Nga Robert Qafzezi

Ishin vitet shtatëdhjetë dhe pikërisht viti shkollor 1973-74 tek gjimnazi i famshëm “Petro Nini Luarasi”. Ishin vitet më të bukura të rinise sonë të hershme, vitet kur njeriu formohet si fizikisht dhe mendërisht e shpirtërisht, vitet kur lulëzojnë të tëra ndjenjat nga njëra anë dhe nga ana tjetër vitet e zbrazësisë, zboreve ushtarake, e paradave nëpër stadiume përpara partisë, vitet e një propagande të shfrenuar, absurde, ku altoparlantët buçisnin tërë ditën dhe natën vonë, çifteli të përziera me gërneta e këngë për Enverin e për partinë , si edhe këngë revolucionare internacionale. Ku ç’do mëngjes bëhej gjimnastika e mëngjesit alla kineze, ku në çdo cep të rrugëve kryesore që të çonin drejt qendrës vareshin stenda me foto nga lufta e Vietnamit dhe bëhej një propagande groteske përvëluese kundër imperializmit amerikan. Në çdo qendër pune, lagje, apo qyteti ishin ndërtuar stenda për “flete-rrufe” sipas modelit te revolucionit kinez…

Agresiviteti i kryeministrit

Dy here apo tre here në lagje apo nëpër uzina bëheshin alarme për gatishmëri luftarake duke mbajtur presionin e vazhdueshëm të popullatave nga një sulm i pa pritur i imperializmit amerikan dhe pse jo edhe nga revizionizmi sovjetik. Në shkollë na bënin kontroll çdo mëngjes tek dera për të parë shfaqjet e huaja, si flokët e gjata (megjithëse ne ishim qethur të detyruar “ballaboks” si ushtaret, apo për të parë ndonjë palë pantallona pak me të “ngushta” apo ndonjë fustan me ngjyrë të “ndezur”, apo ndonjë vajzë me flokë të shkurtra apo me ndonjë varëse a vath… masat ishin të menjëhershme dhe të rrezikshme deri në humbjen e punës së prindërve etj. Ishin krijuar grupe “të rinisë revolucionare” që t’i grisnin pantallonat në mes të rrugës apo të shkulnin flokët.

Shembullin e kishte dhënë vete kryeministri i vendit qe ishte edhe “shtylla”e frikës, Mehmet Shehu, duke ndaluar makinën e tij në mes të turmës tek ura e hotel “Dajtit” dhe duke ju drejtuar me agresivitet një djaloshi të ri me pyetjen “çfarë je, djalë je ti?… apo vajzë”…?

Thirrjet: “Kadareja në litar”

Ishte koha kur mustaqet dhe mjekrat ishin të ndaluara me ligj. Ku thjesht shoqërimi me një vajzë në një orë mbas perëndimit të diellit e pak veçmas nga turma, mund të të çonte në një martesë të detyruar nga partia. Partia te “edukonte”, të “martonte”, të internonte, apo të pushkatonte, dhe jo vetëm po me tërë farefisninë kudo që ndodheshin. Shumë kollaj mund të dënoheshe për “propagandë kundër shtetit”, me të vetmen arsye se i lodhur nga radhët e pafundme mund të të kishte shkarë goja dhe kishe shprehur pakënaqësinë për kualitetin e domateve që ishin në shitje, dhe të kapte ligji agjitacion- propagandë deri në nënte vjet burg. Bëheshin mbledhje kundër romanit të Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”, hidheshin parulla nga pedagog të letërsisë dhe nga sekretaret e partisë: “Kadareja në litar”…” Ne nuk jemi vetëm”…! Kemi Kinën e madhe!

