Nga Vepror Hasani

Në Korçë familja mbretërore e Zogut pritej me madhështi të patreguar

(Titulli në original: “Princeshat të priturat me lule dhe brohoritje frenetike nga gjithë populli ynë, hynë triumfalisht në Korçë)

Mijërat e njerëzve që dolën për t’Ju shfaqur homazhe Lartësive të Tyre, Princeshave Mbretërore gjatë rrugës që nga Pogradeci e gjer në Korçë, dhe mizëria a panumërt e qytetit që mbushi bulevardin e gjatë për të pritur me brohori e me entuziazëm të nxehtë motrat e mbretit t’adhuruar, një shumicë dërmonjëse që s’ishte parë në asnjë rast gjer më tani, bashkoi dje zemrat e saj në një gëzim patriotik të pashoqtë dhe e bëri atmosferën të jehonte nga thirrjet me një zë e me një shpirt.

Lartësi, mirëseardhtë në Korçë!
Toka e shenjtë e Korçës shqiptare e larë me gjakun e sa dëshmorëve të Kombit, toka ku çdo çip (cep) përmban një kujtim historik nga lu, fta e gjatë për liri, priti dje plot drithma gëzimi Princeshat Mbretërore, dhe populli nacionalisht i Korçës plakë, brohoriti dje me frenezi. Ato që dërgoi Mbreti për të çuar të falat e Tij, për t’interpretuar dashurinë e Tij këtij populli besnik e patriot.

Traditat shumëshekullore patën dje ringjalljen më të lumtur t’ëndërruar prej aq kohë nga patriotët e Korçës, shumë nga të cilët të rënë në fushën e nderit nuk arrinë ta gëzonin ditën e djeshme, nuk arrinë të shikonin me sy Princeshat Shqiptare në vizitën Zyrtare në Korçën t’onë

Po nejse, trupat e tyre mungonin, shpirtrat e tyre ishin dhe janë midis nesh të bashkuar me ne për t’Ju drejtuar përshëndetjen më të nxehtë e më të përzemërt Princeshave t’ona.
***

Që dje Korça mban në gjirin e saj Lartësitë e Tyre, Princeshat, duke i rrethuar me dashurin’ e flaktë dhe me besnikërinë e patundur të bijve të saj.
Që dje enthuziazmi ngrihet valë-valë dhe ndez zemrat e të gjithëve.
Që dje Fesa e Festave kremtohet me zjarr patriotik në Korçë.
Motrat e Mbretit t’adhuruar janë midis nesh!

Duke pritur me krahëhapur Lartësit’ e Tyre Princeshat, Korça manifestoi edhe një herë në një frenezi enthuziazmi besnikërin’ e saj t’orës së parë kundrejt Mbretit Shpëtimtar, L.M.T. Zogut, dhe e ndjeu veten të lumturuar e kryelartë që diti të bëjë detyrën e saj që në krye kundrejt Atij që po prin fatet e Kombit, kundrejt Atij që po e udhëheq me siguri drejt destinacioneve më të ndritura

Në këto momente supreme, kur enthuziazmi ka arrirë në kulm dhe kur lidhja shpirtërore midis Mbretit e Popullit qendron m’ e ngushtë se kurdoherë tjetër, një thirrje e vetme buçet an’e mbanë për të çfaqur ndjenjat e zjarrta që vlojnë në shpirtin e popullit të Korrçës
Rroftë Dinastia Kombëtare!

JASHTË QYTETIT
Sipas programit të pregatitur, Lartësit’ e Tyre Princeshat duallën gjer në triçipin (trekëndëshin) ku bashkohet rruga e Bilishtit me atë të Zvezdës në Zëmblak autoritetet e vendit dhe një komision nga populli. Atje kishte dalë edhe një shumicë e madhe populli nga fshatrat e rrethit. Lartësit’ e Tyre zbritën nga automobili për disa minuta. Ministri i Punëve të Brendshme z. Juka, Ju paraqiti (princeshave) Prefektin e Korçës dhe Kryetarin e Bashkisë. Pastaj gjithë të tjerët Ju paraqitën homazhe Lartësive të Tyre duke Ju puthur dorën. Në emër të popullit të rrethit, Lartësit’ e Tyre u përshëndetën prej mësonjësit të Progrit, kurse shumica e fshatarave dalë atje bashkë më gratë, brohoritte pa pushim. Ishte një paralajmërim i vogël i pritjes madhështore q’Ju kish pregatitur Lartësive të Tyre qyteti i Korçës

