Për Nefailin, ndoshta, qe rastësi. Ndoshta… E deshi teatrin që në fëmijëri. Ashtu i vogël (miturak), me pantallona të shkurtëra, shkonte te teatri i vjetër, aty pranë shkollës “11 Janari”. Sikur e ftonte një magji. Për portierin, tashmë, ishte bërë i njohur. Sa e shihte “amatorin” e rregullt, e fuste brenda, pa biletë. Nuk e mëshironte, vogëlushi e meritonte. Zinte një qoshe, jo si Luli i Vocërr dhe, ndiqte me interes dhe kurreshtje fëmijërore shfaqjet. Kishte mbetur i mahnitur nga “Shtrëngata”, “Tirani i Padovës”, “Nëna, etj. E ruante këtë dashuri për teatrin, si një thesar i çmuar. Nuk e ndërronte me asgjë në botë, sepse, ajo, fëmijëria e tij, ia kishte ofruar e para. Ndoshta… në fillim si një përrallë lodërtare, ndërsa më pas do të bëhej e vërtetë ‘ëndrra magjike’.

Vitet kalojnë. Kalendari shënon vitin 1958. Fillon si balerin amator në Shtëpinë e Kulturës së qytetit të tij të lindjes, Shkodër. Do të jetë në moshën 18-vjeçare. Mesa duket baleti do të ishte “parathënia” e jetës së tij artistike. Në vitin 1964 aktivizohet si aktor amator në klubin e Artizanat-Veshmbathjes, një klub me traditë e emër në jetën artistike të qytetit të Shkodrës. Këtu u njoh me regjisoren Violeta Sekuj. Më pas, pas 5 vjetësh, në prill të vitit 1969 hyn në teatrin “Migjeni”. Tashmë ishte 29 vjeç. Ajo ëndërr e dikurshme që ia fali Fëmijëria, tani iu bë realitet. Ëndrra nuk ishte më ëndërr për aktorin, tashmë, profesionist Nefail Piraniqi.

( E kujtoj hyrjen e Nefailit në teatër. Përkonte me një orientim të Partisë e të pushtetit të atëhershëm: më të talentuarit, më të shquarit që dalloheshin në lëvizjet artistike të grupeve amatore, patjetër që do të ecnin përpara. Dhe… i buzëqeshi, si shumë të tjerëve dhe Nefailit, ky shans. Po vinte nga klasa punëtore. E kam njohur nga afër. Me një shpirt delikat e poetik. Me një botë të brendshme plot ngjyra. Po, me plot ngjyra edhe fytyra e tij prej aktori. Veçanërisht shquhej për ekspresivitetin. E njoha, se një ditë u bë bashkëpunëtori im në emisionet artistike e teatrore të radio Shkodrës. E njoha më nga afër se, në të shumtën e rasteve përkonin oraret dhe një copëz rruge e bënim bashkë për në shtëpi. Jetonim të dy në një lagje: Perash. E kujtoj Nefailin… që shpirti dhe fytyra të falnin veç buzëqeshje!..)

Me të vënë ‘këmbën’ në Teatër, mes shumë aktorëve, “ritakoi” edhe ‘Mësuesen e tij të dikurshme’ Violeta Sekujn. Tani ishte zëri i skenës teatrore që e thërriste. Me intepretimin e tij, la një trashëgimi me mbi 70 role, si: “Cuca e maleve” me rolin e Prengës, “Çifti i lumtur” me rolin djalit të fanatikut, “Fytyra e dytë” me rolin e xha Halilit, “Nora” me figurën e Hamzait”, “Një burrë skarco me rolin e Thomait, “Shpartallimi” me rolin e Ujkut, “Çmurosja” me rolin e Koristit, “Djem të mbarë” me rolin e Ilirit, “Fati i tersit” me rolin e Kikut, “Flamur në dasëm” me rolin e Milanit, “Franku i V-të” me rolin e Presidentit, “Fundi i një komedie” me rolin e Kasemit, “Zekthi” me rolin e lypsarit, “Gjaku i Arbrit” me rolin e rojes, “Krisma mbi dekor” me rolin e Lekës, “Kur flasin zemrat” me rolin e Tomës, “Luani i shtëpisë” me rolin e Bushit, “Njerëz mbi urë” me rolin e Lames, “Rozafa” me rolin e njërit prej Anëtarëve të Këshillit të Pleqve, “Rrënjët e dashurisë” me rolin e Ramës, “Rrënjët e hekurta” me rolin e Zefit, “Sinjalet e natës” me rolin e Petritit, “Shtegtim nëpër ankth” me rolin e kryepunëtorit, “Talent i rrallë” me rolin e Klitit, “Toka jonë” me rolin e Metit, “Viti ‘61” me rolin e banakierit, etj., etj.

