Me të folmen tiranase e pa teklif, diku-diku me fjalë të pa “lustruara”, me natyrën babaxhane, Ndriçim Xhepa prezanton rolin e tij të fundit te filmi më i ri “Delegacioni” në “GSH”. “Personazhi që unë luaj, është një shoku Spiro, që i caktohet një detyrë: të shkojë e të marrë bashkë me një polic xhahil, që nuk ha shumë pykë e “është dru me pre” një të bu, rgosur politik”. Ngjarjet janë vendosur në vitet 1990. Filmi me regji të Bujar Alimanit, rinisi, si projekt i lënë në letër nga Artan Minarolli.

Ndërsa xhirimet kanë mbaruar e po punohet me postproduksionin, një prej aktorëve të filmit, e një prej emrave më të njohur në kinemanë e teatrin shqiptar, vjen në një intervistë për “GSH”, në një vështrim që del përtej filmit. Duke marrë shkas nga roli i fundit, Ndriçim Xhepa, në bisedën e tij, ndalet edhe në çështje që shkojnë matanë artit, si roli i artistit në një shoqëri, raporti ynë me të shkuarën, raportin ynë me pushtetin a pushtetet, mungesa e fuqisë sonë reaguese, a raportet me liderët(kokëngjeshurit që nuk dëgjojnë). Është një intervistë që vjen pothuaj në variantin e saj fillestar, pa “latime”, pa gdhendje, duke i qëndruar besnike, sinqeritetit, me të cilin një artist flet për shoqërinë ku jeton.

– Cili është roli juaj te “Delegacioni”, filmi i Bujar Alimanit?
Personazhi im është një shoku Spiro, një njeri me pozitë në Ministrinë e Brendshme. I caktohet një detyrë, të shkojë e të marrë një të bu, rgosur, bashkë me një polic xhahil, që nuk ha shumë pykë e “është dru me pre”, Asllanin, interpretuar nga Xhevdet Ferri. Të dy këta, bashkë me një makinë ku shoferin e luan Kasem Hoxha, shkojnë në një bu, rg. Aludohet për bu, rgje ku dërgoheshin të dë, nuarit politikë.

Marrin atje, Viktor Zhustin, heroin e filmit, për të cilin zhvillohet ngjarja. “Delegacioni” sjell në vëmendje ndërrimin e situatës shqiptare- janë vitet 1990, kur ne përpiqemi të hidhemi në bregun tjetër, atë të demokracisë, pavarësisht se sot e gjithë ditën ne jemi ende me atë demokracinë e çuditshme që bëjmë ne shqiptarët.

Vjen një delegacion për të komunikuar me qeverinë shqiptare siç realisht ka ndodhur në atë kohë me presidentin Ramiz Alia- e flitej për të drejtat e njeriut, pra kthimin e pllakës e me rregulla të tjera loje. Shefi i delegacionit, është Zoti Loheren, i cili në rininë e tij në Pragë ka qenë student me shqiptarin Leo. Me ardhjen e tij në krye të një delegacioni në Shqipëri kërkon të takojë mikun e tij të rinisë, pa e ditur që ai është i dë, nuar politik prej 16 vitesh. Për këtë kërkesë që ai bën, shteti vihet në një lloj ngërçi. O burra të sjellim Leon, ta marrin nga bu, rgu, ta pastrojnë, ta rruajnë, ta sjellin në Tiranë, në atë Tiranën ku në shtëpinë e Leos qëndron e ëma fillikat vetëm, ndërsa gruaja e fëmijët e kanë lënë. Filmi merret me këtë hark kohor dhe ngjarjet zhvillohen nga mëngjesi, që merret nga bu, rgu deri në çastin e finales.

