Aftësitë e njerëzve për të përcjellë mesazhe nëpërmjet sjelljeve joverbale dhe për të dekoduar mesazhet që përcillen nëpërmjet komunikimit joverbal, përcaktohen edhe nga lloji i profesionit dhe nga shkalla e aftësive profesionale. Për shembull, politikanët dhe diplomatët i përdorin dendur përparësitë e komunikimit joverbal, për të shprehur orientime politike të pa dokumentuara zyrtarisht dhe sidomos për të përcjellë mesazhe politike me dy ose me më shumë kuptime, mesazhe të paqarta për politika që pritet të kristalizohen në rrjedhën e kohës etj.

Për t’i konkretizuar këto ide, mjafton t’i ilustrojmë me përshkrimin e hollësishëm të një situate politike komplekse të shtetit shqiptar në fund të viteve ‘50 të shekullit XX. Më 20 maj 1959 shtypi në Republikën Popullore të Shqipërisë njoftoi me bujë të madhe për vizitën miqësore dhe zyrtare të një delegacioni të zgjeruar e të nivelit më të lartë të Partisë Komuniste dhe të Qeverisë së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, i kryesuar nga sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik, Nikita Sergejeviç Hrushov. Mediat shqiptare të asaj kohe, veçanërisht shtypi i kushtoi vëmendje të veçantë kësaj vizite të gjatë, të planifikuar zyrtarisht trembëdhjetë ditore (25 maj – 6 qershor 1959).

Nga 20 maj deri më 5 qershor gazetat mbushën faqe të tëra me materiale të ndryshme rreth kësaj vizite. Për shembull, “Zëri i Popullit”, organi më i rëndësishëm i shtypit politik shqiptar të atyre viteve, i rezervonte kësaj vizite 2 deri 3 faqe çdo ditë (nga 4 faqe që kishte gjithsej gazeta). Në adresë të Nikita Hrushovit shtypi emetoi një inflacion të padëgjuar më parë lëvdatash e karakterizimesh superlative, si “miku më i madh dhe më i shtrenjtë i popullit shqiptar”, “miku më i shtrenjtë dhe më i dashur” etj. Ndërsa vizita e tij karakterizohej si “një ngjarje e shënuar në historinë e popullit shqiptar”, si “një festë e madhe popullore dhe një kontribut shumë i çmuar në çelikosjen e miqësisë së përjetshme që bashkon popullin shqiptar me mikun e tij të shtrenjtë – Bashkimin e madh Sovjetik” etj. (“Zëri i Popullit”, 20.5.1959:1).

Strukturat partiako-shtetërore të propagandës së shtetit shqiptar vunë në lëvizje gjithë mekanizmat, jo vetëm të publicistikës, por edhe të krijimtarisë artistike, folklorike e të kultivuar, për të glorifikuar sa më shumë vizitën e kreu të partisë e të shtetit sovjetik. Në rubrikën “Populli i këndon kësaj ngjarjeje të shënuar” u botuan shumë krijime folklorike. Një poezi popullore, me gjuhë lakonike e karakterizoi vizitën e delegacionit sovjetik si të paparë në historinë e vendit të vogël të shqiptarëve dhe Nikita Hrushovin si udhëheqës të shkëlqyer:

Kurrë s’ka parë historia

Që të vijë në Shqipëri

Një udhëheqës kaq i ndritur

Si Hrushovi dhe shokët e tij.

(Gazeta “Zëri i Popullit”, 22.5.1959:2).

Në disa numra të gazetës “Zëri i Popullit” dhe të gazetave dhe revistave të tjera janë botuar jo vetëm krijime folklorike, por edhe poezi të poetëve të asaj kohe. Veçanërisht me poezi entuziaste, euforike e përcollën këtë ngjarje “poetët” punëtorë ose me prejardhje nga klasa punëtore. Në një poezi me 42 vargje një poet punëtor e hyjnizoi aq shumë misionin e delegacionit sovjetik, sa e paraqiti atë gati si përcaktues të relievit e të klimës, të florës e të faunës së Shqipërisë:

Do shihni ju pranverën shqiptare

Për ju dhe lulet çelën këtë radhë

Pa ju s’do kish te ne as lule fare

Përveç se zhur e rërë si n’Saharë.