PAMJA E QYTETIT
Që shpejti tërë qyteti qe zbukuruar me flamurë e me harqe triumfi. Ndonse koha qe e shkurtër përgatitjet u kryen fare mirë e me një shpejtësi që nderon autoritetet administrative e bashkiake. Gjatë të dy bulevardeve harqet me mbishkrimet: “Mirë se na ardhtë”. “Rroftë Mbreti”, “Rroftë Familja Mbretërore”, “Populli i Korçës përshëndet me zemër të hapur Misset e Familjes Kreshnike Zog” etj i japin një ton të bukur shkëlqimi e feste qytetit. E tërë Korça është derdhur nëpër rrugë. Që nga ora 3, të dy bulevardet ngado të kalonin Lartësit’ e tyre filluan të mbusheshin dhe pas pak kohe mijërat e popullit festonjës nuk gjenin më vend për të qëndruar.

NË HYRJEN E QYTETIT
Të dy bulevardet fillojnë të mbushen, po grumbullimi më i madh është në hyrjen e qytetit në “Lëndina e Lotëve”, ku veshjet kombëtare të grupeve t’ardhur nga fshatrat japin një pamje piktoreske. Ballkonet dhe dritaret e shtëpive gjatë bulevardit Zog, si dhe kopështet e kafeneve janë të mbushur që shpejt. Që në bregun e Shëndëllisë, i cili është mbushur dhe ay, pamja është me të vërtetë madhështore. Pa asnjë pikë eksagjerimi, e gjithë Korça me burra, me gra e më fëmijë, të paktën 10-15.000 veta janë mbledhur për të parë e për të brohoritur me gëzim të përzemërt Motrat e Mbretit t’adhuruar

ORË DURIMI
Shihen një shumicë djemsh e vajzash të veshur me kostume kombëtare e me lule nëpër duar. I kanë mbledhur nëpër kopshtet e shtëpive të tyre dhe kanë dalë t’jua ofrojnë si një dhuratë modeste, por të rrjedhur (buruar) nga zemra, Princeshave tona të adhuruara. Kudo gëzimi shkëlqen në fytyrat e një turmë e panumërt festonjëse, e cila megjithatë qëndron e qetë dhe e disiplinuar, në mënyrë që me gjithë shumicën që s’qe parë kurrë gjer dje dhe me gjithë shfryrjen e një enthuziazmi, prapë rregulli u mbajt mjaft mirë
Të gjitha rrugët që mbarojnë në bulevard derdhen si lumë shumicat e mëdha të njerëzve, aq sa lagjet e tjera të Korçës mbetën për disa orë të zbrazta.

Kjo lëvizje ka filluar që më 3. Minutat kalojnë të gjata për një popull që pret me padurim. Ora vete 3.30, 4, 5… Padurimi është i madh, po me gjithatë asnjëri nuk lëviz nga vendi. Përkundrazi turma sa vete po shtohet. Banda e Bashkisë nga koha në kohë ekzekuton ndonjë marsh dhe i jep një distraksion të vogël shumicës enorme që ka mbuluar të gjithë rrugët dhe të gjitha sheshet aty në hyrje të qytetit.

PO VIJNË! PO VIJNË!
Më në fund, pikërisht në orën 5.37 minuta vargu i gjatë i automobilave duket përpara kazermave. Deti njerëzor lëviz si një trup i vetëm valët e tij dhe nga çdo anë dëgjohen thirrjet: “Po vijnë!”, “Po vijnë!” Kambana e Shëndëllisë tingëllon papandehur dhe me një herë pastaj tingëllimi i saj gazmor shoqërohet prej buçimit të kambanave të kishave të tjera të qytetit. Zemrat dridhen dhe sytë mbërthehen në xhadenë e kazermës. Vargu i automobilave të pritura me aq padurim më në fund afrohet. Pas dy minutash Lartësitë e Tyre Princeshat arrijnë përpara Harkut të Triumfit. Një hovacion i gjatë, i fortë, tronditës, i njëzëshëm nga një zemër e nga një shpirt i vetëm del nga mijëra kraharorë dhe bashkohet në një thirrje formidable e të pafundme: “Rroftë Mbreti!”, “Rrofshin Princeshat!”. Populli i Korçës përshëndet Motrat e Mbretit. Për disa minuta me radhë atmosfera gjëmon nga britma madhështore e një populli të tërë.

