Rruga e Matilda Makoçit në aktrim ishte e shkurtër, por me gjurmë të thella në kinema dhe në teatër. Për aq role sa luajti, aktorja e re e viteve ‘80-‘90 krijoi menjëherë një profil të veçantë në ekranin e filmit shqiptar. Marija tregon: “Matilda u aktivizua nga Kinostudioja që atëherë quhej “Shqipëria e re”. Të gjithë e rrethuan dhe ajo sapo kishte mbaruar politeknikumin. Iu kthye në pasion. Dhe tha unë do ta lë inxhinierinë, do ta vazhdoj këtë (aktrimin), dhe unë e përkraha. I ati jo dhe aq, po sigurisht nëna është më afër. Doli me rezultate shumë të mira Matilda atëherë”.

Rruga e Matilda Makoçit në aktrim ishte e shkurtër, por me gjurmë të thella në kinema dhe në teatër. Për aq role sa luajti, aktorja e re e viteve ‘80-‘90 krijoi menjëherë një profil të veçantë në ekranin e filmit shqiptar. Me një bukuri ekzotike, me një vështrim plot zgjuarsi dhe gjeste të sofistikuara, ajo s’u harrua kurrë nga publiku edhe pse u largua nga ekrani për më shumë se 20 vjet.

Rikthimi ishte befasues në skenën artistike. Ajo bëhet protagoniste në ekspozitën “Hare+m” të piktores Natasha Bega, që u çel të shtunën e kaluar. Rikthimi i aktores ka ngjallur kërshëri të madhe në publik. Matilda aty reciton disa poezi të Natasha Begës. Të gjithë pjesëmarrësit që janë përfshirë në këtë ekspozitë e ndoqën me admirim.

Ekspozita e Begës ishte e veçantë me një skenografi dhe performancë, ku bëheshin protagonistë disa nga të ftuarit, të veshur si në një “harem” të 2 shekujve më parë. Organizmi i kësaj performancë bëhet nga piktorja Bega për arsye se ajo ka krijuar një cikël piktorik me Ali Pashë Tepelenën dhe jetën e tij. Pavarësisht punës së bukur të piktores, kush do ta kundërshtonte faktin që në qendër të vëmendjes nuk do të ishte vetë Matilda Makoçi. Kaq mall, kaq kureshtje, kjo dashuri e gëzuan Matin, siç i flasin shkurt të gjithë ata që e duan dhe adhurojnë. “Është një kënaqësi e madhe për të qenë pranë profesionit, besoj se do jetë kënaqësi edhe për të tjerët”, tha ajo para se të niste ekspozita.

Ëmbëlsia e zërit dhe e fytyrës së Matildës nuk janë zbehur, edhe pse duhet ta kujtojmë se në jetën e saj ka pasur tronditje shpirtërore dhe shëndetësore. Duket se i ka sfiduar të gjitha. Ajo kërkon të rikthehet në skenën e artit. Pyetjes nëse këtë event do ta quante një rikthim në skenën e teatrit dhe të recitimeve ajo përgjigjet se “është një vazhdim. Po të më jepej të bëja ndonjë mundësi në kushte që jam unë me kënaqësi do t’i rikthehesha”, deklaroi ajo.

Ndërsa kur i kujtojmë ëndrrën e saj të parë, që e kurorëzoi me aq zell si aktore, ajo shprehet me modesti, se nuk mund të kthehet në kinema pas kaq kohësh mungesë. “Janë nostalgji të rezauruara, emocionet janë të rezauruara”, tha shkurt Matilda. Ajo gjen rastin të vlerësojë piktoren Natasha Bega që e riktheu në një skenë artistike.

