Nga Kastriot Dervishi

Gërshërët e censurës nuk mund të kursenin as një prej veteranëve të lëvizjes komuniste, madje prej themeluesve të PKSH-së, Sotir Vullkanin. Ai ishte një nga 6 përfaqësuesit e mbledhjes së 8 nëntorit 1941. Pas lufte nuk mori poste të larta, por shkoi deri drejtor i kamp-burgut të artizanalit në Tiranë, i cili për rastësi të çuditshme ishte në ish fabrikën e cigareve “Flora”. Vullkani kaloi një jetë me mundime me ulje-ngritje, teksa shpërtheu njëherë duke thënë “Enver Hoxha nuk ishte perëndia”. U pendua shpejt e bëri autokritikë. Nuk u desh vetëm ky fakt, por një djalë iu arratis e tjetri u burgos. Mjaftonte kjo për ta fshirë fare nga historia e vetë Partisë së Punës, e cila kur vinte puna te emrat tregohej gjithnjë me “etj”.

Fotografia tregon banakun e dyqanit “Flora” në Tiranë rreth vitit 1940. Vini re foton origjinale (majtas) dhe atë të botuar në albumet e Hoxhës, ku ka “fluturuar” Sotir Vullkani (djathtas). Personi tjetër i njohur në banak është Pilo Peristeri.

Në foto Hoxha shfaqet si në atë të mëparshmen, i shkujdesur e me cigare në dorë.

Burimi: 55News.al