PRINCESHAT NË MES TË POPULLIT
Dhe kur Lartësit, e Tyre Mbretërore Princeshat zbresin nga automobili përpara Harkut të “Lëndinës së Lotëve” enthusiazmi i popullit të Korçës kthehet në një frenezi të vërtetë e të papërshkrueshme. Brohoritjet tundin atmosferën, duartrokitjet shpërthejnë në një potere pa mbarim, kapelat tunden në erë, duart ngrihen dhe lëvizin përpjetë. Princeshat tona, qartazi të mallëngjyera nga kjo pritje rrëmbenjëse dhe nga çfaqjet e ndjenjave të besnikërisë t’adhurimit dhe t’enthuiazmit të zjarrtë të Korçës, Ju përgjigjën me përshëndetje gracioze brohoritjeve të pafundme të popullit. Përshëndetjet e Tyre elektrizojnë në shkallën më të lartë turmën e enthuziasmuar dhe brohorimet vazhdojnë e ngrihen përherë më lart

PËRSHËNDETJA ZYRTARE E KORÇËS
Më në fund bëhet e mundur që Kryetari i Bashkisë t’Ju drejtojë Lartësive të Tyre përshëndetjen zyrtare të Korçës me këto fjalë: “Lartësi, çdo fjalë që t’Ju them nuk do të ketë kurrë fuqinë që të shprehë ato ndjenja që zemra ime dhe ajo e qytetarëve të mij ushqejnë për Ju. Grumbullimi spontan i popullit korçar këtu është një dëshmi e gjallë e dashurisë që ka ndaj L.M.T., Mbretit tonë August dhe ndaj Familjes Mbretërore.

Lartësi, populli i Korçës me kohë ish informuar se Lartësia Juaj kish shfaqur dëshirë për të vizituar qytetin e tyre dhe prandaj që prej kohe Ju priste me padurim. Telegrami lajmërues i ardhjes së Lartësisë Tuaj na dha tronditjen gazmore të dëshiruar. Si të mos gëzohet populli shqiptar kur e vizitoni Ju Lartësi. Ky popull sheh tek Ju idhullin e bashkimit kombëtar, të fuqisë kombëtare. Jeni Motrat e Atij që bëri fiset komb dhe kombin e bëri shtet.

Populli i Korçar, të cilin kam nderin ta kryesonj, veçanërisht shikon te Lartësia Juaj burimin e gjithë energjive përparimtare dhe qytetëronjëse të Kombit.
Prandaj ky popull vetë, dhe unë kryetar i tij, ju kemi dalë përpara me zemër të hapur që T’ju themi:

Mirë se na urdhëruat!
Rroftë Mbreti!
Rroftë Familja Mbretërore!
Rroftë Shqipëria!

Fjalët e fundit të kryetarit të Bashkisë u pritnë me një çkrehje të re brohorimesh frenetike e duartrokitjesh të pareshtura. Me një herë pastaj Banda ekzekutoi Himnin Mbretëror të mbuluar e të përciellë me hovacionet e mijëra kraharorëve.

TRIUMFI BRENDA NË QYTET
Që këtu, sipas programit zyrtar, Lartësitë e Tyre duhej të shkonin me automobil gjer në shtëpinë e Kosturit, po një gjë e tillë pothua është e pamundur. Dhe nga ana tjetër, populli kërkon të shohë mirë Princeshat e tij. Është një dëshirë e zjarrtë dhe imperioze. Lidhja aq ngushtë me popullin në ato momente të paharruara, kuptojnë shpejt dëshirën e Korçës së mbledhur me dashuri rreth tyre dhe nisen më këmbë me gjithë që distanca gjer në rezidencën e Tyre është e gjatë

Dhe atëherë hyrja e Tyre në qytet bëhet një ecje triumfale. Në të dyja anët e bulevardit të gjerë brohorimet e nxehta dhe duartrokitjet e pareshtura arrijnë qiellin. Fjalët janë të zbehta e të varfëra për të përshkruar kalimin triumfal të Princeshave tona nëpër bulevard në zemrën e Korçës. Gjatë gjithë kalimit përshëndeten me hedhje lulesh nga ballkonet e nga dritaret. Në tërë vazhdimin e rrugës vajza të vogla dalin dhe Ju ofrojnë buqeta lulesh.

