Historia zyrtare ngjan shumë e cekët, fakte të mbledhura në burime alternative, flasin ndryshe.
Gjergj Erebara

Historia, si gjithmonë, shkruhet për njerëzit në pushtet. Për ata që qeverisën. Shumë rrallë mund të gjesh ndonjë gjë për të qeverisurit. Banka e Shqipërisë, një institucion i themeluar fillimisht më 1925, nuk bën përjashtim. Një histori zyrtare e publikuar prej saj në faqen e vet të internetit dhe e hartuar disa vite më parë, jep një përshkrim të shkurtër pa hyrë shumë në detaje, pa sqaruar se çfarë pasojash pozitive apo negative patën “të qeverisurit”, pra njerëzit e zakonshëm prej saj. Faktet e mbledhura lartë e poshtë pa ndonjë punë sistematike japin për fat të keq, një panoramë jo kaq të bukur. Pas fasadës delikate të punuar me shije artistike të hollë, ku paraqiten njerëz duke punuar dhe duke krijuar mirëqenie, janë marrë disa vendime që për shumë shqiptarë kanë shkaktuar tragjedi të vërtetë. Vjedhjet, mbulimi i paudhësive dhe mosndëshkimi kanë qenë të shumta gjatë së gjithë ekzistencës së saj.

Fillesat

Banka e Shqipërisë u themelua më 1925 si një “koncesion”. Çatin Saraçi, një njeri jo shumë i njohur i historisë së Shqipërisë, por që në atë kohë punonte si këshilltar i Ahmet Zogut, mbylli ca kujtime në një kuti bankare në Londër, të cilat u hapën shumë dekada më vonë. Ato kujtime u publikuan së fundmi në shqip. Saraçi thotë se Zogu i ka pranuar në konfidencialitet se ka marrë 2 milionë franga ari ryshfet për koncesionin e bankës. Arsyeja e denoncimit të Saraçit, nuk ishte se këtij të fundit i dhimbseshin shqiptarët. Përkundrazi, ai e denoncoi sepse nuk kishte marrë një pjesë të ryshfetit që besonte se i takonte. Të 2 milionë frangat janë të barabarta me 570 kilogramë ar. Shpenzimet e buxhetit të shtetit në atë kohë qenë 25 milionë franga ar, pra ryshfeti që Zogu raportohet nga Saraçi se e ka marrë për koncesionin e bankës, është i barabartë me 8 për qind të buxhetit. Është njësoj sikur sot, një kryeministër të marrë ryshfet në një rast të vetëm afro 300 milionë dollarë.

Një grup deputetësh ngritën një “komision parlamentar” për hetimin e koncesionit dhe e shpallën ministrin e Financave të kohës Mufid Libohova, i cili ishte firmosësi i koncesionit, “tradhtar i kombit”.

Vetë dhënia me koncesion e emisionit të parasë dhe monopolit të aktivitetit bankar në vend binte ndesh me parimet e njohura ndërkombëtare. Në fakt, në atë kohë, Lidhja e Kombeve i pati kërkuar të gjithë anëtarëve të saj ndarjen e bankës së emisionit nga banka tregtare si parakusht për të fituar kredi zhvillimi prej saj. Bota e pati kuptuar rreth tri dekada më parë se ka një konflikt të dukshëm interesi mes një banke qendrore përgjegjëse për zhvillimin e vendit dhe një banke nën pronësi private. Të bësh politikë monetare nënkupton që të humbasësh para. Në rastin e bankës qendrore, humbja e parave nuk mund të ndodhë, por gjithsesi, kur i ul interesat e kredive që jep për të rigjallëruar ekonominë, banka qendrore fiton më pak. Kur kjo bankë është nën pronësi private, objektivi nuk është zhvillimi ekonomik por maksimizimi i fitimeve. Por kjo gjë nuk i bëri shumë përshtypje qeverisë së kohës.

Banka Kombëtare e Shqypnis, deri sa Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, zbatoi standardin e arit. Si një institucion që ishte nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë italiane, ajo e la ekonominë shqiptare efektivisht pa para. Në mungesë të copave të letrës apo të monedhave, nuk kishte shkëmbim të punës me mallra dhe mallra me mallra të tjerë. Vendi u zhyt në një ekonomi primitive. Mitrush Kuteli raporton se si mungesa e parasë fizike në qarkullim solli shpikjen e mjeteve të tjera “thuajse para”. Shkrepëset apo paketat e cigareve filluan të përdoren si mjete pagese, krahas vërtetimeve me dorë të lëshuara nga tregtarët.

