7 minuta dhe kam ndjerë një kënaqësi të jashtëzakonëshme. Ka qenë viti 1950.

Çfarë të tha profesori atë ditë?
Eh, më vlerësoi. Ndoshta që të më inkurajonte. Më tha se je një mrekulli. Unë e kundërshtova… je një mrekulli e përsëriti ai. U entuziazmua shumë. Në Komitetin Sportiv ai kishte thënë që e gjeta pasardhësin. Unë pata një shkëputje të detyruar nga transmetimi, sepse me mbarimin e shkollës u emërova përgjegjës i sporteve në qarkun e Dibrës. Unë me të vërtetë isha me origjinë dibran, por isha lindur dhe rritur në Tiranë dhe kisha vështirësi në zanatin tim. Atje bëra një punë të mrekullueshme për kohën, ata më donin sepse isha ndër kuadrot e para.

Sa kohë ndenje në Dibër?
Ndenja afër 2 vjet. Në vitet 1953-1954. Puna e mikrofonit atje vazhdoi me “korrespondencë” (qesh). Sa herë vija në Tiranë për punë të ndryshme, patjetër që do të shkoja në Radio të transmetoja me Mazrekun, ku kisha derën e hapur, kisha ngrohtësinë e tij, kisha një kujdesje atërore të paimagjinueshme, për të cilën unë i kam mbetur dhe i mbetem borxhli atij tërë jetën. Njerëz të tillë rrallëherë mund të njohësh në jetë.
Po mbas shërbimit ushtarak, ku shkuat dhe a u aktivizuat në Radio Tirana?
Mbas shërbimit ushtarak erdha në klubin Partizani si trajner për atletikën dhe më pas si kryetrajner. Njëkohësisht jepja mësim në shkollën “Skëndërbej”. Jepja 30 orë mësim dhe bëja edhe stërvitjen pa asnjë shpërblim. Në atë kohë kishim atletë të mrekullueshëm.

Po me mikrofonin dhe Mazrekun si i vazhdove lidhjet?
Lidhjet me Mazrekun vazhduan për t’u mos u shkëputur deri në ditën e fundit të jetës së tij. Ai vd, iq në moshën 69 vjeç. Unë atë ditë kam qenë në Shkodër me shërbim. Kisha shkuar për të shoqëruar dy trajner kinezë që do të punonin në Shkodër. Ndoshta nuk besohet sot, por kanë ardhur dhe më kanë marrë me helikopter për në Tiranë. Ai vlerësohej shumë nga të gjithë. Në ceremoninë e varrimit ka folur Ministrja e atëherëshme e arsimit Tefta Cami.

Kryetrajner dhe mësimdhënës, po me shtypin sportiv a ishte i lidhur Bellova?
Duke qenë se isha anëtar i Federatës së Futbollit punoja edhe në gazetën “Sporti Popullor”. Pastaj nga Shkolla “Skëndërbej” kalova në gazetën “Sporti”.

Si e organizonit transmetimin e ndeshjes me teknikën e atëherëshme?
Ne në atë kohë kishim vetëm një transmetim. Ajo që bëhej në Tiranë. Rrallë shkonim në Shkodër, Kavajë, Durrës, Elbasan dhe shumë rrallë në Korçë. Në Tiranë çdo të shtunë dhe të dielën kishte ndeshje, të cilat transmetoheshin rregullisht. Në Tiranë ishin skuadrat e mëdha si “Partizani”, Dinamo, Tirana, Spartaku, Kombinati. Të gjithë këto ishin pjesëmarrëse të kategorisë së parë. Pastaj më vonë erdhi Shkëndija. Ishte një ngarkesë e madhe fiziologjike, ku ishin 90 minuta lojë dhe unë me Mazrekun harmonizoheshim me njëri- tjetrin. Rastiste që kishte ndeshje edhe në mesjavë dhe na takonte që të transmetonim të mërkurave, të enjteve, të shtunave dhe të dielave.

A ka pasur ndonjë moment që Mazreku ju ka tërhequr vëmendjen?
-Jo absolutisht asnjëherë. Ai ishte një burrë shumë i edukuar ishte i jashtëzakonshëm.