Lartësia e Tyre, të shoqëruara nga Ministri i Punëve të Brendshme z. Musa Juka, nga një suite nga duartrokitjet nga gjithë autoritetet si dhe nga gjithë populli që mbetet prapa e që mbulon si një det i vërtetë njerëzor bulevardin, buzëqeshin me ëmbëlsi duke u kthyer nga të gjitha anët. Fytyrat e Tyre qeshnin të lumtura dhe u përgjigjen pa pushim brohorimeve duke përshëndetur kombëtarisht

Këto momente që kaluan si në ëndërr për Korçën, janë me të vërtetë të paharruara dhe do të kalojnë në legjendat popullore.

NË REZIDENCËN E PRINCESHAVE
Kështu të rrethuara me adhurimin e një populli të tërë dhe të aklamuara frenetikisht Lartësitë e tyre arrijnë në rezidencën e pregatitur. Po mijërat e panumërta që kanë mbushur gjithë sheshin dhe gjithë bulevardin e gjerë të Shën gjergjit, qëndrojnë aty nuk pranojnë në asnjë mënyrë të largohen dhe shpërthejnë në brohorime të reja enthusiastike. Kërkojnë medoemos t’i shohin prapë motrat e adhuruara të Mbretit. Lartësit’ e Tyre dalin atëherë në ballkon dhe përshëndetin, kurse enthuziazmi popullor arrin në kufijt e një deliri të vërtetë.

MANIFESTIMI I DJALËRISË
Më ora 8 të mbrëmjes, gjithë shkollat dhe populli u mblodhë përpara banesës së lartësive të Tyre duke manifestuar. Lartësitë e Tyre përshëndetnë popullin nga ballkoni, profesori Aleko Tashko mbajti në emër të popullit dhe rinisë këtë fjalim:

“ Lartësi! Në emër të popullit të Korçës, të veteranëve, të rinisë korçare kam nderin dhe lumturinë t’ju uroj Lartësive Tuaja mirëseardhjen në këtë qytet. Korça e cila ka qenë gjithmonë vatra e idesë kombëtare dhe e cila ka qendruar kurdoherë besnike e Ligjeve Shtetnore, që ka ujitur fushat me gjakun e dëshmorëve, që ruan edhe sot flakën e atdhesisë, e quan këtë vizitë të Lartësive Tuaja si një shpërblim të mundimeve që vojti për lirinë e Shqipërisë dhe të besnikërisë ndaj Mbretit t’onë August dhe të Familjes Mbretërore

Sot zemra e popullit rreh me zemrën e shqiptarve të qëmoçëm. Sot Korça me mirënjohje të thellë falenderon Sovranin dhe shikon në fytyrat e Lartësive Mbretërore, Bujareshat e të më së parës Familje në Shqipëri, fytyrën e Mbretit t’onë të dashur. Vizita e lartësive Tuaja në qytetet e Shqipërisë është një dëshmi e qartë e dashurisë së thellë që Lartmadhënia e Tij Mbreti dhe Familja Mbretërore ushqejnë për popullin dhe do të ketë për efekt forcimin edhe më shumë të besnkërisë ndaj Fronit Mbretëror.

I gatuar pra me të tilla ndjenja ky popull, burra dhe gra, pleq e të rinj, punëtorë të mendjes dhe punëtorë të krahut, të gjithë së bashku me një zë, të enthuziasmuar nga prania e Lartmadhërive të Tuaja brohorit:

Rroftë Mbreti!
Rroftë familja Mbretërore!
Rroftë Shqipëria

Fjalimi u prit me brohoritje për Mbretin, Familjen Mbretërore dhe atdheun. Atëherë ministri i Punëve të Brendshme z. Musa Juka mbajti që nga ballkoni duke shprehur fjalët e Lartësisë së saj Princeshës Mbretëroe këtë fjalim: