Liljana Mero Konomi

Plot 50 vjet më parë do të titulloheshin 70 oficere, pas dy vitesh përgatitjeje në shkollën e bashkuar të oficerave “Enver Hoxha”. Ky jubilar përkon edhe me Jubilarin e madh të 75 vjetorin e Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Nga 70 kursantet 43 i kishin patur prindërit partizanë, madje,disa prej tyre, edhe të dy prindërit, që ishte një vlerë e shtuar dhe motivim për të përmbushur me sukses synimin për t’u bërë Oficere.

Pas Luftë Nacionalçlirimtare shumë partizane do të mbeteshin në radhët e Ushtrisë. Në periudhën kur ushtria do të kalonte në kushtet e reja ato të kazermës, as shoqëria dhe për rrjedhojë as femra shqiptare nuk ishin të përgatitura për të vazhduar karrierën e ushtarakes. Ndaj në vitin 1967 do të merrte udhë përpjekja për të përgatitur oficeret e para.

Pikërisht këto janë subjekti interesant i Librit, me autore Lida Grazhdani Rapo “Pesha dhe bukuria e uniformës” si një përpjekje e suksesshme për të treguar rrugëtimin e vajzave shqiptare për t`u përgatitur si ushtarake. Autorja e librit, një jetë të tërë ka shkruar, ka ruajtur kujtimet e kësaj periudhe, madje, edhe botuar në shtypin ushtarak të Kohës. Libri është përshkrim i ndjerë me art i përjetimeve edhe në formë letrare të asaj që Lida dhe të gjitha shoqet e saj kanë në 2 vitet e Shkollës e, më pas, edhe në shumë e shumë vite të tjera të shërbimit  të tyre në Forcat e Armatosura të Republikës.

Lexuesi, sa e hap librin, kthehet 50 vjet më parë për të kujtuar atë kohë. Në faqet e tij ndjen Peshën e kohës, ndjen Bukurinë e uniformës ushtarake, si dhe tërë peshën e shoqërisë dhe ushtrisë së asaj periudhe historike që autorja, na e përshkruan me përgjegjësinë e krijueses, studiueses, hulumtueses deri në detaje, shpesh artistike, sepse të tilla trajtime gjenden në libër; me emocionet drithëruese të një protagonisteje. Dhe jo vetëm kaq, autorja e përshkruan me dëshirën e vullnetin për të mos i mbajtur për vete.

Që në hyrje autorja nxiton të tregojë se si i lindi ideja për të shkruar një libër të tillë, si ua parashtroi edhe shoqeve të veta:

“Pas viteve ’90, shoqet e kursit 1967- 1969 të shkollës së Bashkuar të oficerave, pra të kursit të parë të grave ushtarake e kishin mbyllur karrierën në ushtri dhe një e nga një po mblidheshin nga rrethet në Tiranë, sigurisht, ato të cilat nuk e kishin marrë rrugën e emigracionit që disa vite më parë. Ne filluam ta takonim njëra-tjetrën, herë pas here, dhe më vonë caktuam të dielën e parë të muajit si ditë takimi . Pinim së bashku kafen e mbasdites, bisedonim, kujtonim aq shumë gjëra, festonim bashkë ditëlindje, gëzime familjare, 7-8 Marsin, Vitin e Ri, ndodheshim pranë njëra-tjetrës edhe në raste hidhërimesh. Shkonim së bashku edhe jashtë Tiranës, (si në Vlorë për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në Prizëren në ditën historike të Lidhjes së tij) në Durrës, Apoloni, Shkodër, Karpen të Kavajës. Sa mirë ndjeheshim.”

Dhe më poshtë, me të drejtë shtron pyetjen: “Ç’ishte ajo gjë e bukur dhe e fortë që na bënte të ndjenim nevojën e pranisë së njëra-tjetrës, të mos na mbaronin fjalët, kujtimet dhe sidomos dëshira për të qënë pranë?” Dhe ja, përgjigja e vetme që mund të jepet, po prej saj: “Ndoshta prania e shoqeve, tani në kushte krejt të ndryshme, më nxiti mendimin se për to duhet shkrojtur”.

Kjo përgjigje, nuk mund të komentohet, nëse do lexohet personalisht libri, sepse do të bindeni që në faqet e para të tij. Një nga veçantitë e veprës dhe, në të njëjtën kohë, meritë për autoren është se jo vetëm mundi ta kuptojë atë që kemi të bëjmë me një grup social të veçantë dhe të spikatur, por dhe për ta lënë në kujtesën historike për Ushtrinë dhe Shoqërinë shqiptare.

Ja si shprehet me të drejtë në vlerësimin e tij për librin z. Pajtim Ribaj:  “… ky komunitet brilant grash testoi dhe promovoi vlera të spikatura në një profesion tradicionalisht domen të burrave, si pjesëtare të Forcave të Armatosura në rolin e oficeres aktive.” Dhe ky Libër është provë për këtë përcaktim vlerësues.