Zbatimi i standardit të arit vijoi, edhe pse shumica dërrmuese e botës hoqën dorë pas krizës së Depresionit të Madh, duke prodhuar para, duke e shpërndarë atë për popullatën dhe efektivisht, duke ndihmuar rigjallërimin e tregtisë. Në një relacion të Bankës së Shqipërisë të vitit 1936, ekzistenca e standardit të arit në këtë periudhë merr edhe formën e një debati mbi politikat.

“Frangu shqiptar mbetet e vetmja valutë që të ket ruejtë të pa ndryshueshëm paritetin e sajë t’arit origjinare e këjo, jo vetëm de jure por edhe de facto, kaq sa sot në Shqipni për refleks t’importimevet arit të sipërtreguëm, bankonota asht shkëmbye ndër kontraktimet e lira të piacës pa vështirsi kundrejt monedhave ari”, thuhet në raport. Shkaku për këtë “mrekulli” qe që banka mbante rezerva ari shpesh më të mëdha se sa sasia e monedhës letër në qarkullim. Vende si Anglia, Franca apo SHBA-ja, konsideronin “standard ari” kur kartëmonedhat në qarkullim qenë tri herë më të larta se sa rezerva në ar apo në deviza të forta. Në një rast normal, banka do të hidhte më shumë para letër në qarkullim, e cila do të konvertohej në punë publike, si dhe më e rëndësishmja, pajisja e qytetarëve me mjetin e domosdoshëm për këmbim. Por banka dukshëm nuk kishte ndër mend të bënte diçka të tillë dhe të çlironte ekonominë nga ngërçi. Italia fashiste, e cila ishte pronare e bankës, nuk kishte pse të angazhonte burime ari në mbështetje të ekonomisë shqiptare. Ajo mund të mbante pak ar në Shqipëri dhe të përdorte pjesën tjetër për interesa të veta. Përgjatë të gjithë viteve ‘30, një krizë e thellë përfshiu Shqipërinë, e cila vuri në diskutim edhe mbijetesën e përditshme të një pjese të madhe të popullsisë.

Në Bankën e Shqipërisë, në atë kohë, kishin depozitat gjithsej 1200 shqiptarë. Në një popullatë prej 1 milion banorësh, kuptohet se ky ishte institucioni i të pasurve, jo i të gjithë shqiptarëve. Dhe mbi të gjitha, nuk ishte një institucion që kryente realisht politikë monetare. Politika e standardit të arit, që zbatohej prej saj, nuk i shpëtoi shqiptarët nga inflacioni. Në vitin 1935, inflacioni ishte 10 për qind ndërsa më 1936 u rrit edhe me 11 për qind të tjera. Nuk ka të dhëna për të ardhurat e popullsisë gjatë kësaj periudhe, por të ardhurat e buxhetit të shtetit, të cilat janë një matës indirekt i gjendjes ekonomike të vendit, flasin për një rënie drastike nga 30 milionë franga ar më 1930, në 17 milionë më 1936. Ky gati përgjysmim i të ardhurave tregon nga njëra anë gjendjen e vështirë ekonomike dhe nga ana tjetër, degjenerimin e pushtetit. Shumë nga pronat që më herët krijonin të ardhura për shtetin, u “privatizuan” ose u dhanë “me koncesion”.

Nënshtetasit italianë në fillim kishin 45% të aksioneve themeltare. Qeveria shqiptare, gjatë së gjithë kohës, nuk kishte aksione te Banka. Pjesa e aksioneve të zakonshme të mbajtur nga nënshtetasit shqiptarë u reduktua gradualisht nga 30% që ishte në fillim, në 1.5% në shtator 1943. Në vitin 1935, qeveria italiane i shtetëzoi përmes një dekreti të gjitha aksionet e mbajtura nga nënshtetasit italianë, ndërsa filloi një program për blerjen e aksioneve nën pronësinë e huaj, gjë që solli që më 16 shtator 1943, Italia të zotëronte 88.5% të aksioneve të zakonshme dhe themeltare të Bankës.

Gjatë luftës, banka shërbeu për financimin e investimeve italiane në Shqipëri, si dhe për financimin e luftës kundër Greqisë. Ajo imponoi një kurs fiks këmbimi si dhe shpalli një monopol në tregtinë e këmbimit valutor.

