Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji.

Mesnatës së shurdhër, së errët, së shkret’
do ngjisë ai traktet kudo në qytet.

-Mesnatës ti sonte, o nënë, me zgjo!
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo.

Ai si i vdekur në gjumë ra pastaj
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj.

Shikon ajo traktet dhe lutet për të
“Fli, biri i nënës, se ora s’është një”.

Akrepi lëviz, me ngadale lëviz
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis.

Në ëndërr ai buzëqesh e po sheh,
një fushë të bukur, një qiell pa re.

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon,
në fushë të sahatit me dorë tregon.

Akoma akrepi s’ka shkuar në një,
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po fle.

Por befas në fushë u dëgjua që larg
një krismë përreth: trak a trak, trak a trak!

Dhe nëna u zhduk si ne mjegull atje,
sahati i thyer seç ra përmbi dhe.

I mbytur në djersë u zgjua ai
“O nënë”, dhe dorën e vuri në gji.

Atje trakte s’ka. “O nënë ku je?”
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re.

“O nënë!”, por nëna nuk është më përqark
diku mitralozi troket: trak a trak!

Diçka nëpër mendtë atij shpejt i erdh’
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh.

Në dor’ revolverin, në rrugën e shkret’
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet.

“O nënë, o nënë, o nënë, ku je?!”
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje.

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo,
“Ndal!” ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo!

N’agim afër pyllit, ëe an’ të një përroi
pas drurëve ai u mbështet e vajtoi.

…Që biri të flinte i qetë gjer n’agim,
mesnata për nënën s’do ketë mbarim.

– Ismail Kadare