Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit ë

PËLLUMB GORICA

Ndodh që njerëzit të çfarëdo kategorie qofshin këta, të impenjuar për të ecur me ritmin e kohës e kthejnë kokën herë pas here pas, për të nderuar e kujtuar me respekt, ata që kanë treguar përkushtim, ndërgjegjje, kulturë, vlera, e sidomos ata që kanë derdhur mund dhe dashuri me profesionin e tyre. Vitet ikin, por në kujtesë mbetet respekti për mësuesit që mbollën dije. Është një profesion ku mirënjohja e kontributi për shoqërinë dhe edukatën është e pakrahasueshme.

Banorët e fshatrave të Sulovës së Poshtme kujtojnë me mirënjohje të thellë mësuesit që punuan në shkollat e fshatrave të tyre nga qyteti i Elbasanit. Është një kontribut 100 – vjeçar. Në fillim të shekullit të kaluar, si në mbarë Shqipërinë e pushtuar dhe të mbushur me varfëri, mjerim e padituri, ishte e madhe dëshira për dije e arsimim. Për këtë, shumë herët edhe në krahinën e Sulovës u hap shkolla shqipe. Për hapjen e shkollës së parë kontribuan patriotët e Elbasanit; Aqif Pashë Elbasani, Lef Nosi, Ahmet Dakli e Emin Matraxhiu. Shkolla u hap në Mollas në vitin 1916. Si mësues i parë ishte Dhimitër Deliana (Konomi) nga lagjia Kala e Elbasanit. Mësimin e zhvilloi në xhaminë e Mollasit. Ishin 24 nxënës nga disa fshatra të Sulovës. Nga kujtimet e familjes Deliana në Elbasan ruhet një document ku thuhet se Dhimitër (Taq) Deliana dha mësim në shkollën e parë të Mollasit gjatë Luftës së Parë Botërore, ku shërbeu për një vit. Këtë e vërteton një dokument i përpiluar nga pleqësia e fshatit Mollas në këtë periudhë, e firmosur dhe e vulosur me pulla takse, ku thuhej se të ardhurat i shkonin Kryqit të Kuq. Në librin e Ilir Kaninës “Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës i Botërore“, faqe 58 është shkruar: “Më pas në shkollën e Mollasit në vitin 1918 erdhi mësuesi nga Elbasani Qamil Xhani, i cili punoi deri në vitin 1920’’.

Me historikun e shkollës së Mollasit lidhet pazgjidhshmërisht emri, përkushtimi dhe veprimtaria e gjatë e mësuesit dëshmor nga Elbasani Musa Kongoli. Ai punoi si mësues në Mollas në vitet 1920-1924. Historitë gojore kanë arritur tek brezi i ri nga ish nxënësit e tij, që në tregimet e tyre e kanë dhënë aq bukur madhështinë e këtij njeriu. “Ishte i ri kur erdhi në Mollas, një djalë i burrëruar para kohe nga hallet.” E kujtojnë me respekt për disiplinën, taktin pedagogjik dhe dëshirën e zjarrtë për t’u mësuar fëmijëve sulovarë shkrim e këndim. Ai nuk ishte vetëm një mësues i mirë, por edhe një patriot i vendosur, që luftoi deri në fund të jetës, për përparimin e vendit (dëshmor i LANÇ).

Në gjysmën e parë të shekullit XX, historia e arsimit në Shqipëri ka ecje e ngecje dhe vështirësi të shumta. Shkolla fillore e Mollasit, si e vetmja në Sulovën e Poshtme, kishte probleme me ambientet, kushtet, largësinë e mësuesve, por edhe të nxënësve. Këto i dëshmojnë të dhënat arkivore dhe kujtimet e mësuesve elbasanas që punuan këtu. Kjo i detyronte herë pas here autoritetet e kohës që ta mbyllnin. Sipas dokumentave, në vitin 1924, numri i shkollave në të gjithë vendin erdhi duke u pakësuar. Po ashtu edhe numri i mësuesëve që jepnin mësim. Në vitin 1925 regjimi i Zogut e mbylli shkollën fillore në Mollas. Kur askush nuk interesohej për shkollën dhe as për mësuesit. Vetëm një grup patriotësh sulovarë protestuan. Ata e ndjenin nevojën e arsimimit të fëmijëve dhe nuk mund t`i linin ata pa dituri, prandaj kërkuan me çdo kusht vazhdimësinë. “Historiku i zonës së Mollasit” shkruan:“