Sporti të lidh me një masë të madhe njerëzish. Po me udhëheqësit e Partisë së Punës në atë kohë a keni pasur takime?
Ka pasur plot. Enver Hoxhën e kam takuar në një kongres të Rinisë. Kishim shkuar nga sporti tre vetë në Kongres të Rinisë, Refik Resmja, një sportiste fierake atlete që e kisha unë në klasë Sofia Meçe (që ishte Mjeshtre e Sportit) si dhe unë si një nxënës i shkëlqyer i shkollës. Pastaj e kam takuar në vitin 1959 në Teatrin Kombëtar, ku bëhej një konferencë e bashkimit të fizkulturistëve dhe sportistëve të Shqipërisë. Enveri nuk ishte dashamirës i sportit. Ai vinte rrallë, kur ishte manifestime të mëdha.

Kush ka qenë më dashamirës nga ish-anëtarët e Byrosë Politike?
Shumë dashamirës ka qenë Adil Çarçani. Një dashamirës i përsosur dhe i qetë. Marrëdhëniet me të i kam pasur shumë të mira.

Ndonjë moment ku Adil Çarçani ju ka ndihmuar?
Ishte një kohë që unë nuk dilja jashtë shtetit. Në një takim në zyrën e tij i them se përse të mos dal si më parë për të pasqyruar sportin shqiptar? Në prezencën time mori në telefon ministrin Ai e sqaroi se kush më pengonte, Komiteti i Partisë Tiranë. Pas atij momenti çdo gjë u zgjidh.

Po më parë kur kishit shkuar jashtë shtetit?
Kisha shkuar në vitin 1948 në Bullgari, por më vonë nuk shkova, sepse lindi problemi që diskutuam më lart. Në vitin 1973 shkova kryetar delegacioni i ekipit “Shpresa” në Izmir të Turqisë .

A i transmetonit ndeshjet kur shkonit jashtë?
Jo, ende nuk kishte filluar transmetimi.
Po nga jashtë shtetit keni transmetuar ndonjë ndeshje shqiptare?
Shumë pak. Kam transmetuar një ndeshje në Bukuresht në vitin 1986. Luante kombëtarja jonë me kombëtaren e Rumanisë. Na kanë mundur aty pesë me një në stadiumin e Bukureshtit. Ka qenë një dimër i madh dhe një dëborë e madhe. Ministri i Mbrojtjes së Rumanisë erdhi të na urojë mirëseardhjen. Ai ishte tifoz, dhe vëllai i tij ishte ambasador në Shqipëri. Skuadra e Rumanisë ishte me emër në atë kohë.

Ndeshje të transmetuara…gjithsej?
Në vitin 1983, u bënë rreth 5 mijë ndeshje. Në vitin 1983, ne kaluam në një emision shumë të ri dhe modern duke transmetuar jo vetëm një ndeshje, por të gjitha ndeshjet e javës me copëza. Pikërisht, në këtë moment e lashë numërimin. Kur ka qenë Mazreku sëmurë, apo për një arsye tjetër mua më ka rastisur që të mbaja 6 orë në javë transmetim. Deri në vitin 1960 ne kemi qenë dy veta dhe kjo vazhdoi deri në vitin 1965. Në këtë vit afrohet Ahmet Shqarri, Aleko Gjergo, Ymer Sterniqi në Shkodër që është edhe sot. Ishte Ymer Kurti, pastaj hyri Veli Rada dhe më vonë ky numër erdhi duke u shtuar.

Ndeshja më e bukur …?
Është ajo që ka mbetur si një legjendë, ajo e 17 nëntorit të vitit 1967, Kombëtarja jonë me Kombëtaren e Republikës Federale Gjermane. Ishte një ndeshje e cila u mbyll me barazim këtu 0 me 0. I prishëm punë Gjermanisë sepse i hoqëm të drejtën për të shkuar në finale. Ekipi gjerman në atë kohë ka sjellë në Shqipëri, yjet e futbollit të vet, emrat e mëdhenj të futbollit të vet. Kanë ardhur në Tiranë mbas Kampionatit botëror të vitit 1966 në Londër ku u mundëm në finale nga kombëtarja e Anglisë. Ne kemi bërë edhe një gol, por arbitri austriak nuk e pranoi, dhe ky sulm është fotografuar edhe nga fotografi i vjetër sportiv Enver Çobani. Por e rëndësishme është që i morëm një pikë shumë të vlefshme Gjermanisë, duke i prerë udhët për të shkuar në finale.