-A jeni ju në film, një personazh negativ, si përfaqësues i pushtetit që po bie?
Jam përfaqësues i tij, por unë nuk kam vuajtur nga personazhet pozitivë, i kam pasur më bollëk; as nga ata negativë, sepse ka qenë dëshira ime e krejt normale tek unë, për të pasur personazhe të ndryshme, në profesione e pozicione të ndryshme, në strukturë shpirtërore të ndryshme, sepse dashje pa dashje vetë interpretin këto e ndihmojnë; për të qenë në një fytyrë tjetër, jo për të qenë në monotoninë e përhershme, e të thonë pastaj “që këtë aktor, jemi mësuar ta shohim në këtë lloj pamjeje”. Si interpret e njeri i kësaj fushe, në film dhe në teatër, për 35 vjet e kusur, kam qenë i kërkuar në të dy fushat në mënyrë super të kënaqshme, ndoshta si pak aktorë në këtë vend. Si pasojë e dhuntisë, se nuk ta ofron njeri për hatër këtë punë, por edhe si pasojë e një pune super të lodhshme dhe investimi absolutisht optimal, kam arritur që në katër dekada- karshi meje mos të bjerë kërkesa e regjisorëve në teatër e film.

-Ti luan rolin e një komunisti në film. Si ishte për ty ky rikthim në kohë, pas kaq vitesh demokraci?
Unë nuk luaj komunistin, unë luaj një njeri që ka këtë detyrë, ka këtë psikologji, brenda atij sistemi. Edhe me moshën që kam, i kam prekur dy sistemet, me jetë dhe me prezencë në zanat. 10 vjetët e parë, 1980-1990 janë me punë në komunizëm dhe kam 27 vjet të tjera që punoj në këtë kohën tjetër, të çliruar nga ai sistem. Të tilla karaktere e të tillë njerëz i njoh, i kam parë, jam ulur në tavolina me ta, pra janë të verifikueshëm nga unë. Rëndësi ka një vëmendje, një kujtesë interesante për t’i sjellë ashtu siç reagonin, perceptonin; ashtu siç këta njerëz reagonin me shtetin e me të tjerët- vetëm për të qenë i vërtetë dhe i besueshëm me rrethanat. Të keq apo të mirë, e bëjnë rrethanat personazhin. Unë kurrë nuk kam pasur filozofi në kokën time që të luaj të mirin apo të keqin- personazhin pozitiv a negativ, janë pozicionet që personazhin e bëjnë në sytë e spektatorit dhe është ky i fundit që e përcakton sa i mirë e sa i keq është ai, me bëmat e tij, jo dëshira ime si interpret. Nuk nisem me këtë pikëpamje, të luaj të mirin apo të keqin.

-Si kanë ecur xhirimet?
Si kohë, shkoi një muaj. Kanë qenë ritmike, siç punohet me bashkëproduksionet me të huaj se kishte tri-katër vende që e financonin, veç Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.

– Ju ishit pjesë e projektit edhe me Artan Minarollin?
Kam qenë në bisedime që me Minarollin.
-Çfarë ndjesie ju jep rikthimi në të shkuarën, në një kohë që mendojmë se e kemi lënë pas?
Nuk më përbën problem. Është interesante për aktorin të mos ketë tema të sotme, por të ketë edhe situata, tema e kohë të tjera. Rëndësi ka që ngjarja të ketë vlerë, të ketë strukturë, të jetë realist, i vërtetë dhe i besueshëm. Nëse ngjarja ka ndërtim të vërtetë, që spektatorit nuk i ndërton pikëpyetje, pra, nëse gjërat janë të motivuara, do të hidhesha me shumë kënaqësi që nesër, në një skenar që flet për kohën Ali Pashës a Skënderbeut, apo për kohën e luftës. Mund t’i teket dikujt nesër të bëjë film për Luftën Nacionalçlirimtare, tashmë me dokumente dhe në rrethana edhe më të argumentuara, që të mos kalojmë më te kjo që themi “gjithë partizanët ishin të shkëlqyer dhe ballistët hanin vetëm pula”, nga këto budallallëqet që thonë sot, se jam i bindur që është një kinezëri, e futur nga koha e atëhershme.

S’ka asnjë arsye që të themi se partizanët na paskan ngrënë, vetëm çomlek dhe bullgur, ndërsa gjithë ballistët qenkan ushqyer me pula. Sigurisht është një lloj demagogjie e shitur në atë kohë.
Pra, për heronj të asaj kohe, personazhe të asaj kohe, që kanë qenë mbi ujë e për të cilët janë bërë filma, sot mbi bazën e dokumenteve, s’do kishte asgjë të çuditshme të xhiroheshin sot e të hidheshin në një treg filmik në ekranin e kinemasë me rrethana, me shpjegime e me relacione siç janë. Këta heronj, për mua do të fitonin më shumë vlerë nëse do të shfaqeshin në ekran, me pluset e minuset, me huqet e me kapriçot, me të veçantat e të pa veçantat që kanë personazhet.