“Është një artiste e kompletuar dhe tregon nivelin e artistëve shqiptarë”. Gjatë kësaj ekspozite me një retorikë të mençur e të sinqertë Matilda Makoci i vuri pikën mbi “i” të gjitha kureshtjeve dhe pyetjeve që i drejtuam për marrëdhëniet me ish- bashkëshortin e saj, kryeministrin Edi Rama. “Më vjen mirë që më përmendët Edin. Më vjen shumë mirë që më përmendët një shok shkolle, dhe është një shok i dashur i të gjithëve. Edhe sot që është kryeministër është një njeri i afërt për të gjithë dhe gëzohem për sukseset që ka, porse djali që kemi ndihmon për të qenë një miqësi e sinqertë dhe pa shqetësime”. Marije Makoçi, nëna e Matildës, ndihet e gëzuar në këtë ditë të veçantë. Ajo rrëfen sesi nisi ëndrra e Matildës që të bëhej aktore dhe disa nga arsyet që u ndërpre në mes.

E pyes se doja që të rikthehej tek fillimet e Matildës kur nisi karrierën si aktore, duke i kujtuar se kjo është pika kulmore që ka mbetur në kujtesën e të gjithë shqiptarëve.. Marija tregon: “Matilda u aktivizua nga Kinostudioja që atëherë quhej “Shqipëria e re”. Të gjithë e rrethuan dhe ajo sapo kishte mbaruar politeknikumin. Edhe u diskutua midis nesh dhe thamë, po mirë, le të marri pjesë si e re që është. Mirëpo kjo nisi si diletante në fillim, pastaj iu kthye në pasion, dhe konkurroi dhe vazhdoi e mbaroi Institutin e Arteve. Ndërkohë kishte vazhduar xhirimet me filmat e tjerë si “Apasionata”. Ka qenë studente atëherë, vazhdonte fakultetin e arteve. Iu kthye në pasion. Dhe tha unë do ta lë inxhinierinë, do ta vazhdoj këtë (aktrimin), dhe unë e përkraha. I ati jo dhe aq, po sigurisht nëna është më afër. Doli me rezultate shumë të mira Matilda atëherë.

Ngjarjet që u zhvilluan më pas, që pati me kurorëzimin me shokun e vet dhe me lindjen e fëmijës, e shkëputën atë. E shkëputën. Po ka qenë e fortë, i përballoi të tëra, sigurisht ndihma ka qenë shumë e madhe nga ana jonë dhe ajo e përballoi dhe iu kushtua shumë fëmijës. Këto vite kanë qenë një farë qetësie. Nuk është se është aktivizuar. Ishte rasti i Natasha Begës që insistoi ta marrim, Natasha u tregua shumë e dashur, dhe doli kështu siç doli”. E pyes Marijen nëse ajo e konsideron si një rikthim. “Sigurisht dhe ajo vetë që foli me të tjerët e quajti si një rikthim, presim propozime të tjera” thotë Marija duke qeshur. Ndërsa shoqja dhe mikja e rinisë së saj, aktorja e njohur Rajmonda Bulku, nuk e harron profilin e Matilda Makoçit si aktore në fillimet e saj.

“Ne kemi qenë disa aktore në atë kohë që kemi bërë pothuajse kinemanë viteve në gjysmë të ‘70-‘80 deri ne vitet ’90, duke punuar me shume intensitet, që aty ka filma shumë të bukur, ka edhe filma mesatar. S’mund të bëjmë analizën e kësaj, por tani shikojmë që ajo punë që kemi bërë nuk ka shkuar kot, por është një histori e asaj jete që ne kemi jetuar dhe që vlen edhe për brezat që do të vijnë.”, u shpreh Bulku. E pyes Bulkun se sesi do ta karakterizonte profilin e Matildës si aktore.

“Mati ka qenë shumë e veçantë në portretin e saj, me tipare shumë të mëdha, të bukura, me një qëndrim të jashtëzakonshëm. E ecura e Matit ishte e rrallë, domethënë nuk gjen dot një vajzë shqiptare që të eci si Mati. Me një sharm të jashtëzakonshëm. Ajo kishte një përkushtim dhe ishte vajzë shumë serioze, shumë punëtore shumë impenjative. Portreti dhe sharmi i saj i mungon artit”.

Burimi: AktoretShqiptare.info