Zhvendosja e Teatrit Kombëtar në një godinë tjetër, tek Turbina, u kundërshtua nga aktorët. Në një prononcim para kolegëve të tij, aktori Robert Ndrenika ka reaguar kundër pr/ligjit të paraqitur nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, për disa ndryshime në ligjin aktual për Artin dhe Kulturën. Ai tha në këto 27 vite është folur se do të bëhej një teatër, por për fat të keq nuk ka patur transparencë. Në vazhdën e denoncimit, ai theksoi faktin se në vend po bëhen kisha dhe xhami, por nuk po bëhet një teatër. Mjaft i revoltuar, i madhi Robert Ndrenika ceku edhe rrogat e aktorëve, të cilët paguhen për një kafshatë buke.

Plot shumë vite më parë edhe PPSH thoshte do bëjmë një teatër, por ky teatër nuk u bë. Edhe këto 27 vjet është folur se do të bëhet një teatër, por nuk ka patur pikë transparencë.

Ajo që di unë është se prona e jonë, teatri aktual, është një sipërfaqe 6-7 mijë metra katror, i cili është vjedhur dhe po vidhet sheshit, në mënyrë të hapur.

E kam thënë edhe e them që të gjithë kryeqytetet e Ballkanit kanë Teatro Kombëtare dhe teatri bëhet njëherë në 500 vjet.

Sot mund të ketë nga ata që thonë: e mo, ç’janë këto, këto s’dimë të aktrojnë, por nuk mendohet se Shqipëria do mbetet pa aktorë. 

Këtu po bëhen kisha dhe xhamia dhe nuk bëhet një teatër. I thashë dikujt, shiko çfarë xhamie është bërë, dhe më tha se atë po e bën Erdogani.

Shumë mirë, sepse teatri duhet ta bëjë shteti shqiptar, sepse teatri është kisha dhe xhamia e shqiptarëve. Vajtëm dhe pamë atë godinën te Turbina.

Ajo godinë është vetëm për fushatë elektorale, por jo për teatër. Ajo fjala që i kam thënë ministreshës se unë do shtrihem te Turbina dhe ajo që e ktheu me ironi, po le të vijë të aktrojë në skenë, duket se ka qenë një fjalë me mend.

Ne nuk do të lejojmë që të prishet teatri, ndërsa për TOB-in të mos guxohet t’i qaset.

Dhe një gjë, mos kini shumë shpresë te këto analistët e mëdhenj që dalin në televizione, sepse para 20 vitesh ato u bënë me atë ministren e asaj kohe.

Kur i kërkova ministreshës të na jepte ca para për lapidarin e Spahivoglit, nuk më dha as 5 lekë për këtë lapidar.

Kam edhe të tjera për të thënë, por tani nuk më kujtohen, pasi më vijnë kur jam në krevat, në ëndërr.

Edhe një gjë! Kemi aktorë të mrekullueshëm dhe paguhen për një kafshatë bukë. Kur të vënë litarin e bukës, ai është më i tmerrshmi nga të gjitha”, tha Ndrenika./Konica.al/