(Gazeta “Zëri i popullit”, 26.5.1959:3).

Gjithashtu, një poet në moshën e pjekurisë, me detyra të rëndësishme në strukturat botuese të shtetit shqiptar të atyre viteve, ditën që erdhi delegacioni sovjetik botoi një poezi me 36 vargje. Po citojmë 7 prej tyre:

Kur shoh të vijë vetë shoku Hrushov

Në krahëruar zemra më merr hov

Dhe don të fluturojë anë e mbanë.

T’u thotë gjithë atyre që kanë vdekur

T’u thotë gjithë atyre që janë gjallë

Se miqësia është kjo forcë e madhe

Që trupin tërë plagë e bën hekur!

(Gazeta “Zëri i popullit”, 25.5.1959:2)

Sipas kësaj poezie jo vetëm të gjallët, por edhe të vdekurit duhej të lumturoheshin nga vizita e delegacionit sovjetik, se miqësia me sovjetikët kishte fuqinë çudibërëse për të kapërcyer çdo vështirësi, për të shëruar çdo plagë, të të gjallëve dhe të të vdekurve në tokën shqiptare.

Në imazhet poetike, vizitës së Hrushovit i akordohej një përmasë jo vetëm planetare, por edhe kozmike. Një poet dhe shkrimtar i shquar, i cili gjatë viteve 1947-1950 kishte vuajtur dënimin me heqje lirie, botoi poezinë “Ja pse qeshin edhe yjet…” me 95 vargje. Po citojmë disa prej tyre: “I dashur Hrushov – Miserdhe; Të thotë dhe Dielli ynë i ngrohtë; Miserdhe! Bërtasim me zemër, brohorasim si n’ëndërr. Miserdhe! Kur dorën na shtrëngon me forc’ e shpirt planeti, ti nderin ton’ nderon, që jo s’ka fund si deti. Ja pse qeshin dhe yjet, liqenet, detet, pyjet, lëndinat, trëndelinat. (Revista “Miqësia”, nr. 6, 1959:18). Pa mëdyshje kjo poezi ishte artistikisht më e arrirë ndër të gjithë vjershat kushtuar vizitës së Hrushovit në Shqipëri, vizitë e cila “lumturoi” detet e malet, të gjallët e të vdekurit, pyjet dhe yjet!!! Pak ditë para se të vinte delegacioni sovjetik, nga krijues profesionistë u kompozua edhe një këngë, e cila u botua me tekst të muzikuar në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 23 maj 1959. Kjo këngë, me 3 strofa dhe një refren që përsëritej 3 herë, e karakterizonte Hrushovin si fatsjellës për popullin shqiptar, si mik për kokë etj. Hyjnizimi i udhëheqësit sovjetik shprehet qartë edhe në këtë strofë të këngës:

An’ e mban’ një lajm dëgjohet

Vjen Hrushovi në Shqipëri

Çfarë lumnije (lumturie – Z. D.) na dhurohet

Sa e madhe fatbardhësi.

       (Gazeta “Zëri i popullit”, 23.5.1959:2).