Po ndeshja e kthimit me Gjermaninë si doli?
Në Dortmund ka qenë një ndeshje krejt tjetër. Humbëm me rezultatin e thellë 6-0.

Po ndonjë ndeshje pikante në Shqipëri mund të veçoni?
Ndeshje pikante në Shqipëri për shumë vite kanë qenë Dinamo-Partizani. Ato u kthyen në evenimente qendrore të futbollit, sepse ishin rivalet kryesore dhe pretendentet kryesore.
Unë kam edhe një kujtim të përsosur të vitit 1958. Bëheshin në atë kohë spartakiadat e ushtrive mike. Në vitin 1958, u bë një Spartakiadë madhështore në Pragë. Ne kemi çuar atje disa sporte. Unë kam qenë edhe si kryetrajnier. Atje çuam 5-6 atletë, kemi marrë pjesë edhe në boks, futboll, basketboll, qitje. Por ajo që na zbardhi faqen ishte futbolli. Bëmë ndeshjen e parë në grup ku ishim me Vietnamin dhe Rumunët.

Vietnamin e kemi mundur 5:1 dhe rumunët 1:0.Pastaj kanë ardhur ndeshjet e tjera kualifikuese. Kemi mundur një skuadër shumë madhështore të Pragës “Dukla”, pas një goli që ka bërë Refik Resmja në minutën 118. Na është vr, arë Kolec Kraja. Kjo ishte në shtator të vitit 1958. “Dukla” në atë kohë kishte futbollistë madhështorë të njohur në të gjithë botën. Pastaj mundëm një skuadër të Berlinit 2:1. Më vonë erdhi finalja me skuadrën e Sofies (Bullgari), që ishin skuadra të Ushtrisë. Ndeshja është luajtur në stadiumin qëndror në prani të 120 mijë spektatorëve. Humbëm 1-0. Skuadra bullgare qëndronte më lart se ne dhe ata morën medalje të arta ndërsa ne morëm medalje të argjenda.

Por evenimente të tilla sporti i ka shumë të përsëritura?
Pastaj një ndeshje tjetër e paharruar është me Belgjikën në Tiranë ku e kemi mundur 3:0. Unë aty në mikrofon kam pasur një shfrenim në vetvete. Dy golat i kanë bërë Minga dhe Mirel Josa.

Nga takimet me personalitete të sportit botëror kë do të veçoje?
Takimin me Mishel Platinin. Ai mbetet një futbollist i shkëlqyer dhe një njëri i jashtëzakonshëm. Personalitete të tilla sportive janë kthyer në ikona të civilizimit, mirësisë, dashurisë njerëzore. Njerëz që përhapin kudo që shkojnë mesazhe paqeje , harmonie, solidariteti. Ky është sporti. Bën atë që nuk e bën politika. Atë që nuk e bëjnë partitë. Sporti i bashkon dhe vllazëron njerëzit.

Ku e keni ndjerë veten më mirë në transmetim apo kur ke shkruar në gazetat sportive?

Në transmetim kam qenë më i fortë se sa në pendë. Edhe kur kam punuar në gazetari e kam pasur gazetën në kurriz për një farë kohe. Por transmetimi…

Si quhej gazeta e parë sportive në Shqipëri dhe bashkëpunimi juaj me të?
Quhej “Sporti Popullor”. Kjo gazetë ishte me tirazh 150 000 kopje, kishte katër faqe dhe dilte një herë në javë. Ne gazetën e mbushnim me gjimnastikën fizike, sporti në fshat, kampionatet e futbollit, basketbollit, volejbollit, spartiakada, etj.

Burimi: Afp.al