Një grup patriotësh sulovarë i përbërë nga Bajram Mëhalla, Neim Cërriku, Musa Hoxha, Met Dyrmo, Isuf Qevani, Hasan Frakulli, Rrapush Asllani, Shaqe Gjini shkoi te prefekti i Elbasanit dhe kundërshtuan këtë vendim të qeverisë, duke kërkuan me insistim rihapjen e shkollës. Qeveria nga presioni u detyrua që të rihapë atë”. Për shkak të vështirësive që dolën nga kriza ekonomike në vitin 1931, shkolla fillore e Mollasit u mbyll përsëri dhe nxënësit mbetën pa mësim disa muaj. Qeveria e Zogut kërkoi, që mësuesit t’i paguanin vetë populli siç paguan hoxhën e fshatit, sepse nuk është parashikuar në buxhet. Këshilli i nënprefekturës Gramsh më 1 qershor 1928 raportonte : “nga 42 nxënës që e ndoqën në fillim e përfunduan 35. Ndërsa në 5 mars 1929 ishin regjistruar 25 dhe e vazhduan 20.” (Arkivi i Shtetit, dosja e arsimit në Gramsh). Midis nxënësve kishte edhe ndryshueshmëri moshe e thuajse të gjithë djem. Femra sulovare në atë kohe e kishte të vështirë të dilte jashtë portës. Kështu që kanë qenë të pakta ato që ndjekur shkollën në këtë periudhë.

Për shkak të kushteve të vështira, por edhe të largësisë, mësuesit ndërroheshin herë pas here, duke punuar në periudha të shkurtra. Përmendet puna e palodhur e mësuesit Hysen Pajenga. Ai edukoi breza nxënësish sulovarë, midis të cilëve edhe mësuesit e parë sulovarë; Riza Cërriku, Isa e Sali Çala. Mësuesi Riza Cërriku nuk do ta harronte gjithë jetën atë: “E kam ende të freskët në kujtesë mësuesin e klasës së parë Hysen Pajenga. Ishte njeri i mirë, që përpiqej shumë, me rreptësinë e tij ’’. Mësues të tjerë elbasanas që në këto vite ushtruan profesionin në Mollas ishin “Llaz Topalli, Spiro Gjirazi, Maliq Mullaholli, Musa Shehu etj”. (“Historiku i zonës së Mollasit”) Sipas mundësive punuan pa u kursyer dhe e deshën profesionin e mësuesit, i deshën fëmijët, banorët e natyrën e krahinës. Ata shpesh u përplasën me opinione negative për arsimin e fëmijëve prej banorëve, se nuk u duhet shkolla, se kush do t’i ndihmonte të ruajnë bagëtitë, etj. Shumica e mësuesve ishin diplomuar në Normalen e Elbasanit, e cila ishte në atë kohë institucioni më i lartë dhe më i kualififikuar arsimor i vendit, ku jepnin mësim një plejadë pedagogësh të spikatur e patriotë të flaktë, si Aleksandër Xhuvani, Vasil Andoni, Fot Papajani, Ismail Haxhihyseni, Mehmet Daiu, Ali Harshova, Isuf Luzi,Simon Shuteriqi, Kristo Dako, Petër Dodbiba, Kostaq Cipo, Ahmet Gashi, Xhevdet Skilja, Dhimitër Paparisto, etj. Është periudha kur familjet elbasanase do të sakrifikonin për arsimin dhe pavarësisht mundësive ekonomike, në Elbasan vepronte një frymë e përbashkët, që vinte si rezultat i një tradite të hershme. Një kohë tepër e vështirë, kur Shqipëria, së pari vuante nga varfëria e tejskajshme dhe arsimit aspak nuk i kushtohej vëmendje. Ndoshta sot nuk e besojnë, por ja që kjo është e vërteta e jetës së këtyre mësuesve për të shpërndarë dijen e mësuar fëmijëve edhe në Sulovë. Mësuesi nderohej nga të gjithë në Sulovë. Shumë prej tyre në këto vite e më vonë banonin në familjet e sulovare. Midis tyre kishte edhe nga ata që vepronin me metoda antipedagogjike, me ndëshkime fizike të rënda ndaj nxënësve, e sjellje ofenduese. Shkolla e Mollasit prej mësuesve elbasanas që në fillimet e saj ishte një fidanishte e patriotizmit dhe e formimit kulturor për brezat e ardhshëm në Sulovë.