Gjithashtu, për këtë vizitë u botuan në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 30 maj 1959 (f. 5) tri këngë dhe një këngë tjetër u botua në gazetën “Pionieri” të datës 3 qershor 1959 (f. 3). Tekstet dhe meloditë e këtyre këngëve u krijuan prej poetëve dhe kompozitorëve nga më të shquar të atyre viteve. Delegacioni sovjetik vizitoi qytetet kryesore të Shqipërisë nga Shkodra deri në Butrint, i shoqëruar nga drejtuesit kryesorë të partisë dhe të shtetit shqiptar. Në çdo qytet ku shkoi delegacioni sovjetik u organizuan mitingje masive. Në fjalimet që mbanin në mitingje udhëheqësit shqiptarë dhe udhëheqësit sovjetikë hidhnin parulla për miqësinë e pathyeshme shqiptaro-sovjetike, për kauzën e përbashkët të popullit shqiptar me popujt sovjetikë, për të ardhmen e përbashkët komuniste të popullit shqiptar me popujt sovjetikë etj. Mitingjet përgjithësisht i karakterizonte një nivel i lartë entuziazmi popullor i nxitur nga strukturat partiake e shtetërore të regjimit socialist totalitar. Vizita e delegacionit sovjetik të kryesuar nga Nikita Hrushovi në Shqipëri nuk mund të mos përcillej me interesim të veçantë nga politikanët e diplomatët e shteteve perëndimore që ndikonin më shumë në politikën botërore të atyre viteve, së paku për tri arsye kryesore:

Së pari, pozita gjeografike e Shqipërisë dhe rëndësia e saj e veçantë strategjike, si skaji perëndimor i kampit të atëhershëm të vendeve socialiste.

Së dyti, viti 1959 karakterizohej nga një intensitet i lartë e në ngritje i të ashtuquajturës lufta e ftohtë ndërmjet shteteve demokratike perëndimore dhe bllokut të vendeve ish-socialiste të kryesuara nga Bashkimi Sovjetik. Në sfondin e një lufte të tillë pozita strategjike e Shqipërisë rilevohej me rëndësi të veçantë.

Së treti, në këtë kohë ishte në rend të ditës instalimi i bazave ushtarake, veçanërisht në pellgun e Mesdheut. Që në mitingun e parë të organizuar në Shqipëri, Nikita Hrushovi deklaroi fare hapur: “Në qoftë se qeveritë e Italisë dhe të Greqisë i lejojnë amerikanët të krijojnë baza për lëshimin e raketave në territorin e tyre, atëherë ndoshta edhe ne do të detyrohemi të merremi vesh me Qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë që të krijohet edhe këtu diçka kundër tyre. Amerikanët po vendosin në Itali raketa me rreze të mesme veprimi. Por në qoftë se edhe në Shqipëri vendosen raketa me rreze të mesme veprimi ose bile edhe raketa me rreze të shkurtër veprimi, ato mund të arrijnë gjithë Italinë. Kështu që këtu do të mjaftonin raketat me rreze të shkurtër veprimi” (Gazeta “Zëri i Popullit”, 26.5.1959:3). Kësisoj, kreu i ish-Bashkimit Sovjetik braktisi publikisht gjuhën politike e diplomatike dhe, jo vetëm foli drejtpërdrejt me terminologji ushtarake, por edhe me shkallën më të lartë të ashpërsisë.

Nga ana tjetër, në fjalimet e shpeshta nëpër mitingje udhëheqësit e shtetit shqiptar dhe të atij sovjetik përpiqeshin të krijonin imazhin se ndërmjet dy shteteve nuk kishte asnjë divergjencë të çfarëdollojë. Pas frazave përshëndetëse, që në paragrafin e parë të fjalimit në mitingun e parë, Nikita Hrushovi theksoi: “Marrëdhëniet që janë krijuar midis popullit shqiptar dhe popullit sovjetik, midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe Partisë së Punës së Shqipërisë janë shumë të mira. Ne me ju nuk kemi pasur kurrë dhe s’kemi divergjenca si në çështjet e brendshme të secilit vend, ashtu edhe në çështjet e politikës ndërkombëtare” (Gazeta “Zëri i Popullit”, 26.5.1959:1).

