Nga Lindita Rushiti (Gera)

Atdheu fillon nga gjuha! Është një thënie e vjetër nga të diturit. Kështu ndodhi edhe në qytetin e Astit në veri të Italisë, atje ku shqiptarët u bënë një, të bashkuar në një gjuhë e nën një flamur, për të përuruar Qendrën e parë Kulturore, me emrin e artistes shqiptare ”Margarita Xhepa”. Dashuria për Atdheun, për gjuhën dhe kulturën shqiptare, i bashkoi vëllezërt tanë, si asjëherë tjetër. Ata bashkuan dëshirën, forcat, ëndrrat, mallin për mëmëdhenë dhe mundësuan hapjen e kësaj qendre.

Kohë më parë, ata morën një vilë të vjetër dykatëshe dhe me kontributet tërësisht të tyre, rreth 200.000. Euro, e rindërtuan atë, duke filluar nga muret, dyert e dritaret, impianti elektrik, hidraulik, i gazit, etj, etj. Kështu, ata hapën shkollën shqipe: ”Udha e shkronjave”, për të gjithë fëmijët shqiptarë të Astit. Shkolla ka një grup mësuesish të përgatitur për mësimin e gjuhës mëmë e të kulturës shqiptare dhe drejtohet nga Hasan Bulcari.

Shoqata “Assoalbania-Asti”, që  drejtohet nga Genc Velaj, është bërë një me shkollën. Dashuria për ta ndjerë afër Shqipërinë, i çoi më lart dëshirat e mërgimtarëve shqiptar të Astit. Ata krijuan Qendrën e Parë Kulturore në Itali, e cila u përurua më: datë 21 shtator, 2019. Pjesëmarrja ime  aty, më dha mundësi dhe një kënaqësi të madhe, pasi pashë me sytë e mi punën e pamatë të bashkëatdhetarëve tanë. Mbresat e jashtëzakonshme do t’i përjetoj gjatë.

Pjesëmarrja në inagurim ishte e larmishme: Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Liliana Cingi, Kastriot Tusha, Merita Halili, Raif Hyseni, Myfarete Laze, Ilir Shaqiri, Naim Gjoshi, Bahri Rustja, Zef Kakoca, Elona Marika, Marin Mema, Top Channel TV, Iliaz Bobaj, këngëtarja e vogël nga Durrësi Emmi Rushiti, ambasadorë të Paqes, Ambasadorja e Shqipërisë në Romë, zonja Anila Bitri, mes tyre edhe përfaqësues nga shkollat shqipe ne diasporë: “Udha e Shkronjave”-Asti; ”Naim Frashëri”-Patra –Greqi, e plot të ftuar të tjerë. Një  vlerësim i veçantë u bë nga drejtuesit e pushtetit vendor, posaçërisht nga Kryetari i Bashkisë së Astit, zoti Maurizio Rasero. Vepërimtarinë e përcollën edhe Tv Asti, RAI.

Dita festive filloi në orën 10.00, të së shtunës, më 21 shtator, 2019. Shiriti u pre nga Kryetari i Shoqatës “Assoalbania-Asti”Genc Velaj dhe Kryetarit të Bashkisë së Astit Maurizio Rasero, në praninë e komunitetit shqiptar e atij italian, të cilët folën me respekt dhe adhurim për punën e palodhur të bashkëatdhetarëve tanë në Itali.

Më pas u vizituan mjediset e Qendrës Kulturore. Në mur binte në sy një pikturë e dy flamujve shqiptar e italian, në formën e një peme, si të ishin pjesë e saj. Në mes qëndronte një tavolinë e madhe, me ëmbëlsira tipike shqiptare dhe disa libra shqip, që fëmijët i mësonin pasditeve në shkollën shqipe.
Veprimtarisë i dhanë bukuri e freski, fëmijë e të rritur me veshjet popullore shqiptare. Sa bukur! Më pas u këndua  Himni kombëtar shqiptar dhe ai italian nga Kastriot Tusha e Bahri Rustja. Emocionuese !