Përpjekja për zhdukjen e analfabetizmit pas Luftës së Dytë Botërore ishte e madhe. Kudo kishte skamje, por dëshira për të përhapur dije ishte më e madhe. Janë fakte që bëjnë të njohur kontributin e të tjerë mësuesve elbasanas. Është me interes të tregonim se kujtimet për këto vite, vlerësojnë sakrificat e mësuesve, seriozitetin e dëshirën për punë të mira dhe dashurinë për profesionin fisnik. Vitet kalojnë, por nuk do të harrohet durimi, këmbëngulja, vështirësitë me shqetësimin e vazhdueshëm për ambiente të përshtatshme, mungesat e mjeteve të domosdoshme, frekuentimin e nxënësve dhe mbarëvajtjen e mësimeve. Ishte koha kur nevoja për arsimtarë ishte e madhe për hapjen e shkollave në çdo fshat. Mjaftonte të kishin arsimin e mesëm dhe punësohej edhe larg. Jo pak prej tyre patën në fillim vështirësi të përballonin jetën e fshatit. Një sërë pyetjesh zinin vend në mendjen e tyre, se si do të ishte vendbanimi, si do të ishin njerëzit e Sulovës e mbi të gjitha si do të përballonin kohën aty? Ishin vite ku mungonin shumë gjëra. Mungonin mjetet e komunikacionit. Nga Elbasani në Sulovë në vitet e para pas çlirimit të vendit udhëtonin më shumë në këmbë sesa me makinë. Deri në urën e lumit Devoll mund të gjeje mjet, që edhe kur kalonte ndonjë kamion për në Gramsh shpresa mbetej te zemra e shoferit, që duhej të paguaje përndryshe duhej të ecje. Mandej në fshatrat e Sulovës rruga bëhej më këmbë, mes rrugës së shkretë, të ftohtit, baltës e vështirësive të kalimit të përrenjve në dimër, por edhe në verë nuk i shpëtonin vapës përvëluese e pluhurit. Mësuesi Astrit Bishqemi kujton: “Nga Dumreja, në vitin 1957 më caktuan në krahinën e Sulovës, tre vjet në Selvijas dhe një vit në Mollas. Luftë me padijen, me baltrat, me ujët e lumit Devoll.” Edhe kur u vendos një autobus një herë në javë, që nuk merrte më shumë se 30 pasagjerë, të gjendeshin pranë të afërmve të tyre, shpesh ata pengoheshin, nga angazhimet dhe aksionet e ekonomisë bujqësore. Ishte koha kur në fshatrat e Sulovës u emëruan dhjetëra mësues. Përshkrimi i punës së çdo njërit prej tyre tregonte se ishte i vështirë.

