ALMA MILE/ Marta Gastini ka pasur fatin të luajë në krah të Anthony Hopkins apo të interpretojë Giulia Farnese në një serialët më të ndjekur, “Borgia”-t, por një histori gati e pabesueshme shqiptare, e solli në Tiranë.

Aktorja italiane, fituese e shumë roleve dhe realizuese e sa e sa roleve në kinematografinë italiane, ishte pjesë e kastit në filmin “Portreti i pambaruar i Clara Bellini-t”, me regji të Namik Ajazit. Një film që tregon historinë e vërtetë të dashurisë mes një djali shqiptar dhe vajzës së një ambasadori italian në Shqipërinë e diktaturës, e destinuar të përfundojë tragjikisht. Ajo luan rolin e Ritës, së një vajze sa gazmore, aq edhe me këmbë në tokë. Edhe ajo, vajzë e një ambasadori të huaj, me mision në Shqipëri, Rita do të luajë një rol kyç në historinë mes Klarës dhe Arturit. Ashtu si personazhi që ajo interpreton, Marta është një vajzë me një portret të spikatur, që reflekton inteligjencë, karakter, me një buzëqeshje prej fëmije dhe një seriozitet gozhdues. Nuk është aspak e rastit pse Gastini e ka nisur karrierën kinematografike që në moshë fare të re…

Ka interpretuar një larmi rolesh në “Two Black Coffees” (2017), “Questi giorni” (2016), “Compulsion aka Sadie” (2016) “Autumn Lights”, (2016), “Dracula” 3D (2012), “The Rite” (2011), “Io & Marilyn” (2009), “Borgia” (Canal+, ZDF, 2011-2014), “L’uomo che cavalcava nel buio” (Rai 1, 2009), “Il bene e il male” (Rai 1, 2009). Por pavarësisht, Marta është si ajo vajza që ke njohur nga fëmijëria, me një modesti të admirueshme. Ajo pranon pa mëdyshje të flasë për eksperiencën e saj shqiptare, për përballjen me një histori dashurie gati të pabesueshme, për njohjet e reja, për dëshirën për t’u rikthyer, si edhe për disa prej roleve më të spikatura në karrierën e saj, mes të cilave në “The Rite” dhe “Borgia”.

Nga Italia, në Shqipëri… Si u bëtë pjesë e këtij projekti filmik?

Motivi kryesor që më shtyu të bëhesha pjesë e këtij projekti, ishte pikërisht historia. M’u duk shumë e bukur. Por edhe ideja e të interpretuarit të një personazhi si Rita, kaq i ndryshëm nga ato që kam realizuar deri më tani… Më bindën

Na flisni pak për rolin tuaj, për Ritën…

Rita është një vajzë diellore, inteligjente, pragmatike, e komunikueshme dhe e angazhuar. Pikërisht ajo, falë këtyre karakteristikave, do të jetë motivi i historisë së dashurisë mes Klarës dhe Arturit.

E dinit që është një histori e vërtetë?

Po, e dija që historia kishte ndodhur vërtet dhe kjo më ka goditur, veçanërisht. Nuk arrija ta kuptoja, madje edhe tani nuk arrij, se si një dashuri kaq e pafajshme mes një djali shqiptar dhe një vajze italiane mundej, në atë kohë të ndëshkohej me kaq shumë dhunë. Por më pas zbulova se jo vetëm kjo, por edhe veprime akoma më të vogla, nuk ishin të lejueshme në periudhën, në të cilën zhvillohen ngjarjet në film.

Çfarë dinit për Shqipërinë përpara se të vinit këtu?

Kisha dëgjuar që keni një det dhe një peizazh malor të mrekullueshëm.

Po për diktaturën shqiptare kishit dëgjuar diçka?

Në vija të përgjithshme diçka dija, por ka mësuar shumë më tepër përmes filmit, por edhe historive që më kanë rrëfyer njerëzit e mrekullueshëm që kam njohur në sheshxhirim.

Ç’mendoni pas kësaj përvoje?

