Në prag të Kongresit të Manastirit, për të nderuar kryetarin e kësaj ngjarjeje historike, 111 vite më vonë, Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” sjell albumin historik “Mid’hat Abdyl Frashëri”.

Photo Credit: Panorama

Fotografi, dokumente, faksimile e letra që zbulojnë momente pikante nga jeta e poliedrikut, e Frashëllinjëve të tjerë dhe rilindësve të shquar. “Në këtë album ka fotografi dhe dokumente që botohen për herë të parë, jepet gjithashtu një tablo e plotë e jetës dhe e veprimtarisë së Frashëllinjve, duke filluar nga Abdyli, Samiu dhe në vazhdim jeta dhe vepra madhore e Mid’hat Frashërit. Mid’hati vetë gjykon ngjarjet historike dhe personalitete të rëndësishme të Shqipërisë dhe botës.

Gjithashtu, albumi njeh lexuesin me përpjekjen e madhe të Mid’hatit në momente kulminante historike si Konferenca e Paqes, me kontributin e tij për Lidhjen e Kombeve, si dhe detaje të tjera nga puna, deri edhe vd, ekja e tij”, u shpreh dje historiani dhe drejtori i Institutit “Lumo Skëndo”, Uran Butka.

Dje, gjatë përurimit të albumit historik “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Albumi dedikuar shkrimtarit rrëfen edhe një pjesë më personale të jetës së tij si beqar i përjetshëm, që nuk e gëzoi jetën familjare, zgjedhje e ndikuar edhe nga angazhimi i tij me çështjen kombëtare. Letrat e dashurisë, që kryesisht janë të dërguara prej të dashurave të Mid’hatit nga Zvicra, Parisi, Bukureshti etj., përmbajnë një informacion jo të vogël për jetën, vokacionin për lirinë, karakterin fisnik dhe ndjenjat e holla të tij.

“’Jeta jote cigane’, ti që e do aq shumë lirinë, udhëtimin, njohjen e botës, ndryshimin, jetën pa angazhime, pa kokëçarje. Oh, Mid’hat, sikur të mund të shihja në zemrën tënde një lidhje të përjetshme me mua, ashtu siç e dëshiroj”, i shkruante nga Zyrihu Elsa, me të cilën ishte njohur në vitin 1914, kur emigroi në Zvicër.

“Panorama” ju sjell disa nga letërkëmbimet e dashurisë së Mid’hatit si dhe një letër, ku Edith Durham i dërgon shkrimtarit disa të dhëna që ai ia ka kërkuar për një artikull, duke i refuzuar të drejtën për të botuar fotografinë e saj, pjesë e albumit dedikuar Mid’hat Frashërit./ (përgatiti: Anila Dedaj)

E quante “Mimi”, letrat e përmallshme të Lolotës nga Parisi

“I adhuruari im Mimi, e besoni në ç’gjendje jam? Do ishte një ngushëllim i madh, të të kisha pranë, ty që më je kaq i mirë! Mimi i shtrenjtë, dashuria ime e vetme! Unë as guxoj të përfytyroj momentin kur të kërkoj në port a stacion, sepse i trembem zhgënjimit. Megjithatë, unë jetoj veç për atë çast, është e vetmja shpresë, që më mban, sepse jeta për mua është shumë e trishtë, dhe pa ty nuk provoj asnjë lloj kënaqësie, asnjë gëzim, veç lutjes në kishë (sepse sërish je ti që më ndjek dhe më mbështjell me imazh perëndie)”.

Për Ninon nga Parisi, një nga të paktat letra dashurie të Mid’hatit

“Dje në mbrëmje, ashtu shtrirë siç isha, donja të lexonja. Por e fika menjëherë llambën. Doja të rrinja vetëm me ty. Ishe pranë meje për një kohë të gjatë. Nuk është dëshira e trupit ndaj teje, nuk është ajo që ndodh pa pasionin. Dhe kjo nuk ndodh, veç një herë në jetë. Siç më ndodhi këtë të hënë. Ka qenë një natë e pagjumë për mua. Përse nuk të kam pranë të më bësh të lumtur? Po lexoj Verlenin. Më ke shkruar se është libri yt i preferuar. Fjala “dashuroj” më duket se lë tjetër gjurmë. Ëndërronj, e di që është iluzion, por përpiqem të përfytyronj në jam unë ai që ti dashuron” (Mid’hati , 22 prill 1926).

Edith Durham – Mid’hatit: Nuk jap leje të botojnë fotografinë time

Në letrën që Edith Durham i shkruante Mid’hat Frashërit, i jepte modestish të dhëna mbi veprimtaritë e saj, të cilat, mesa duket ia kishte kërkuar Mid’hati për një shkrim në një nga gazetat e kohës. Në fund të letrës ajo shkruante: “A do të mund të redaktoni një artikull nga këto shënime? Në të vërtetë nuk ka ndonjë gjë shumë interesante. Nuk jap kurrë leje të botojnë fotografinë time dhe meqenëse ua kam refuzuar këtë leje shumë gazetarëve, nuk mund t’jua jap as juve. Tani i uroj Shqipërisë të ketë paqe. T’u ngjatë jeta!”

Intelektualja rumune që i shkroi letra dashurie për 20 vite

Anxhela Romano ishte një intelektuale rumune me ndjenja të holla, energjike dhe nëpunëse e rangut të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Asistencës Sociale të Bukureshtit. Mid’hati u lidh me Anxhelën me një dashuri të sinqertë dhe të pashuar në vite. Letërkëmbimi dhe dashuria e tyre vazhdoi qysh nga viti 1918 deri në vitin 1939. Vetëm një pjesë e letrave, atë që ruhet në Arkivin e Shtetit Shqiptar, e njohim. Ekzistojnë letrat që i dërgonte Anxhela Mid’hatit dhe që ai i ka ruajtur. Letrat e saj të çiltra dhe të zjarrta, të shkruara me një frëngjishte elitare, magjepsëse, e kërkonin dhe e gjenin Mid’hatin kudo ai shkonte: në Lajpcig, Lozanë, Gjenevë, Boston, Paris, Tiranë, Athinë etj., për më shumë se 20 vjet me radhë. E zhuritur nga malli, por edhe nga pasiguria në Shqipëri, ajo e thërret të jetojnë së bashku në Rumani, “idhullin e saj, lumturinë e saj, shpresën e saj të parealizueshme”, siç shprehet ajo. Dhe megjithëqë Mid’hati zgjedh midis vendit të tij dhe Anxhelës, Shqipërinë, ajo e kthen këtë në adhurim. “Unë jam e lumtur për ty dhe për vendin tuaj”. Jeta e tij s’kishte kuptim e vlerë në dhe të huaj. Kur Mid’hati ishte 60 vjeç, Anxhela vazhdonte t’i shkruante njëlloj si ditën e parë të dashurisë së tyre. “Do të shihemi sërish, Mid’hati im, jam e sigurt, do të jemi të lumtur dhe do besojmë se ne nuk jemi ndarë kurrë! Gjithë dashurinë time me një puthje, jotja Mumi”.

Burimi: https://www.panorama.com.al/nga-refuzimi-i-edith-durham-te-letrat-me-te-dashurat-nje-album-per-midhat-frasherin/