-Që të mos paragjykohen më ballistët?
Nuk është puna vetëm të ballistët, edhe personazhet e partisë, edhe ballistët, mos të jenë bardh e zi siç janë trajtuar në përgjithësi te filmat tanë. Kemi përvojën e botës që bëjnë filma për personazhe historike, politikanë, shkrimtarë të mëdhenj, por nuk i bëjnë të idealizuar, të kornizuar bukur, pa asnjë huq e pa asnjë të metë, me atë idenë “s’ka lezet t’ia nxjerrim këtë apo atë”- jo. Unë s’kam qenë interpret fizikisht i shëmtuar, kam qenë një farë simpatiku, por s’i kam pas fare qejf këto personazhet, jo pse kam ndonjë rezervë karshi heronjve- x a y qofshin, absolutisht mos të keqkuptohemi. Por, sepse në brendësinë time, nuk më ngjisnin këto, pasi ishin të idealizuar, të pastruar. Po të shohësh krijimtarinë e 10 vjetëve, në vitet 1980, në 15 filma që kam në atë kohë, ka: një egoist karshi shokut të vet që do ikte jashtë shtetit tek “Duaje emrin tënd”; ka një gazetar që do të bëjë një shkrim, siç mund të jeni ju sot dhe që e pengojnë njerëzit e atij territori; ka një rebel shtëpie te “Hije që mbeten pas”, ka një hajdut që vjedh paret dhe kërkon t’ia imponojë edhe të dashurës së vet, apo një shofer që është brenda botës së tij sa rebele edhe të çuditshme, është “Kthimi i ushtrisë së vd, ekur”, pra ka si këto role, jo personazhe të indoktrinuara.

-Jo role të propagandës?
E, jo nga të propagandës, por sinqerisht kjo është reale, nuk është për të thënë unë sot, pas 25 vjetësh demokraci, për ta bërë unë veten të pastruar. Jo. Këto janë faktet, madje më bën çudi që aktorë që i kanë shumë qejf këto lloj personazhesh, lumturoheshin kur merrnin këto lloj rolesh, në kohën e tanishme, sikur i kanë për siklet, sikur kërkojnë falje publike që i kanë luajtur këto personazhe. Më duket një lloj hipokrizie, një lloj mungese boshti, se kuptoj pse, sepse nuk kuptoj pse duhet kërkuar falje. Del dikushi e thotë kërkoj ndjesë e kërkoj falje, po pse? Dihej që ai sistem atë kishte, kishte indoktrinim, kishte indoktrinim edhe në kulturë si në të gjitha fushat.

-Pse nuk duhet kërkuar ndjesë? Nëse role të caktuara kanë përhapur në një farë mënyre propagandën, pse jo?
E gjithë jeta jonë ishte propagandë atëherë, në çdo hap të vendit kishte propagandë. Atëherë duhet të kërkojmë ndjesë, se edhe kur shkoje në spital e kur kuroheshe ishe po themi “nën kujdesin e partisë”, në një farë mënyre thuhej se të “kuronte partia”; edhe arsimi ishte i indoktrinuar, kishte edhe ai përqindjen e vet- kishte goxha lëndë, lëndë profesionale e kishte lëndë sa të duash brenda shkollës në çdo lloj fushe, që ishin lëndë indoktrinuese, që s’i duhen as dreqit.

-Por mbase, a nuk duhet nisur diku, për “t’i larë hesapet” me të shkuarën? Sigurisht janë dosjet, e jo vetëm ato, por a duhet nisur diku kjo lloj përballjeje, mbase duhet nisur që këtu, duke thënë: më falni nëse unë, në rolet e mia, kam dhënë imazhin e një vendi të përkryer, që “partia është më e mira”, që ne pa “partinë do vdesim”?
Nuk kanë qenë në dorë të interpretëve këto, ndaj kërkojnë disa njerëz kot falje. Ta zëmë se unë kam pas një personazh të tillë, a ka qenë në dorën time për të bërë këto?

