Artistja e madhe shqiptare, e njohur si Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha e cila u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 86-vjeçare ka lënë pas një veprimtari të pasur muzikore. Muzika ka qenë e ngjizur te Pagarusha që në vogëli, kur ajo ndoqi shkollën e muzikës për solo-kanto në Beograd.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është shumë e gjerë duke qenë e vështirë për të përcaktuar se cilit zhanër i takon.

Përveç interpretimeve të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, Pagarusha pati një karrierë të suksesshme edhe si aktore, si në film ashtu edhe në teatër.

Angazhimi i saj i parë si profesioniste nis në ‘Radio Prishtinë’, ku në vitin 1948 u pranua si soliste.

Paraqitjen e parë skenike e pati në Beograd, ndërsa karrierën muzikore e përfundoi me një koncert në Sarajevë në vitin 1984. Ajo iu rikthye edhe një herë skenës, në vitin 2000, kur interpretoi në Tiranë këngën “Për ty”. Pagarusha i shtoi edhe më tej vlerat e muzikës popullore kur interpretoi me ansamblin “Shota”.

Ndër rreth 150 këngët që ka interpretuar, mbetet e paharruar “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi dhe me tekst të Rifat Kukajt, por edhe, “Ani mori nuse”, “Zambaku i Prizrenit”, “E dehur jam” dhe shumë të tjera.

Nexhmije Pagarusha mori shumë çmime, ndër të cilat “Këngëtare e Shekullit” në Kosovë dhe Urdhrin “Nderi i Kombit”, me të cilin e dekoroi presidenti shqiptar Bujar Nishani në vitin 2012.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert!

Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty”.  Ndërsa ishte pjesë edhe e jurisë së festivalit “Kënga Magjike 2005”.  Pagarusha la një pasuri të jashtëzakonshme në arealin e muzikës popullore shqiptare, duke shkëlqyer sa në fushën e muzikës ashtu edhe atë të artit skenik.

Veprat muzikore

Disa nga këngët e saj:

“Baresha”

”Ani mori nuse”

”Mora testin”

“Kur më shkon si zog n’hava”

“Kur më del në derë”

”Ke selvitë”

“Ç’u ngrit lulja në mëngjes”

“Çil njat zemër plot kujtime”

“Dallëndyshe”

“Një lule”

“Zambaku i Prizrenit”

Interpretoi në filmat dhe shfaqjet teatrore

“Dasma e përgjakur”, (1967)

“Jugovizioni” (1973)

“Gëzuar viti i ri” (1976)

“E kafshoja terrin” (1977)

“I ikuri”. (1980)

“Tre vetë kapërcejnë malin” (1981)

“Lepuri me pesë këmbë”

“Fluturimi i Micakut”

“Daullet e të çmendurve”,

“Rexha i nënës në grazhd të kalit”

“Vr, asësit bëjnë dasmë natën” (1997)

Burimi: Fjala.al