Pavarësisht si e qysh, periudha e pushtimit italian duket se ka qenë edhe një mrekulli e vërtetë ekonomike për shqiptarët. Me qindra mijëra trupa italiane në vend dhe me dhjetëra mijëra vende pune të hapura në ndërtim, transport e industri, Shqipëria përjetoi një urbanizim të shpejtë.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe ardhjes së komunistëve në pushtet, Banka e Shtetit Shqiptar, tashmë e konfiskuar dhe tërësisht nën kontrollin e qeverisë, u bë një armë e ftohtë për imponimin e kontrollit qeveritar në të gjitha aspektet e jetës. Monedha kombëtare kaloi në disa filtra këmbimi që synuan mes të tjerash, edhe kthimin në letra pa vlerë të kursimeve të qytetarëve. Tregtia e lirë e arit dhe monedhave të huaja u ndalua, banka filloi të blejë me çmim shumë të lirë të gjitha monedhat e disponueshme për shitje nga popullata. Blerja e monedhave të floririt me çmime qesharake nën kërcënimin e torturave dhe burgosjes vijoi deri në ditët e fundit të komunizmit.

Gjatë kohës së komunizmit, raporte të ndryshme flasin për depozitimin nga ana e Bankës së Shtetit Shqiptar të shumave të mëdha monetare në bankat e Zvicrës, depozita që qenë jo nën llogari të shtetit shqiptar, por në llogari personale të udhëheqësve komunistë. Këto quheshin “fondet e kundërrevolucionit” dhe teorikisht do të përdoreshin nga qeveria komuniste shqiptare, në rast se ndodhte ndonjë kryengritje apo pushtim i huaj i vendit. Asnjë hetim nuk është kryer deri më sot për të parë nëse këto depozita janë hapur vërtet dhe se çfarë është bërë me këto para pas rënies së komunizmit. Përdorimi i bankës për vjedhjen e popullatës u krye edhe përmes konvertimit të detyrueshëm të të ardhurave të dërguara nga popullata shqiptare në emigracion për familjet e tyre në Shqipëri. Megjithëse nuk është fakt shumë i njohur, remitancat qenë disa milionë dollarë në vit edhe gjatë viteve ‘80, sipas librit “Mbi marrëdhëniet ekonomiko-tregtare, eksport-importit dhe bilancit valutor” me autor Eqrem Beci.

Këto fakte nuk kanë gjetur shumë vend në historinë zyrtare të Bankës së Shqipërisë për këtë periudhë. E pazbardhur mbetet edhe ajo që ndodhi në prag të rënies së komunizmit, kur banka thuhet se u përdor nga grupime të krimit ndërkombëtar për pastrim parash.

Si një veprim i fundit, BSH dhe qeveria ndërmorën zhvlerësimin masiv në vitin 1991, zhvlerësim që praktikisht fshiu kursimet e një jete për shumë shqiptarë.

Historia e kohës së demokracisë nuk është më pak e zezë. Përgjatë viteve të para, banka financoi drejtpërsëdrejti qeverinë përmes inflacionit. Ajo duket se nuk veproi sa duhet për të mbrojtur kursimet e shqiptarëve, të cilat u goditën nga njëra anë nga skemat piramidale dhe nga ana tjetër, nga kreditë e bankave shtetërore. Për skemat piramidale, banka dërgoi disa letra në qeveri, duke i sugjeruar të mbyllë piramidat përmes përdorimit të kontrolleve fiskale, por nuk bëri ndonjë denoncim publik të problemit. Më pak e dukshme, ose më e fshehtë përballë syve të shqiptarëve, qe një vjedhje tjetër masive që Banka e Shqipërisë nuk bëri shumë për ta parandaluar apo për ta denoncuar. Tri banka shtetërore, të cilat qenë nën mbikëqyrjen e BSH, dhanë mbi 200 milionë dollarë kredi politike, të cilat nuk u kthyen kurrë. Ndërsa debati post-skemave piramidale nxori në pah disa letra të zbehta të dërguara për qeverinë, vjedhja tjetër përmes kreditimit, nuk u zu kurrë në gojë dhe sot nuk dihet nëse e ka kryer funksionin e vet bazë për të kontrolluar cilësinë e investimeve të bankave. Në fund, vjedhja u pagua nga shqiptarët përmes emisionit monetar, pra përmes inflacionit. BSH prodhoi para në vitin 2001, për të shpëtuar nga falimenti bankat shtetërore, ky inflacion rëndoi mbi të gjithë shqiptarët njëherësh.

Është ende herët për të folur për çfarë ka ndodhur gjatë dekadës së fundit me institucionin enigmatik që përbën njëkohësisht zemrën e ekzistencës së shtetit, si dhe një bombë që në shumicën e rasteve shpërthen butë, por që gllabëron kursimet dhe shpresat e njerëzve njësoj sikur shpërthimi të ishte i zhurmshëm.

