Pjesa e Stefan Çapalikut “Një engjëll në katin e njëmbëdhjetë” me regji nga vetë autori vjen në skenën e Teatrit të Metropolit.

Premiera është një komedi urbane, e cila i kalon kufijtë e postmodernes drejt asaj që thirret estetikë e artit bashkëkohor, duke kërkuar kështu edhe një gjuhë teatrore bashkëkohore.

Vepra e shkruar nga vetë Çapaliku ka premierën në datën 15 shkurt, në të cilën interpreton një kastë e përzgjedhur aktorësh si Ervin Bejleri, Ilirda Bejleri, Erjon Hinaj, me skenografinë e Sadik Spahisë, koreografia nga Gjergj Prevazi dhe muzikë nga Agron Shala.

“Një engjëll në katin e 11” është një ndër 25 veprat e tij dramatike, e cila shënon një ngjarje në estetikën e veprave të veta, duke i hapur shteg dramaturgjisë së mbështetur në ngjarjet e mendjes.

Ngjarjet e shfaqjes zhvillohen në një stacion treni, gjatë natës. Askush në të përveç dy udhëtarëve të rastësishëm dhe më pas, si çdo njohje tjetër, edhe kjo, mediokre. Një apartament në katin e njëmbëdhjetë. Një çift po bën dashuri. Telefoni ndërpret flirtin e tyre: burri i saj do të arrijë nga çasti në çast.
Djali do t’ia mbathë, por ashensori është jashtë funksionit.

Nëse merr shkallët, rrezikon të ndeshet me fytyrën e burrit. As nuk mund të hidhen nga dritarja. Pikërisht në çastin kur ai mendon, kur koha mbaron, ka një trokitje në derë. Në vend të burrit, shfaqet një dëshmitar i Jehovait, duke mbajtur një Bibël në dorë. Atij po i merret fryma nga shkallët dhe nuk ndihet mirë. I riu dhe gruaja i japin atij ndihmën e parë.

Dëshmitari i Jehovait, vjen në vete dhe fillon një fjalim patetik rreth familjes. Dhe si për të dashur t’i japë me të vërtetë fund fjalimit të vet, ai vdes. Dashnorët e vendosin atë në shtratin e tyre dhe fillojnë të flasin për jetën e vet. Ndërkaq, burri që pritet nuk vjen kurrë. Ai është thjesht një fiksim i mendjes së tyre të lodhur nga rutina e një marrëdhënie banale. Prapë një stacion treni natën. Askush në të përveç dy udhëtarëve të rastësishëm dhe më pas, si çdo njohje tjetër, edhe kjo, mediokre./GSH.AL/