Gjimnazi i Laçit

Kanë kaluar shumë vite dhe kujtimet i kam të freskëta ashtu si në ato vite dhe në ato ditë të bukura të viteve ’70. Jo për nostalgji por me të vërtetë kanë qenë ditë të vrullshme, ditë rinore, të veçanta dhe të vështira deri në vetëmohim.

Unë jam matura e dytë e këtij gjimnazi, pas maturës së parë ku mësuan Alqi Lango, nxënës i shkëlqyer dhe futbollist i ekipit simpatik të futbollit të qytetit tonë industrial të atëhershëm, Izolta Katuçi që nuk dallohej nga çunat, Ana Ballta që imitonte babain e saj, Nestin mësues historie në gjimnaz, Agim Doda që u bë një regjisor i talentuar e shumë të tjerë.Në klasën time mësonim së bashku me Xhemal Xhafën që vinte nga Thumana dhe ishte nxënës i shkëlqyer që më vonë u bë mësues fizike i po këtij gjimnazi, Fran Selalën që matematikën e kishte lëndën e tij, Drita Kishtën që ishte një nga vajzat më të mira në matematikë por që studioi për histori, Zef Dukagjinin që udhëtonte me biçikletë nga Adriatiku dhe që ma mësoi edhe mua biçikletën, e unë për “mirënjohje” ia prisha disa herë duke u rrëzuar shumë herë e duke u bërë copë për vete. Zefi ishte kampion i garave të çiklizmit kur i zhvillonim asokohe.

Ai studioi për ekonomi dhe tani drejton Telekomin. Astrit Zorba ishte muzikant i lindur. Flokë kaçurreli sikur kishte lindur së bashku me fizarmonikën. Mbrëmjet e bukura të vallëzimit ishin dhuratë e tij e vëllezërve të tij, iniciativë e Parashqevisë, Vitores, Shpresës dhe e të gjitha shoqeve tona të mira. Unë vija nga Dibra dhe banoja tek xhaxhai dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se isha nxënës shumë i mirë në mësime dhe me vullnet të madh, por gjeta tek çunat e Laçit një ngrohtësi të jashtëzakonshme. Ne ishim njerëz të varfër ekonomikisht por shumë të bashkuar e të dashur me njëri tjetrin. Edhe sot unë i kam lidhjet me shokët e mi gjimnazistë, me Zefin, me Fran Nezhën e Gjok Rabelin, Pashk Kolën, Pashk Syziun, Isuf Gjonin, Nikolin Gjeloshin, Jak Smaçin, Xhemal Xhafën, Ndue Prekën, Ali Laçin, Rrok Pëllumbin, Osman Alushin, Selman Mihanën, Petrit Bushin, Gazmend Tagën, Preng Doçin, Nikoll Vatën, Skënder Mustafain etj.

Një homazh të veçantë për Simon Ricën, djalin më të mirë të klasës, të qeshur dhe të shoqërueshëm me të gjithë. Simoni pas studimeve të larta arriti deri në drejtor i uzinës së superfosfatit të Laçit.
Mësuesi i matematikës Gjergj Klimi nga Tirana më vonë u bë pedagogu im edhe në Shkollën e Lartë Ushtarake. Asllan Bami është, jo vetëm mësuesi im i letërsisë, por edhe nxitësi im në fushën e letërsisë. I paharruar mbetet Sofoja, Sofokli Rrapi, mësuesi i fizikës që mundohej të ta fuste mësimin në tru që në klasë, se Sofoja e dinte se ne udhëtonim me orë të tëra për të ardhur në shkollë, nga Gurrëzi, Fushë Kuqja, Zejmeni, Miloti, Thumana, Mamurrasi, Gjormi etj. Ai u martua me Zanën, shoqen tonë të klasës, por pas mbarimit të gjimnazit.

Ne e kuptonin dashurinë e tyre, por Sofoja ishte nga ata njerëz që i kishte të shenjta parimet e marrëdhënieve midis njerëzve.Ne ishim “Matura 72” , ne ishim rinia e vështirë por dhe e zonja e atyre viteve që dinte ta sfidonte kohën, që në zboret ushtarake të Patokut dhe Tales bënim mbrëmje vallëzimi me muzikën e stacionit të dytë të Radio Tiranës të ditës së mërkurë e të shtunë, që këndonim e kërcenim “Mami Blu” e “Jezahel”, që ndiqnim Festivalin e San Remos e pëlqenim Adriano Çelentanon, Toto Kotunjon, Sherif Merdanin e Françesk Radin. Kishte inxhinierë të talentuar kimistë e metalurgë, inxhinierë ndërtimi e ushtarakë të përgatitur që rrezatonin dije, kulturë dhe diktonin kërkesa të reja për jetën, kërkesa këto, që binin ndesh me regjimin e kohës. Ne të rinjtë gjimnazistë mbanim lidhje më këtë elitë intelektualësh dhe mësonim prej tyre. 

SAKIP CAMI 

Burimi: Telegraf.al