“Majlinda Kelmendi, sportistja e parë nga Kosova që ka fituar medalje të artë në Lojërat Olimpike, sot përuroi statujen e saj në qytetin e lindjes.

Kelmendi është xhudiste. Ajo ka fituar medaljen e artë Olimpike në kategorinë deri në 52 kg në vitin 2016, në garat e Rio De Janeiro. Përveç kësaj, Majlinda është dy herë kampione e botës dhe dy herë kampione evropiane.

Qindra persona, përfshirë presidentin e Federatës Botërore të Judos, Marius Viser, ishin mbledhur në Pejë, 85 km në perëndim të Prishtinës, për ta parë statujen e bronzit të Kelmendit.

“Besoj se statuja do t’i motivojë fëmijët dhe do t’i bind që mund të arrijnë suksese në jetë. Unë jam nisur nga ky vend i vogël dhe kam arritur majat botërore” – u shpreh Majlinda, 28 vjeçare.

Majlinda është zgjedhur “sportistja e vitit” në tri vitet e fundit në Kosovë.

“Majlinda është inspirimi më i mirë për sportin e Kosovës – u shpreh Marius Viser, kryetari i Federatës Botërore të Xhudos. “Mund të ndiheni krenar që një nga sportistet më të mira të botës mbanë flamurin tuaj”.

IFJ gjithashtu nderoi ngjarjen në webfaqen e tyre zyrtar. “Në rrethana normale, statujat bëhen për t’i nderuar ata që nuk jetojnë më. Të kesh një statuj në kohën sa jeton është përjashtim shumë i rrallë. Majlinda Kelmendi është një nga ato përjashtimet”.

Statuja i kushtoi federatës rreth 200.000 euro (220.000 dollar), dhe u bë nga dueti artistik i New Yorkut, Gillie dhe Marc.

Burimi: Botasot.info