-Mund të kishe zgjedhur të mos e bëje një rol të tillë?
Ja, unë kam zgjedhur të mos e bëj. Kam gjetur një formë për të rrëshqitur me lezet. Por edhe ata që i kanë bërë këta lloj personazhesh, nuk është se kanë bërë ndonjë krim të çuditshëm. Forma e dyanshme e të sjellit, dikur gëzonin nga qejfi për t’i marrë këto role, e sot kërkojnë falje; më duket çudi.

-Ju, edhe si natyrë, jeni rebel; nuk keni rëndesën e staturën e artistit të madh me dëngla, përkundrazi, jeni krejt i thjeshtë. A keni luajtur në një farë mënyre në role, vetveten?
Sigurisht, njeriu nga vetja do të niset. Por, niset nga vetja duke shkuar drejt cilësive të personazhit, rrethanave të personazhit, për të krijuar nesër atë të ndryshmin, nga një personazh të tjetri, nga një kohë te tjetra, nga një cilësi te tjetra- që publiku të shohë dallimin nga një personazh të tjetri. Unë kam operuar me këtë lloj psikologjie, me këtë lloj forme të punuari, e them se në një përqindje të kënaqshme, mbase jo të mrekullueshme, ia kam dalë. Sigurisht nga unë kanë dalë, por nuk ka ndonjë afërsi mes Tomës te “Flutura në kabinën time” s’ka lidhje me filmin “Treni niset në 7 pa 5” që janë bërë brenda një 6 mujori. Një aktor i ka bërë, po qenia ime është. Por nuk besoj se kanë ngjashmëri. Ka qenë detyra ime, që në këtë kohë, të shkoj drejt dy drejtimeve të ndryshme, që në sytë e spektatorit të mos sjell të njëjtën gjë. Sikundër, këto personazhe s’kanë lidhje me personazhin e Arsenit te “Duaje emrin tënd”, që është xhiruar afër në kohë me filmin ku kam rolin e Benit te “Hije që mbeten pas”, dhe këta të dy nuk kanë lidhje me filmin tjetër “Të mos heshtësh” ku unë luaj Ardin.

-Kur ka qenë më e vështirë të krijosh, të bësh filma, të bësh teatër, në atë kohë për shkak të censurës, apo në këtë kohë, për shkak të një censure tjetër, që është ajo ekonomike?   
Në ndërtimin e punës, figurave, roleve për mua nuk ka ndonjë rëndësi të madhe koha. Prirja artistike si me filmat para ‘90-ës si sot, është njësoj- është tjetër gjë motivimi financiar, po kjo nuk do të thotë se, meqë sot paguhem me një shumë të caktuar, do më bëjë mua më të talentuar, ose që do të më japë mua ca buba të reja artistike në raport me atë që bëja kur xhiroja dikur. Brumi, ngacmimi, pasioni, të gjithë elementët që ke në dorë, s’kanë asnjë lloj ndryshimi nga viti 1985 deri më 2015. Nëse ruan të njëjtin pasion, ekzigjencë, e si e si të shkosh sa më thellë të vlerat e një personazhi, s’ka lidhje koha.

-Cili është roli i një artisti në shoqëri, përtej asaj që bën në skenë a në ekran, artisti ka një lloj detyre që të jetë më i “përgatitur” e mbase pararendës? Përveç se ta thuash në skenë që liria është e shenjtë, çfarë duhet bërë tjetër?
Në bazë të atyre që reflekton e shfaq në skenë e ekran, aktori, artisti e ka detyrë përcjelljen e kënaqësisë te njerëzit, në mënyrë të natyrshme e pa sforco. Përpëlitja e ekzigjenca e vazhdueshme të çon në ato kuota që ti bëhesh i dashur për njerëzit. Nëse ke impakt të bukur shpirtëror, e ke bërë atë detyrën, misionin te njerëzit- për çka përpëlitesh në sheshxhirim a në skenë. Po të kthehemi te fjala mision, mua kjo më kujton pak ato vitet e komunizmit kur thuhej që artistët duhet të jenë edukatorë të masave, edukatorë të rinisë. Nëse di të lësh gjurmë me atë që bën në skenë e ekran, e ke bërë atë që duhet të bësh.

