Nertila Koka, e lindur me brezin e vitit 1966 në Tiranë, një këngëtare, mjaft e njohur shqiptare.

Kur Nertila Koka këndonte, shumë prindër u vendosën emrin e saj foshnjave femra të lindura në ato vite. Një vajzë e bukur dhe me një zë të ëmbël ajo u bë shumë shpejt një nga këngëtaret më të dashura të publikut.

Nertila e nisi karrierën e saj në moshën 17-vjeçare, moshë në të cilën arriti dhe suksesin e saj të parë. Debutimi i saj i parë në Koncertin e Pranverës, në vitin 1983 u kurorëzua me fitore duke marrë dhe çmimin e parë. Po atë vit, në Festivalin e Këngës në Radio-Televizionin shqiptar kënga që ajo këndoi me Gëzim Çelën “Çel si gonxhe dashuria” mori çmimin e parë.

Një vit më pas nuk do t’i mungonte përsëri skenave të kompeticioneve muzikore duke marrë një çmim të dytë në festivalin e pranverës.

Një nga këngët më të dashura është ajo që këndoi me David Tukiqin “Sagapo”, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur si një refren i jetës së përditshme e që shumë njerëzve u zgjon nostalgjinë e asaj kohe.

Nertila përveçse një këngëtare e talentuar dëshmoi se ishte edhe një aktore e zonja. Ajo ka luajtur në filma si “Duaje emrin tënd” apo “Telefoni i një mëngjesi”. Largimi i saj nga skena ndodhi pas viteve ’90, kur ajo për shkak të punës së bashkëshortit të saj u largua jashtë Shqipërisë, duke provuar një eksperiencë jete në vende të ndryshme, si Suedi e deri në Japoni.

Për publikun shqiptar ajo do të mbetet e njëjta vajzë simpatike që i këndonte aq ëmbël dashurisë.

Ditët e sotme këngëtarja e njohur e hitit të viteve ’80, “Dy gëzime në një ditë”, jeton prej kohësh në Suedi së bashku me familjen e saj.

Për publikun dhe dashamirësit e saj shqiptarë Nertila Koka si një ‘vlogger-e’ ushqimi, prej ku me anë një kanali të ri në ‘Youtube’, prezanton receta të ndryshme gatimi.

Pavarësisht se është larguar prej vitesh nga skena muzikore shqiptare, duket se tek Nertila nuk ka ndryshuar asgjë në pamje.

Burimi: Konica.al