Intervistë e gazetares Julia Vrapi me valltarin Rexhep Çeliku në vitin 2014

Krijimtaria gati 45 vjeçare e valltarit të Ansamblit Kombëtar të Valleve e Këngëve Popullore Rexhep Çeliku vjen e pasqyruar në monografinë “Valltari fluturues” nga autori Dedin Suli. Libri në promovimin e tij mblodhi jo pak artistë, miq dhe kolegë të valltarit të njohur.

Nga një punëtor ndërtimi në një valltar fluturues, kjo është nisja dhe finalizimi i një jete artistike gati 45-vjeçare të artistit Rexhep Çeliku, në sytë e autorit Dedin Suli. “Valltari që për 40 vjet radhazi i dha hijeshi skenës me trupin e tij lastar, me kërcimin e tij magjepsës”, pohon mes të tjerave autori i biografisë artistike Dedin Suli.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe “Mjeshtri i Madh” i valles popullore shqiptare Besim Zekthi, i cili përcolli mesazhin për të ruajtur dhe investuar në artin dhe kulturën tonë popullore, por ata që drejtojnë duhet të kthejnë kohën nga folklori. “Medalje ari ka marrë shumë Shqipëria nga sportistë, piktorët, por gjerdan të artë nuk ka sjellë njeri nga artet veç Ansamblit në Dizhon të Francës para 30 vjetësh.

Kam një indinjatë të jashtëzakonshme kur nuk shikoj këtu njerëz që drejtojnë  këtë vend. Po pse nuk kanë kohë, po rrinë merren me përralla dhe na çmendën në televizione. Vlerësoni more këtë kulturë tuajën që ua vlerëson bota. Duhet të bëjmë thirrje që të kthejmë kokën nga folklori shqiptar, të kthejmë kokën nga pasuria që la populli dhe ta trajtojmë për të qenë në majë të botës”, pohoi gjatë këtij aktiviteti mjeshtri i valles Besim Zekthi.

Promovimi i këtij botimi erdhi dhe në kuadër të 60-vjetorit që Rexhep Çeliku festoi në muajin korrik, dhe në këtë aktivitet ai vlerëson autorin e monografisë së tij artistike. “Jam i emocionuar, edhe pse unë nuk kisha koncert, përsëri ky është një koncert shumë i madh për mua, pasi kjo ishte përmbledhja e gjithë jetës sime, duke filluar që nga adoleshenca dhe deri në ditët e sotme.

Prandaj janë rreth 45 vjet në skenë, 45 vjet emocione. Artistit nuk i ndahen emocionet deri sa të mbyll sytë. Kështu që edhe sot mund të them se ishte një emocion i madje, sepse këtu kisha të gjithë profesorët e Teatrit Kombëtar të Operas, duke filluar nga teatri, opera, orkestra nga të gjithë. Do të ngelet në kujtesën time si një emocion i veçantë”, tha Rexhep Çeliku, nderuar dhe vlerësuar me tituj mes tyre dhe titulli “Mjeshtër i Madh”.

Por ashtu si dhe mjeshtri Besim Zekthi dhe apeli i Rexhep Çelikut shkon për më shumë vëmendje ndaj Ansamblit Kombëtar. “Pengu më i madh për mua është dhe ajo që tha profesor Besim Zekthi, që të ketë një përkujdesje më të madhe sa i takon artit koreografik popullor, jo vetëm për vallen popullore por për të gjithë folklorin shqiptar, aq më tepër që duhet një vëmendje më e madhe nga shteti për Ansamblin Kombëtar, pasi është një ansambël me vlera të mëdha, por fatkeqësisht  ka zhvilluar aktivitet me jo pak probleme dhe kërkon më shumë vëmendje, investime”, pohon mes të tjerave mjeshtri i valles Rexhep Çeliku.

Nga ndërtimi në valle 

Edhe pse ka kaluar ditëlindjen e tij të 60, pasardhësi i mjeshtrit Zekthi, valltari Rexhep Çeliku e kujton me emocione momentin që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. “U detyrova që në përfundim të tetëvjeçares të hyja në punë që ti vija në ndihmë familjes. Si të gjithë fëmijët e asaj moshe, të cilët me të mbaruar shkollën punësoheshin ose në fermë ose në ndërtim, unë preferova ndërtimin, pasi dhe fizikisht isha i fuqishëm. Që prej asaj kohe jeta ime ndryshoi krejtësisht, pasi më pas ishte mjeshtri Panajot Kanaçi ai i cili zbuloi talentin tek unë”, pohon valltari i njohur Çeliku. Rexhep Çeliku, lindur me 19 korrik 1954 në Tiranë, i cili që nga viti 1976 është solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numëron në repertorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Pasioni dhe përkushtimi ndaj valles popullore, dëshira për të dhënë gjithçka, në mënyrë të përkryer dhe bukur, në raport me simbolikën dhe estetikën e saj, e bënë Rexhep Çelikun një nga më të talentuarit valltarë që ka pasur Ansambli i Valleve. Titulli “Mjeshtër i Madh” artistit popullor iu akordua nga ish Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.

E ndërsa krijimtaria artistike vijon të duartrokitet, për herë të parë për jetën e valltarit të madh Rexhep Çeliku erdhi kjo biografi mbi jetën e tij, një botim që u përgatit studiuesi Dedin Suli. 

Nga Julia Vrapi

Burimi: Sot.com.al