Në qytetin iranian të Shirazit jetonte një poet i njohur. Ashtu si pjesa më e madhe e poetëve dhe e filozofëve të tjerë të asaj kohe, poeti nuk ishte i pasur. Ai bënte jetë të thjeshtë. Një tregtar e fton atë në dasmën e së bijës. Ditën e dasmës, tregtari me familjen e tij po prisnin të ftuarit. Në dasmë merrnin pjesë të gjithë të pasurit e qytetit, të cilët ishin veshur me rrobat më të mira. Rrobat që kishte veshur poeti nuk ishin të shtrenjta. Ai priti në një qoshe, që dikush t’i afrohej, por asnjë nuk shkoi pranë tij. Duke parë këtë situatë, ai largohet nga festa dhe shkon në një dyqan, ku merr me qira rroba të shtrenjta. Kur kthehet në festë të gjithë e presin krahëhapur.
Sapo u afrua, tregtari tha:


“Ja ku erdhi dhe poeti ynë i preferuar. Përse u vonove kaq shumë, mor mik? Pa dyshim që festa do të kishte qënë e paplotë pa ju! “

Poeti nuk tha asnjë fjalë. Vetë tregtari e shoqëroi pranë tavolinës së ngrënies, që ishte shtruar me ushqime të shumëllojshme dhe i ofroi si fillim një pjatë me supë. Më pas ndodhi diçka e çuditshme. Poeti futi një cep të jelekut që kishte veshur në supë dhe iu drejtua sikur të ishte një njeri: 

“Kjo festë është për ju. Shijojeni!” – tha ai.
Të gjithë u habiten nga ky veprim dhe tregtari i tha: 
“Çfarë po bëni? Si mund të hanë rrobat?”

“Mik i dashur, jam i habitur që ti po më bën këtë pyetje.Ti ishe ai që s’mi hodhi sytë fare, kur erdha me rroba të thjeshta. Them se rëndësi për ty kanë rrobat dhe paraqitja ime dhe jo vlera që kam unë si njeri. Prandaj mund të them se kjo festë është vetëm për rrobat e mia dhe jo për mua.”

Burimi: Akropoli i Ri