Edhe zëri i Kinematografisë e njohu zërin e Nefailit, ku la një arkivë prej 13 filmash artistikë, kryesisht role të dyta; si: “Ditët që sollën pranverën”, film TV, 1979, me rolin e Pjetrit; “Një natë pa dritë”, 1981, me rolin e xhandarit; “Qortimet e vjeshtës”, 1982, me rolin e Inspektorit; “Flaka e maleve”, 1982, me rolin e Konsullit të Malit të Zi; “Besa e kuqe”, 1982, me rolin e Bib Ndout, “Ura dhe Kështjella”, 1984, me rolin e Aliut; “Militanti”, 1984, me rolin e Drejtorit; “Koha nuk pret”, 1984, me rolin e Shaqir agës; “Të paftuarit”, 1985, me rolin e Ndreut, hanxhiu; “Vrasje në gjueti”, 1987, me rolin e shoferit, si dhe në dokumentarët: “Trojet tona” me rolin e Tafës, “Isa Boletini” me rolin e Nerusit, ambasadorit Turk, etj. Përveç punës së tij si aktor, ai ka shkruar artikuj mbi artin në gazeta të ndryshme, si: “Jeta e re”, “Puna”, “Zëri i popullit”, “Ushtima e maleve”, “Cukali”, “Kukësi i ri” dhe “Humori shkodran”.

Në filmat artistikë, vërtetë Nefaili nuk ka luajtur role kryesore, por ka luajtur role karakteresh, që kanë qenë të spikatur e të pikturuar me të gjitha ngjyrat. Mbaj mend hanxhiun te “Të paftuarit”, Aliun te “Ura dhe Kështjella”, Zefin te “Nata pa hënë”, shoferin te “Vrasje në gjueti”, inspektorin te “Qortimet e vjeshtës”, etj. Po përmend edhe disa interpretime në filmat artistikë të Televizionit, si Shaqiri te “Koha nuk pret…”, Konsulli te “Flaka e maleve”, Pjetri te “Ditët që sollën pranverën, etj. Në këtë të fundit dua të ndalem. Them pa frikë që është një realizim nga më të bukurit në historinë e kinematografisë shqiptare. Ka një arritje me përmasa të tilla, sa cilido aktor që do të merrte një ndërmarrje të tillë, do të dështonte… Është një episod i papërsëritshëm, është një brerje ndërgjegjeje në shpirtin e tij, është një dhimbje për fëmijët e familjen që i ka lënë atje vetëm… Monologu psikologjik te pragu i derës, loti në faqe tek shuante mallin e familjes, zbulojnë tiparet e botës së brendshme të personazhit, nxjerrin në reliev karakterin e tij, e njëkohësisht e bëjnë të dashur për spektatorin. Forca emocionale gjen shprehjen aktoreske në komunikimin (sa afër aq dhe larg) me familjen që aq shmë e donte, dhe aq shumë e kishte dëshiruar: “…se kjo nuk asht rruga jeme, ku kam hi”. Të gjitha këto i transmetonte kaq bukur sa…

Nefaili vërtetë interpretoi në role episodike, por krijoi fytyrën e vet në film. Me këto grimca “të vogla” u shqua si aktor karakteresh…
Marre nga libri “Drita e Kujtimeve” i Xhahid Bushatit

Burimi Info: Gazeta Pjace
Foto & Video: Na ishte dikur