Pasditen e së enjtes, në orën 18.00, në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës do të shfaqet filmi dokumentar “Rikthim në Lajpcig” kushtuar legjendës së portës durrsake dhe asaj të kombëtares shqiptare, Sulejman Maliqatit.

Me këtë rast, do të organizohet edhe një ceremoni e veçantë për Maliqatin, një nga emrat më të shquar të futbollit në Durrës, një 91-vjeçar që ka lënë gjurmë në historinë e futbollit shqiptar dhe jo vetëm.

Në epiqendër të filmit dokumentar do të jetë pikërisht ai, “Macja e zezë”, frymëzimi për dhjetëra breza futbollistësh. Filmi fokusohet në një moment të veçantë të karrierës së Maliqatit, vitit 1958, kur në Lajpcig, në Gjermaninë Lindore, ai do të fitonte nofkën që e ka shoqëruar jo vetëm gjatë karrierës së tij futbolliste, por edhe në ditët e sotme.

Në këtë turne që u zhvillua në Gjermaninë Lindore, Sul Maliqati u bë i pakalueshëm nga sulmuesit e skuadrave të famshme dhe për këtë shtypi i kohës e  krahasonte me një mace që nuk lë top të kalojë në rrjetë.

“Ka qenë turneu i Ushtrive Popullore në 1958 dhe zhvillohej në Gjermaninë Lindore me pjesëmarrjen e skuadrave nga vendet komuniste si Kina, Vietnami, Korea, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Polonia, Çekia, Bashkimi Sovjetik dhe RDGJ-ja. Ne i fituam pa përjashtim të gjitha ndeshjet në grup dhe ato me eleminim më pas. Mundëm Vietnamin 2-0, Rumaninë 1-0, Kinën 2-0, Cekinë 1-0, Hungarinë 1-0, RDGJ 2-0, BS 1-0 dhe në finale do ndesheshim me Bullgarinë. Ajo ka qenë ndeshje e fortë dhe 7 min para përfundimit Niko Bespalla humbet në rast të pastër i vetëm para portës. Pas 5 minutash, kur duheshin edhe 2 minuta që të përfundonte loja, mbrojtësi i famshëm bullgar Rakorovi, çan mbrojtjen dhe shënon golin e vetëm që kam pësuar në atë turne. Gjatë gjithë atyre ndeshjeve unë u cilësova nga gazetat e shumë vendeve pjesëmarrëse si “macja e zezë” për shkak edhe të uniformës që mbaja, mbathje dhe fanelë e zezë”,- kujton Maliqati për atë turne në një intervistë të dhënë vite më parë.

Portieri që gjatë gjithë viteve të karrierës së tij në futboll nuk përdori asnjëherë doreza do të hynte në historinë e futbollit shqiptar duke mbrojtur portën e Partizanit të famshëm dhe kombëtares shqiptare të futbollit në vitet ’49-’65.

Nesër në Durrës pritet të jenë jo vetëm miq e dashamirës të Sulës nga Durrësi, por edhe përfaqësues nga Partizani, nga Kavaja që është dhe vendlindja e Sul Maliqatit, nga Shijaku etj. 

/portali DurresLajm/

Burimi: Portali i qytetit të Durrësit, www.durrëslajm.al