Sulovarë të ndryshëm e midis tyre edhe Xhevit Çela, Ramiz Nasufi, Hekur Braushi, Alush Xheria flasin me respekt për këtë brez mësuesish. Të shkruash për Dilaver Shkodrën, do të thotë të shkruash mbi të gjitha për një njeri, që e donte profesionin, dijen e përparimin. Bashkë me shumë kolegë të tjerë, për çdo ditë ai ndërtonte një vizion të qartë të arsimimit të sulovarëve. Mosha ka bërë të vetën, flokët u janë zbardhur e diku u kanë rënë, por nuk harrohen Astrit Bishqemi e Sami Domni, si ndër mësuesit që punuan aq shumë në organizimin e orës së mësimit dhe me pasionin e tyre, për të ngjallur tek nxënësit sulovarë dëshirën për dije. Natyrisht u shquan edhe mësues të tjerë, me paraqitjen, ngrohtësinë shpirtërore dhe mësimdhënien. Përmendim Mehmet Dardhën, Xhevdet Ekmekçiun, Xhevit Haxhihysenin, Itarik Peshtanin, Mithat Lekën, Nazif Bahollin, Mustafa Shupakun, Galetana Çaushin, Loni Dudën, Faik Pleshtin, Zeliha Shkodrën, Ethem Mullajonuzin, Rruzhdi Belegun, Mustafa Pajengën, Albert Stojën, Hysen Pobratin, Sabaudin Pobratin, Liri Arapin, Ismail Kafexhiun, Sami Paralloin, Bexhet Belegun, Nafie Çaushin, Esat Gjevorin, Hysen Saraçin, e sa e sa të tjerë që punuan pak vite. Dikush ishte me cene në biografi dhe ai shtet në themel të tij kishte ndëshkimin. Nuk mund harrosh kontributin e çmuar të tyre në përgatitjen e kuadrove nga Sulova, për të cilët ajo kishte nevojë aq shumë, e në vitet e mëvonshme morën në dorë drejtimin e ekonomisë bujqësore dhe jetës së organizuar shoqërore.

Në fund të viteve ‘60 edhe në fshatrat e Sulovës u kalua në arsimin 8-vjeçar dhe në fillim të viteve ‘70 u hap shkolla e mesme bujqësore, me dhe pa shkëputje nga puna në Mollas. Hapja e këtyre kategorive të shkollave dhe shtrirjes së tyre kërkonte mësues më shumë, por edhe të kualifikuar. U emëruan mësues të tjerë nga Elbasani si: Skënder Grada, Rifat Xhina, Pandi Strati, Marjeta Osmani, Sulejman Haxhiahasani, Kujtim Spahiu, Arben Haxhiymeri, Eva Kajanaku, Abedin Stringa, Flora Vyshka, Ardjan Papajani, Mimoza Gremi, Agim Tarba, Avni Isai, Vladimir Ganjolli, Spiro Kallajxhiu, Shefki Ruda, etj, të cilët janë vetëm disa nga shumë e shumë emra. Lidhur me këtë dua të theksoj nivelin e lartë profesional të tyre. Duke u përfshirë në jetën shoqërore të fshatrave, u shquan si pjesëmarrës në veprimtaritë kulturore -sportive. Ishte koha e një masivizimi të aktiviteteve kulturore-sportive për të ndërtuar hapësira në interes të këtij zhvillimi shoqëror.

Duke jetuar mes kësaj natyre, mësuesit u frymëzuan dhe shkruan krijime të bukura. Ata përhapën në Sulovë kulturën e qytetit dhe po shumë prej tyre morën nga traditat e Sulovës. Mësuesit e atëhershëm meritojnë mirënjohje për kontributin që kanë dhënë në formimin cilësor të nxënësve. Nuk harrohen lidhjet e tyre me sulovarët dhe fëmijët e tyre, dashurinë e ndërsjelltë që ekzistonte, një dashuri e pastër si vetë jeta, e cila mposhte varfërinë e brengat. Mjafton të shtojmë se ashpërsia e kësaj kohe, krijoi edhe ndaj mësuesëve dënime dhe persekutime. Pushtetarë të pazotë, me prirjet e tyre të paaftësisë e fodullëkut, si të padenjë për pozita të tilla, luftonin me intriga vlerat e kontributet jo vetëm të tyre, por edhe mësuesëve vendas, që, në sajë të kapacitetit mendor e kulturës, por edhe të mbështetjes, nga mjedisi i ngrohtë e mikpritës i sulovarëve, i anashkalonin me punën përkushtuese…Thuajse shumica e mësuesve në këto vite ishin të rinj. Me përkushtim për zhvillimin e arsimit dhe kulturës, ata e kaluan rininë fshatrave të Sulovës, në Selitë, Linas, Mollas, Dragot, Selvijas, Floq. Kjo ishte edhe koha më e bukur e jetës së tyre. Ishte praktikë e sistemit të kaluar qeverisës, që të emëroheshin nëpër fshatra mësues, mjekë, ekonomistë të sapo diplomuar.