Konfiskimi i lirisë

Duke u rritur dhe duke ndjere nga dita në ditë konfiskimin e të gjitha lirive… Televizionit i kishin vënë zhurmues për të mos pasur mundësitë e shikimit të stacioneve të huaja e sidomos “erës” së lirisë që vinte nga Italia apo nga vendet e tjera perëndimore. Nëpër trena dhe nëpër autobusë kishte kontrolle nga “rinia revolucionare”që kontrollonin, vëzhgonin dhe kapnin “qafe leshet”, si edhe bënin prita nëpër stacionet e plazheve për të rrëmbyer varëset e ndonjë vajze të sapo fejuar… Konfiskoheshin radiot e dorës në plazhin e Durrësit, dhe rrezikoheshe edhe për burg, nga dëgjimi i muzikës së huaj apo nga ndonjë kanoçe “Coca-Cola” që nxirrte deti. Kontrolle të pa pritura nga policet “civil” të lagjes për të parë se mos mbanin ndonjë antenë TV-së të fshehur gjëkundi për të parë imazhe nga bota e ndaluar, nga bota “armike”.

Ditën “TV Tirana”, natën “Zëri Amerikës”

Ishte e detyruar me ligj të pa shkruar mbajtja e fotografisë dhe bustit të diktatorit Enver Hoxha në ç’do shtëpi dhe duhesh mbajtur në vendin më të pashëm të apartamentit apo sipër TV i cili uturinte nga mendjezi deri në darkë propagandën e “luftës së klasave”. Natën dëgjonim “Zërin e Amerikës”, BBC, apo RFI (Radio France Internacional), mbuluar me batanije në kokë që të mos dëgjohesh tek komshinjtë. Dy herë në javë bëheshin mbledhje të detyruara nëpër bodrumet e pallateve (lavazhe të trurit) të organizuara nga celulat e partisë, për të parë ecurinë, efikasitetin e luftës se klasave si edhe shfaqjet e huaja.

Muzika “rok”

Dëgjonim fshehtas një “muzikë” që mbante emrin “rock” dhe zërat që vinin nga larg po që na mbushnin mushkëritë me gëzimin e lirisë, me revoltën që kishim brenda të pa shprehur … “Hey Joe!” e Jimi Hendrix, na dukesh sikur na drejtohesh ne që kishim lindur në burg të asfiksuar… notat që vinin nga kitara e tij na mbushte damarët me oksigjenin e lirisë e jetës… Jim Morrison (The Doors), Led Zepelin, Deep Purple me Ian Gillan, The Rolling Stones me Mick Jegger e Keith Richards, etj ishin bërë refuzhi i vetëm i jetës sonë në ato vite…

Muzika “rock” ishte bërë një lloj ashensori i fuqishëm që na nxirrte nga llumi i propagandës së errët, injorante e tredhëse e na bënte të besonim që kjo botë ka Zot.

Autorët e ndaluar

Ishte një kohë tepër e vështirë për të qenë ai i vërteti , ishte koha e “maskave” dhe duheshin nxjerrë në momentet e duhura sepse gabimi me i vogël të rrezikonte jetën jo në mënyrën figurative. Librat ishin të mbyllura me dyqind dryna, dhe mund të rrezikoje edhe jetën e tërë familjes për ndonjë libër të kategorisë së “rrezikshme” si “Psikanaliza” e Sigmund Freud , “Manifesti suralist” i Andre Breton-it , apo veprat e Nietzsche, si edhe “Lahuta e malësisë” e të madhit Fishta, etj, pa folur për terrorin që ushtrohej kundra besimeve fetare, dënimet ishin me heqje lirie të pakufizuar. Biblioteka Kombëtare e Pallatit te Kulturës kishte hafijet e saj civile që vëzhgonin ç’do lëvizje të intelektualeve duke shkuar në sitë kartelat, e për të parë librat që frekuentonin, edhe librat thjesht teknik jepeshin me autorizime tepër të veçanta nga drejtoritë e ndërmarrjeve dhe sekretarët e partisë.