Më pas u vizituan mjediset mësimore të shkollës shqipe. Në njërën klasë, në mur qëndronin plot hijeshi, instrumentet muzikore të ndërtuara me aq mjeshtri nga duararti Kristian Zefi, mësues i kësaj shkolle, i cili u mësonte fëmijëve lojën në instrument.

Mjediset e Qendrës hijeshoheshin nga pikturat e së mrekullueshmes, artistes piktore Elona Marika, duarartes nga Durrësi. Tematikat dhe ngjyrat e forta i bënin të gjalla këto piktura. Ja disa nga punimet e saj: Pranvera në telajo, këngëtarja e xhazit, legjendat shqiptare, tragjedia Çame, eksodi shqiptar, portreti i Liliana Cingit, etj, etj. Muzika shqiptare dhe gatimet tradicionale shoqëruan të pranishmit gjithë veprimtarinë.

Në mbrëmje u mbajt koncerti festiv. Fëmijët e shkollës “Udha e Shkronjave”, nën drejtimin e mësuesve, kënduan  e recituan shqip, si dhe kërcyen vallet e bukura shqiptare, si vallja e Tropojës, e Librazhdit, e tumankuqes, etj. Ndjenim se kishim sjellë një copë Shqipërie, në qytetin Asti në Itali.

Ajo që mrekulloi të pranishmit shqiptar dhe italian, ishte se shumicën e valleve, fëmijët i kishin mësuar me mësuesen e tyre, Irina Syceva, nga Lituania, e cila e adhuronte muzikën tonë popullore. Dashuria për djalin shqiptar (një ndër aktivistët më të flaktë), e kishte bërë  këtë vajzë, të dashurohet me muzikën  popullore shqiptare. Ishte shumë bukur të dëgjoje e të shijoje notat muzikore të Mjeshtrit të Merituar Naim Gjoshit, me zërin e fëmijëve të shkollës dhe të të madhit Ilir Shaqiri. Zëri i bukur i artistes Merita Halilit, bëri që këngët të këndoheshin e të kërceheshin nga spektatorët në sallë. Të pranishmit pritën dhe përcollën me duartrokitje vogëlushen artiste, të talentuarën Emmi Rushiti, e cila kishte ardhur nga Durrësi, enkas për të kënduar këngën ”Në gjuhën e nënës”. Me zërin e saj, me notat ritmike të kompozitorit Aleksandër Kolshit, e me vargjet aq të ndjera të autores Irma Kurti, ajo krijoi një atmosferë aq të ngrohtë. I veçantë ishte bashkëpunimi i këngëtarëve Ilir Shaqiri nga Kosova me këngëtarin arbëresh Zef Kakocen. Qershiza mbi tortë ishte ngjitja në skenë e Artistes së mirënjohur shqiptare Margarita Xhepa, që përshëndeti të pranishmit me një fjalim që vetëm një zonjë si ajo di ta mbajë. Koncerti u shoqërua nga tingujt e DJ Florit. Lashë për në fund të palodhurin, drejtorin e shkollës “Udha e Shkronjave”, udhëheqësin artistik, një ndër organizatorët dhe një ndër aktivistët Hasan Bulçarin, i cili udhëhoqi këtë mbrëmje kaq të bukur. Kthehemi në Durrës me mbresa të jashtëzakonshme, duke marrë me vete një shembull që frymëzon për atdhetari e shqiptari, me bindjen se “Volere e’ potere”! Me vullnet  bëhet gjithcka!


Ndërkohë që ne vazhdojmë përditshmërinë tonë, në Asti, më 12 shtator 2019, në shkollën ”Udha e Shkronjave”, ku u ulën mbi 70 fëmijë, nisën mësimet në gjuhën shqipe. Me shumë dashuri u uroj të gjithëve: SUKSESE DHE VETËM SUKSESE! /BULEVARD NEWS/