Kjo periudhë e rëndësishme do të linte gjurmë në formimin e karakterit të tyre. Profesioni i mësuesit u jepte gëzim dhe vrulli i moshës i bënte të kapërcenin vështirësitë. Ndaj shumica nuk ranë në kënaqësi, veçse lexonin shumë, studionin për kualifikime të mëtejshme, por edhe mësonin gjuhë të huaja. Emri i mirë dhe puna kujtohet edhe sot, dhe asnjëherë nuk ka munguar kujdesi, zemërgjërësia, mikpritja e respekti. Pas shumë viteve u kthyen në Elbasan, falë vlerave që shfaqën si mësues me perspektive. Duke u kthyer në retrospektivën e asaj kohe ata ndjejnë nostalgji për këtë respekt vlerësues. Përmendim një fakt kuptimplotë. Banorët i respektonin dhe ishin bujarë me mësuesit dhe i ftonin në gëzime familjare. Ky nderim ishte një vlerësim i punës së tyre, për thjeshtësinë, sjelljen e kulturuar dhe për t’u hapur sytë fëmijëve. Interesante është që për vite me radhë jo pak mësues jetuan dhe punuan familjarisht, si çiftet e mësuesve: Sulejman e Dafina Haxhihasani, Eqerem e Vjollca Isai, Pandi e Marica Strati, Albert e Myzejen Palloi, Pëllumb e Marjana Dedja, etj, duke lënë gjurmë të pashlyera në mendjen e sulovarëve. Jo pak prej tyre ruajnë çaste të bukura, por edhe vështirësi, si jehona në thellësi të shpirtit, të cilat, i kanë shoqëruar gjatë gjithë viteve të jetës. Në secilin prej tyre shikoje të materializuar përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e mjaft cilësi të humanizmit, që sot kujtohen me një lloj respekti të veçantë nga banorët e Sulovës. Pa harruar të shkruajmë, se edhe për shkak të karakterit të ftohtë apo edhe disnivelit kulturor të banorëve, një pjesë qëndruan larg miqësisë dhe virtyteve. Ndoshta, të demoralizuar nga që nuk e kishin pritur mirë emërimin në Sulovë, por e përgjithshmja është se shumica e tyre e ndjenin veten të lidhur me shkollën, nxënësit, banorët…

Nuk harrohen vështirësitë dhe ajo punë kolosale që u bë. Natyrisht ka qenë vitaliteti me impulse të shumta, i cili ishte i domosdoshëm për të përballuar mundin e vështirësitë e krijuara në vitet më të mira të jetës së tyre. Në shkollën e mesme të Mollasit punuan vite me radhë një grup profesionistësh të zotë, që më vonë u bënë profesorë në Institutin e Lartë “Aleksandër Xhuvani”, sot Universiteti i Elbasanit, si Arben Haxhiymeri, Abedin Stringa, por edhe profesionistë të tjerë në gazetari e institucione shtetërore, si Sulejman Haxhihasani, Pëllumb Dedja, etj. Niveli i lartë teorik dhe pedagogjik ishte i lavdërueshëm në përgatitjen e brezave. Nxënësit të zellshëm edhe pse të veshur e mbathur keq, nuk mungonin, në mësim edhe pse bënin përditë mbi 10 kilometra rrugë më këmbë. Mësuesit elbasanas ishin krenarë kur nxënësit e tyre vijonin formimin në shkollat e larta me rezultate të shkëlqyera.

Sot në shkollat 9- vjeçare të Linasit, Selitës, Selvijasit, Floqit dhe të mesmes në Mollas të Sulovës së Poshtme vazhdojnë të tjerë mësues elbasanas, të cilët ecin në gjurmët e traditës së mirë, si misionarë të dijes. Përherë për këtë kontribut mbetet diçka pa u thënë e pa u shkruar. Puna e heshtur e mësuesve elbasanas e bën të vështirë këtë kronikë jetësore të kësaj armate. Në një ditë të shënuar si 7- Marsi ata formojnë lulen më të freskët të mirënjohjes.

Burimi: Gazeta Dita