Nikolin Xhoja shfaqet shpesh përmes fotove në faqen zyrtare të Teatrit Aleksandër Moisiu në Durrës, si një nga ikonat e këtij teatri ndër vite. Me një jetë të shkurtër aktori la pas dhjetëra role që sot janë historia e këtij teatri. Në një foto ai shfaqet duke intepretuar në veprën “Parimori” .

Në një tjetër është duke menduar teksa intepreton në filmin “Thirrja” më regjisor Fehmi Hoshafin, përkrah aktorit Lufti Hoxha. Në këtë film është në rolin e Bacës Lekë. I lindur më 1926 në Brindisi të Italisë, Nikolin Xhoja do ja kushtonte jetën teatrit. Në një foto tjetër realizuar në vitin 1956 ai është përkrah aktorit Sotir Afezolli teksa i bie një kitareje.

Që në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku mori pjesë aktivisht, luajti me grupet teatrore të njësiteve luftarake. Në grupin filodramatik partizan në Kosovë, si një ndër aktorët kryesorë të njësisë ushtarake, dha shumë shfaqje në qytetet e Gjakovës, Sanxhakut, Mitrovicës, Gostivarit, Ohrit, me skeçet dhe komeditë e shkurtra si Daj Ceni, Këpucari, Po vijnë partizanët etj.

Pas çlirimit të vendit dhe kthimit në Durrës, vijoi të luante më tej si aktor amator pranë grupit qendror të Shtëpisë te Kulturës. Është nga aktorët themelues të teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, me 11 janar 1955. Roli i tij i pare si aktor profesionist ishte ai i Kostës ne komedinë Vajza nga fshati e Fatmir Gjatës. Ka luajtur 54 role në teatër, kryesisht të planit komik e satirik, gjithashtu në 11 premiera të estradës së Durrësit si dhe në 7 filma artistike.

Një nga arritjet e tij më të spiakatura ishte roli i Qazim Mulletit në komedinë Prefekti (1968) e Besim Levonjes. Ai njëmendësoi me mjete të holla humoristike fytyrën e kuislingut, e frikacakut, sidomos atë të zyrtarit të korruptuar e sharlatan, falë një përshtatjeje që e bënte edhe më të dukshme sjelljen dyfytyrëshe: mburrjen dhe panikun, kinse ndershmërinë dhe natyrën prej grabitqari, vrazhdësinë dhe shpirtin gjoja prej babaxhani.

Me këtë rol loja e Nikolin Xhojës mbërriti në një nga vlerat sipërore të aktrimit shqiptar, i barasvlershëm me cilësinë aktoriale të Mihal Popit po te ky rol. Më pas vijoi me rolin e Podgolisenit në komedinë Martesa të Gogolit, e cila mbetet në fondin e figurave shpotitëse më të realizuara të karrierës se tij, e luajtur me vërtetësi e hijeshi komike.

Dhuntitë prej komiku të talentuar u shfaqën edhe në interpretimin e dy roleve kryesore në komeditë e Spiro Comores, si Nikollaq Jorganxhiu te Karnavalet e Korçës (1996), tek i cili të bënte përshtypje eleganca, finesa, sharmi komik, që vinin në mënyrë të shpenguar, pa britma e nervozizëm të shtirur; Aristoteli te Dy me zero me nëntitull Prindër edukatore (1969), ku luajti plot hijeshi me nënkuptimet dhe keqkuptimet, me qëndrimet e dyanshme, luhatjet, kthimet dhe rikthimet, me pohimet dhe mohimet e atypëratyshme duke i dhëne figurës, paçka se “pozitive”, një pozicion te bukur në shfaqje.

Ndryshe nga shumë figura të mëparshme, me rolin e Rrapo Tabanit në dramatizimin Koha e komisareve, sipas romanit Njeriu me top të Dritero Agollit, ai arriti të krijojë figurën e një komandanti popullor, disi të ashpër në dukje, por të butë, babaxhan e tepër njerëzor në shpirt.

Këtu elementet dhe gjetjet komike, që vinin nga mënyra e të sjellurit, e folura “popullorçe”, përshtatja psikofizike, u gërshetuan gjithashtu edhe me tonet epiko-dramatike e ato heroike. Ndonëse ishte aktor me prirje për kah humori popullor, ai interpretoi me sukses edhe në disa komedi të Molierit, ku ndihej po aq edhe sarkazma.

Spikati sidomos te komedia i sëmuri imagjinar (1983) me rolin e Arganit, përmes të cilit përqeshi hijshëm snobizmin e borgjezisë së pasur por të pagdhendur, për t’u barabitur me rangjet e larta të fisnikërisë tradicionale franceze për nga dija, zakonet, shijet, kultura dhe mënyra e jetesës. Nikolin Xhoja arriti ta bëjë këtë personazh njëherazi edhe qesharak, edhe të përbuzshme ; doemos me i suksesshëm dhe me pranë qasjes së parë dhe pak tek e dyta. Një tjetër figure plot kripe e humor ishte ajo e xha Beqos ne filmin Kapedani (1972).

Këtu ai skaliti me mjeshtëri te larte dhe sens te holle njeriun shpirtmire, gazmor, te gjindshëm, disi te leshte port e dashur e te ëmbël, duke krijuar se bashku me aktorin tjetër, Albert Verria në rolin e Sulos, një nga dyshet aktoriale me harmonike, si nga pikëpamja e sendërtimit te marrëdhënieve, ne mënyre fare te natyrshme, ashtu edhe nga pikëpamja e ndjersjelljeve, e kundërshtive dhe e përplotësimeve reciproke ne karaktere, ne dialogët dhe ne gjendjet e tyre shpirtërore.

Me tutje realizoi figurën e Përparimtarit në filmin Çifti i lumtur (1975). Edhe pse një “personazh pozitiv”, ku ndihej zbukurimi, përkundrazi me aktrimin e tij brilant ai arriti t’i nderkalle figurës jete, organicitet ne shprehje e gjeste si dhe nur komik, duke iu shmangur konceptimeve skematike qe zotëronin asaj kohe. Me pak penelata Nikolin Xhoja u jepte fizionomi vetjake edhe roleve te vogla, sikurse u duk qartë kjo me rolin e kuzhinierit në filmin Horizonte të hapura (1968) etj.

Loja e tij ishte e ngrohte, e çlirët, e ngopur me detaje e gjetje te shumta, duke u shkrire ne mënyre tërësore me personazhin e duke u përqasur plot vërtetësi ne situatat komike te tij. Nikolin Xhoja ishte një nga aktoret shqiptare me organike e me te vërtete ne veprimin skenik dhe ne përjetimin e personazhit, si në skenë, ashtu edhe në ekran. Nikolin Xhoja u nda nga jeta në vitin 1987.

31 janar 2018 (gazeta-Shqip.com).