Nga shqyrtimi analitik i komunikimit verbal, me gojë dhe me shkrim, ndërmjet palës shqiptare dhe palës sovjetike gjatë kësaj vizite përvijohen këta përfundime kryesore: 1) Marrëdhëniet ndërmjet shtetit shqiptar dhe shtetit sovjetik ishin shumë të mira, pa të krisura, pa kurrëfarë kontradiktash; 2) të dy palët premtonin ndërsjelltas se miqësia vëllazërore do të ishte e përjetshme deri në ndërtimin e shoqërisë komuniste, e cila në ato vite përfytyrohej se do të arrihej në një të ardhme goxha të largët; 3) të dy partitë në pushtet, të dy shtetet angazhoheshin se do të rrisnin përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin e ndërsjellë në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike e politike, kulturore e ushtarake; 4) Bashkimi Sovjetik ishte dhe do të mbetej aleati kryesor strategjik më i fuqishëm i shtetit shqiptar të orientimit socialist etj.

Ndërkohë që lufta e ftohtë ishte e acaruar dhe projektohej instalimi i bazave ushtarake, shtetet demokratike të Perëndimit nuk mund të mos shqetësoheshin nga përfundime të tilla rreth marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike. Në rrethana të tilla, politikanët, diplomatët me përvojë të pasur profesionale të vendeve perëndimore lexonin e dekodonin me vëmendje edhe mesazhet që përcilleshin nga një varg modele sjelljesh joverbale që shoqëronin vizitën e delegacionit partiak e shtetëror sovjetik në Shqipëri. Përmes komunikimit joverbal përcilleshin mesazhe të tjera, deri krejt të kundërta në krahasim me ato që përcilleshin me fjalën e folur dhe të shkruar. Në vijim po parashtrojmë disa prej këtyre mesazheve.

I pari. Mitingu i parë u organizua në sheshin përpara kombinatit të tekstileve “Stalin”. Në vitin 1959 Tirana ishte një qytet i vogël me rreth 125 mijë banorë (Drejtoria e Statistikës, 1965:69; përllogaritje e autorit), i mbledhur kryesisht brenda unazës së vjetër dhe Kombinati i Tekstileve nuk ishte në periferi të kryeqytetit, por jashtë periferisë. Simbolikisht kjo do të thoshte se marrëdhëniet e shumanshme shqiptaro-sovjetike nuk përbënin dhe, për më tepër, nuk do të përbënin më hallkën qendrore të tërësisë së marrëdhënieve të shtetit shqiptar me shtetet e tjerë, por kishin kaluar ose do të kalonin së shpejti në zona periferike ose jashtëperiferike.

I dyti. Mitingu i parë masiv u organizua në sheshin para kombinatit të tekstileve “Stalin”, ku qëndronte hijerëndë monumenti i Stalinit, i veshur me rroba ushtarake. Nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Nikita Hrushovit, udhëheqja e lartë e partisë dhe e shtetit sovjetik e kishte anatemuar politikisht e moralisht Stalinin. Në raportin që mbajti në Kongresin e XX të Partisë Komuniste (Bolshevike) të Bashkimit Sovjetik në shkurt 1956 “Mbi kultin e individit të Stalinit dhe pasojat e tij” (të ashtuquajtur sekret, por që u botua pas pak ditësh në shtypin e vendeve perëndimore që ishte më ndikues në politikën ndërkombëtare), Nikita S. Hrushovi kishte ngritur një mal me akuza të rënda dhe karakterizimesh negative kundër Stalinit, si “asgjësues moral e fizik” i kuadrove më të rëndësishëm të partisë, të shtetit e të ushtrisë, duke nëpërkëmbur ligjshmërinë, si drejtues kryesor që “kaloi nga pozitat e luftës ideologjike në rrugën e shtypjes administrative, në rrugën e represionit në masë, në rrugën e terrorit… (Vijon në numrin e ardhshëm).

Pedagog në Universitetin e Tiranës/ Nga Prof. Dr. Zyhdi Dervishi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Burimi: Sot.com.al