Mbrëmjet e varfra të Tiranës

Filmat që shfaqeshin nëpër kinema ishin të masakruar nga prerjet e skenave ku mund të kishte thjesht një puthje aktoresh që shikohej nga partia si akt i turpshëm imoral. “Shëtitorja”, që quhesh bulevardi kryesor i Tiranës që vazhdonte deri tek Universiteti mbante një tabelë në të cilën ishin shkruar edhe ora e hapjes dhe e mbylljes (ora10 e 30 minuta për mbrëmjen) në të cilën hidhnin hapat turma e “burgut” të kryeqytetit, një pjesë e njerëzve pa asnjë monedhë në xhep ulesh në bordurat e parkut të “Rinisë” përballe hotel “Dajtit” që quhesh “Kafe Gjirokastra” Trotuari i krahut të Hotel “Dajtit” bllokohesh shpesh nga policia për arsye të ndonjë “turisti marksist – leninist” që pritesh të hynte apo të dilte nga hoteli i cili gëlonte nga hafijet dhe policët civil të cilët nuk lenin asnjë të afrohesh trotuarit. Edhe i vetmi lokal “nate” një klub i vogël në qendër të Tiranës ku pinin kafen apo ndonjë fërnet punëtoret që ndërronin turnin apo merrnin atë të natës u mbyll. Mbas orës dhjetë të natës nuk kishte këmbe njeriu në rruge, veç ushtareve të gardës me automatik në dorë që ruanin ç’do ferrë të parqeve apo rrugëve kryesore, apo ndonjë njeri që shkonte kokë ulur me bukën të mbështjellë me gazeta nën sqetull për të kapur autobusët që të shpinin nëpër uzinat e turnit të natës.

Arrestimi i Klement Islamit

Një jetë burgu për ne dhe për vete ata që sundonin, ishim në një bunker. Asfiksia arriti paroksizmin në momentet kur filluan të na mungonin shokët e shkollës, të cilët ishin arrestuar me gjithë familjet , internuar nën akuzat e te famshmit “puç ushtarak”… Një ditë në korridoret e shkollës tonë “Petro Nini Luarasi” i vunë prangat shokut tonë Klement Islamit, njërit nga nxënësit më të shkëlqyer të shkollës. Dy ditë me vonë na vjen në klasë një hetues që duke thithur thellë bishtin e cigares dhe me sytë për tokë na thotë: -“Ju keni pasur një armik në klase, një njeri me shfaqje të huaja amerikane dhe që këndonte këngë të muzikave të huaja, një huligan…” Ne ishim nxënës te lidhur me njëri-tjetrin dhe me shoqërira që vazhdojnë sot e kësaj dite, me gjithë distancat dhe ndarjet. –“Çfarë bëri shoku ynë Menti” tha njeri nga ne Sokol Hasko… Fytyra e hetuesit u nxi nga surpriza dhe ulëriti; -“Çohu në këmbë, si quhesh ti?” Kur mori vesh që ishte djali i Arif Haskos (komisari i Brigadës Parë Sulmuese gjatë luftës dhe shefi i prapavijës për gjithë Shqipërinë) e uli zërin dhe filloi të na marri me të mira, duke bërë sikur ne nuk kishim faj për habinë se ai ishte një “armik” i infiltruar në radhët tona.

Gjyqi absurd

Absurditeti më i madh ishte gjyqi dhe akuza që ju bë Klementit -Ju keni pasur në “gogol” – tha gjykatësja… Gogol!!!! Të gjithë që ishin në sallë hapën sytë dhe veshët nga kurioziteti dhe qeshën me naivitetin… -Me falni, – tha gjykatësja “G O G Ë L” (ishte fjala për një lojë të asaj kohe me dy sfera që përplaseshin me njëra-tjetrën duke bërë një lloj ritmi) – me te cilat ju goditnit shokët … Të gjithë qeshën me akuzën dhe situatën tepër qesharake… Mbas kalvarit të gjatë të burgut dhe spitalit psikiatrik të Elbasanit dhe internimit me gjithë pjesëtarët e tij të familjes Klement Islami shoku jone brilant dhe trim tentoi sublimen, lirinë me not drejt brigjeve perëndimore gjatë një nate të tmerrshme ku humbi edhe jetën… Kur dëgjova ne RFI-së lajmin e humbjes së shokut të ngushte me të cilin ndanim zymtësinë, asfiksinë e asaj kohe si edhe momentet e pakta të lumtura të muzikës dhe sportit nuk i mbajta lotët… Klement Islami na mungon dhe e kujtojmë kudo ku jemi! Kujtimi i tij do te mbetet i paharruar…!

(Ribotuar nga “Shekulli”)
Burimi: http://illyriapress.com