Mendoj se Shqipëria është një vend me shumë energji, që ka dëshirë të rritet dhe që unë do të doja ta zbuloja më mirë.

Por, le të kthehemi te filmi. Si ishte të punoje me një staf gjysmë shqiptar e gjysmë italian, me regjisorin Namik Ajazi, me aktorët vendas, por edhe ata që vinin nga Italia…?

Gjatë punës me regjisorin jam ndier mirë, më ofroi besim, duke më lënë të lirë për të eksperimentuar. Më dha mbështetje, duke më treguar drejtimin e drejtë nga duhet të merrja për të realizuar rolin. Ishte bukur të punoja me Beatrice-n. Është e zonja, e zgjuar dhe e këndshme. Jemi bërë mikesha edhe në përditshmëri. Njihesha me drejtorin e fotografisë, Nino Celeste, por edhe me grimierin Giacinto Bretti, dhe isha e lumtur që i ritakova. Të rinjtë shqiptarë që kam takuar ishin njerëz të mrekullueshëm dhe aktorë të talentuar. Stafi ishte me të vërtetë shumë i sjellshëm dhe dashamirës karshi meje. Nuk kam për ta harruar asnjëherë ngrohtësinë që më kanë dhënë.

Na flisni pak për rrugëtimin tuaj artistik. Si lindi aktorja brenda jush?

Ideja për t’u bërë aktore m’u ngulit kur isha 17 vjeç dhe shkova në Paris për të bërë një kurs aktrimi për film në “NY Film Academy”. Kisha luajtur në teatër, por të flisja përpara një telekamere ma rrëmbeu zemrën. Atëherë, vendosa të marr pjesë në disa audicione dhe në moshën 18-vjeçare, sigurova rolin tim të parë.

Shumë filma, por edhe çmime, por na flisni pak për bashkëpunimin tuaj në filmin “The Rite” me Anthony Hopkins. Si ishte të punoje me të apo të ndodheshe në të njëjtin sheshxhirim?

Ka qenë një privilegj shumë i madh për mua dhe një eksperiencë profesionale dhe njerëzore shumë e çmuar. Anthony Hopkins është një zotëri i vërtetë, një aktor me një talent të jashtëzakonshëm dhe me një humor të spikatur. Roli që unë kam luajtur, Rosaria, një vajzë e pushtuar nga djalli, është një nga ata role që ne aktorët shpresojmë që të mund ta interpretojmë, të paktën një herë në jetë.

E më pas “Borgia”, një serial shumë i ndjekur edhe në Shqipëri… Si është të ndërtosh një rol si ai i Giulia Farnese-s, që vjen nga një tjetër kohë dhe një tjetër mentalitet?

Ka qenë një punë studimore rreth personazhit historik dhe të periudhës së Rilindjes Italiane. Por përpos kësaj, personazhet janë ndërtuar në një mënyrë aq të thellë në skenarin e mjeshtrit Tom Fontana (fitues i 3 “Emmy Awards”), saqë ne aktorëve, gati na duhej vetëm të besonim dhe t’ua linim veten në duar të vetë personazheve. Giulia Farnese ka qenë e dashura e Papa Borgia, kur ishte ende fare e re. Por pavarësisht moshës së re, ishte një grua me një inteligjencë të spikatur dhe me një aftësi të veçantë në politikë.

Pas Shqipërisë, për ku do të udhëtoni?

Me të mbaruar xhirimet në Shqipëri, shkova në Bari për të xhiruar një projekt për “Rai2”, që titullohet “Passeggeri Notturni”, mbështetur mbi tregimet e Gianrico Carofiglio. Projekti është shumë i veçantë dhe përveçse në ekranin e televizorit, do të shfaqet edhe në kinema. Më tej do të jem në Torino për të xhiruar një komedi shumë të bukur mbi politikën italiane, titulluar “Bentornato Presidente”, ku do të luaj në krah të Claudio Bisio dhe aktorë të tjerë shumë të mirë, italianë./Panorama