-A nuk ka për detyrë artisti që të protestojë, të kundërshtojë për vendime që mund të merren, sepse zëri i tij dëgjohet më shumë se zëri i të tjerëve?
Nëse ka parësore rritjen e tij profesionale, e të shkojë në ato kuota, që më te vërtetë të krijojë një personalitet të admirueshëm, është krejtësisht normale që për probleme të tjera shoqërore, siç në jetën tonë ka plot, për të cilat kërkohen prononcime, është e drejtë që të shprehet dhe t’i dëgjohet zëri, nëse sipër ka njerëz që të cilët me të vërtetë u bën përshtypje dhe u bie në vesh, siç duhet t’u bëjë përshtypje vendimmarrësve, një fjalë e këtyre njerëzve, personalitete nga fusha të ndryshme, jo vetëm në art, nëse ekziston një lloj qytetarie te njerëzit e vendimmarrjes, ata që kanë çelësat e shtetit.

-A ekziston?
Kam përshtypjen që ekziston pak, shumë pak kjo gjë, sepse kam bindjen që, e me keqardhje e them se njeriu shqiptar, raca jonë, kur hipën në pushtet, dhe kur merr ato çelësat e kolltukut e vendimeve të shtetit, ka një egocentrizëm të tepërt. Nuk ka lidhje me krahët politikë, por në përgjithësi është te shqiptarët kjo dhe nuk para dëgjojnë as pyesin më. Nuk kanë qytetarinë a stadin qytetar e spiritual siç në përgjithësi ka bota. Mbase te ne duhet të kalojnë edhe disa dhjetëvjeçarë të tjerë që të vijë ky lloj ndërgjegjësimi. Ose që ky ndërgjegjësim të shkojë te njerëzit që më të vërtetë kanë fate të racës në dorë. Ndaj edhe për shumë probleme, ligje e rregulla, flitet, bëhet zhurmë, ka prononcime në media, prapë vijon e njëjta gjë, pak gjëra dëgjohen, e me kokë ngjeshje, bëhen ato që udhëheqësin kanë në atë kafkën e tyre.

-Roli juaj i fundit në Teatrin Kombëtar te “Familja Tot”, thotë pak a shumë këtë gjë?
Po, roli i doktorit. Ishte për këtë arsye që regjisorja e mendoi për mua, sepse vepra përmes këtij personazhi kërkon të japë këtë mesazh.
-Që jemi të gjithë të çmendur?
Po se nga mënyra si komunikojmë, nga mënyra se si ndërtohen marrëdhëniet mes njerëzve të politikës, me keqardhje gjejmë një lloj doze trashësie, patologjie të çuditshme, që e shoqëron popullatën në ngërçe shpirtërore të njëpasnjëshme.

-Është kjo, një patologji e jona si popull ndaj udhëheqësve?
Mendoj se populli është në pritje, megjithëse si popull jemi në pozicionet e deleve, të asaj kopesë që i idilizon më tepër se ç’duhet ata që hipin sipër. I lustrojmë, u bëjmë temena e servilizëm, më tepër se ç’duhet, ndërkohë që kombet e tjera kanë fuqi reaguese të madhe. Reagojnë menjëherë kur kanë kundërshtime dhe i bëjnë ata që drejtojnë të kthehen pas në vendimet e marra.

-A është kjo stepje, ky mos reagim prej komunizmit?
Edhe ajo ka dhënë ndikim, se ishin 50 vjet në një lloj ngjeshje e shtypje të personalitetit të njeriut. Por, edhe tradita jonë, nuk flet shumë për vlera të kësaj natyre, kemi qenë me zhvillim ekonomik e social të dobët, nëse krahasohemi me Europën. Kombet e tjera nuk guxon t’i prekësh se si të shtypësh një buton, njerëzit mbushin sheshet e nuk lëvizin me javë të tëra, duke i detyruar vendimmarrësit të ndërrojnë qëndrim./GSH