Duhet të jetë një dhimbje shumë e madhe kur nga jeta ndahet mësuesi i parë me të cilin lidhet një rrugë e gjatë që pason, një pasion që zbulohet bashkë me të dhe ëndrrat e para të fëmijërisë.

I tillë është edhe ky mesazh që violinistja Orieta Dado ka ndarë sot me miqtë e saj në rrjetet sociale mbi përjetimin për ndarjen nga jeta të mësueses Fatbardha Denizi.

Ja si shkruan ajo:

Një kujtim i paharruar me mësuesen time të parë: Zysh Bardha ishte figurë themelore në jetën time, si violiniste, dhe si njeri. Pedagogjjia e saj është ndër xhevahiret e fundit te shkolles se një artisti të vertetë- serioze, e tërthortë, e thellë, e vertetë…ku qëllimi dhe fokusi i vetem është muzika dhe ndërgjegjësia e artistit që e interpreton. Si njeri ajo ishte Nënë e të gjithë nxënësve të saj, jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj suksesit tonë, dhe jashtëzakonisht e drejtë në gjykim: nuk kompromentonte kurrë cilësinë e ideve intelektuale apo artistike per hir te “muhabetit”.

Personalisht, të gjitha veprat që ajo më mësoi jane skulpturuar perjetë në mendjen time, dhe mbeten edhe sot ndër më të suksesshmet kur i luaj. Mund të them, me bindje të thelle, se nga gjithë përvoja ime me pedagogë, mentorë, artistë te nivelit më të lartë zysh Bardha mbetet ndër më të shtrenjtat. Do ngelet një peng i madh që nuk arrita t’ja thoja vetë.

/Orieta Dado/

Burimi: APUSALB.COM