Tjetër veçanti e librit është se që në faqet e para të leximit bindesh emocionohesh, sepse e ndjen që nuk je vetëm lexuese dhe kjo nuk është thjesht emocionale. Është prekës dhe i argumentuar në çdo faqe libri konstatimi i Lidës: “Ne e pranuam njëra-tjetrën ashtu siç ishim, me të gjitha ndryshimet dhe u lidhëm në mënyrën më të bukur, siç lidhen vetëm ato që kanë kaluar së bashku vështirësitë”.

Libri provon se Futja e femrës në ushtri është një element i ri i emancipimit për shoqërinë shqiptare dhe për Ushtrinë. Dhe e përforcon këtë duke e ballafaquar edhe me eksperiencën botërore kur hedh “Një vështrim të shkurtër mbi përfshirjen e femrave në Forcat e armatosura të vendeve evropiane dhe SHBA-ve”.

Në të gjitha faqet ka shkrime e foto, kujtime e përjetime, reflektime, përsiatje sociale deri te Notat muzikore të tingujve të burisë.

Nuk mund të mungonin Biografi – Portretet e të shtatëdhjetave, si kursante dhe oficere. Një album i vërtetë. Përpara syve të kalojnë të shtatëdhjeta si në një ceremoni parakalimi, të ardhura nga çdo cep i Shqipërisë, qytet e fshat, me shkollim të ndryshëm, nga mjedise me mentalitete shoqërore të ndryshme, në karaktere, në cilësi, në tipare njerëzore, në talente e qëllime në jetë.

Por me të përbashkëtën në këmbëngulje e vullnet për të bërë më të mirën në jetë: për veten, familjen, shoqërinë dhe ushtrinë. “Sipas rregulloreve”.

Pjesë e librit nën titujt kuptimplotë “Karatët e vullnetarizmit” dhe “Emëruesi i përbashkët i motivimit” janë tjetër pohim për tërë kontributin e mëvonshëm të grave në Ushtri. Ishte zgjedhja e drejtë dhe e vetë protoganisteve të këtij libri për tërë arritjet e tyre në jetë.

Nga Shkolla e Bashkuar siç thuhej shkurt atëherë, do të niste rruga e integrimit në Forcat e Armatosura.

Hapi i parë do të ishte përgatitja politike-ushtarake-dy vjeçare. Kjo periudhë zë një të katërtën e librit. Me shumë të drejtë, sepse Ato ishin vitet e provës, ndaj dhe u jep kaq vend e rëndësi. “Fillim i mbarë gjysma e punës”, thotë një fjalë e urtë popullore.

U bënë oficere edhe nga “Shembulli i shkëlqyer i oficerëve komanduesë edhe mësimdhënës”. Ndaj me shumë mirënjohje, autorja ka përshkruar kujtimet e saj të shumta.

Në takimet e zakonshme dhe periodike me shoqet, Lida, herëpasherë do t`u jepte atyre ndonjë detaj nga puna për Librin. Por tregohej e matur sepse, siç thoshte “dua t’i lë surpriza”, “të lexohet në Libër”. Por, kur vinte në takimin tjetër nuk mund ta mbante dot këtë të fshehtë dhe e zbulonte. Kështu ndodh dhe me atë që përshkruan në pjesën e librit me titull “Tutela e bronxët”. Bëhet fjalë për tingujt e borisë: Sinjali i Zgjimit &  Sinjali i Alarmit  &  Sinjal i i Stërvitjes ai  dhe i mësimit & Sinjali i ushqimit e të tjerë e të tjerë.

Por : Ç’mendonin kolegët e tyre dhe të tjerë për to? Si u vlerësua prania dhe shërbimi i grave në Ushtri? Dhe për t`iu përgjigjur këtyre pyetjeve jepen pjesë nga shkrime të ndryshme të shtypit ushtarak të kohës, por jo vetëm.

Sythi i librit për familjet me të dy prindërit ushtarakë është më njerëzori, më emocionuesi e befasuesi për secilën. Edhe aty del karakteristika e përbashkët e këtij grupi social.

Sigurisht në libër janë në radhë të parë kujtimet, shënimet, reflektimet, kërkimet në shtypin e kohës, në arkivat e ndryshme der tek fotua me pamje nga lart e kompleksit të Shkollës. Është një punë e jashtëzakonshme, këmbëngulëse dhe me durim që Lida mundi ta realizonte me sukses.

Për librin janë shfrytëzuar me mjeshtëri edhe kujtimet nga ditaret e shumë shoqeve të mbajtura në ato vite, si edhe përgjigjet e një pyetësori me 43 pyetje drejtuar 70 kursanteve që studiuan në vitet 1967-1969. Ja njëra prej pyetjeve: “Në rast se do të viheshit përsëri para mundësisë për të zgjedhur profesionin”, pra karrierën ushtarake?.

Nga 57 të anketuara 44 prej tyre i janë përgjigjur pozitivisht: “Po! Do ta rizgjidhnim profesionin e OFICERES! Jam njëra prej tyre!

Tiranë, 28 maj 2019

Burimi: GazetaDita.al