Gjatë viteve 2002-2008, vendi përjetoi një stabilitet monetar të lavdërueshëm, me kurs këmbimi stabël dhe inflacion të ulët. Në vitin 2009, leku shqiptar u zhvlerësua me 15 për qind si pasojë e vendimit të bankës për të financuar pa limit bankat private me kredi me interesa të ulëta, kredi që bankat e përdorën gjerësisht për të financuar qeverinë me interesa më të larta, duke realizuar fitime pa bërë asnjë punë.

BSH hoqi dorë së fundmi nga shtypshkronja e letrave me vlerë dhe qeveria me nxitim ia kaloi monopolin e shtypjes së pullave fiskale një kompanie private.

Ndoshta pjesa më simpatike e këtij institucioni, me përjashtim të fasadave historike të stilit racional fashist, është eksperienca e gjatë në numizmatikë dhe pasuria kulturore e krijuar në këtë drejtim gjatë shumë dekadave dhe që aktualisht po vihet në dispozicion të publikut të gjerë. Dhe një nga funksionet më të rëndësishme të bankës, mbrojtja e klientëve të bankave, duket se ka shumë defekte. Përgjatë viteve të fundit, si pasojë e veprimeve të paskrupulla të disa bankave në vend përballë klientëve, ka pasur thirrje të shumta për krijimin e mekanizmave mbrojtës. BSH është kufizuar deri më sot vetëm te hartimi i rregulloreve për të rritur transparencën e bankave përballë publikut, duke imponuar shpjegime më të hollësishme e më të kuptueshme për kostot e shërbimeve bankare. Por vendosja e disa parimeve të njohura ndërkombëtare si “norma e fajdexhiut”, as që janë zënë në gojë. Në pothuajse të gjitha vendet e zhvilluara, kreditë e dhëna me një normë interesi tepër të lartë, konsiderohen thjesht të paligjshme. Racionaliteti për këtë parim është i thjeshtë: kur njerëzit janë në vështirësi, mund të pranojnë kredi me çfarëdolloj interesi, por kredia nuk duhet të jetë një produkt zhvatës. Kur interesat janë shumë më të larta nga sa mund të fitohet përmes vënies në punë të principalit të kredisë, atëherë interesi është zhvatës, ose “normë fajdexhiu”. Por një mekanizëm i tillë në Shqipëri nuk ekziston.

Gjuha e raportimeve të bankës mbi gjendjen e ekonomisë duket se nuk ka ndryshuar shumë gjatë dekadave. Ajo është e butë, me fjalë dykuptimëshe dhe shpesh, plot lavde për një mrekulli ekonomike që po aq shpesh rezulton se është një krizë shkatërrimtare.

Raporti i vitit 1936, p.sh, fillon me fjalët: “Rimkambja e shqueme në vjetin 1935 ndër disa sektore t’ekonomis shqiptare asht vërtetue e zgjanue edhe në vjetin 1936. Sikurse asht përmende në relacjonin e maparshëm elementat e favorshëm të nji të tillë rimkambje janë bazue veçanërisht në vleftësimin e disa eksportimeve themelore të Shqipnies n’arritjen e t’ardhunave të reja financjare nga jashtë”. Në të njëjtin vit, të ardhurat e buxhetit të shtetit shënuan pikën më të ulët që nga koha kur Shqipëria filloi të funksiononte si shtet pas Kongresit të Lushnjës. Viti 1936 njihet edhe si viti i krizës së bukës, përjetësuar me poezitë ulëritëse të Migjenit. Vetëm një gënjeshtar pa skrupuj mund ta konsideronte një situatë të tillë “rimkambje”.

Ndoshta është gjuha e mërzitshme e ekonomistëve që del pa kuptim për publikun e gjerë, por si raportet e shtatëdhjetë viteve më parë, ashtu edhe këta që BSH publikon sot, kanë shumë karakteristika të përbashkëta.

Çatin Saraçi

Ahmet Zogu i tha këshilltarit të tij se mori 2 milionë franga ar ryshfet për koncesionin e Bankës së Shqipërisë. Se sa është e vërtetë kjo gjë, nuk dihet, por 2 milionë frangat atëherë janë njësoj sikur kryeministri i sotëm të vjedhë 300 milionë dollarë me një dorë

Një grup deputetësh ngritën më 1926 një “komision parlamentar” për hetimin e koncesionit dhe e shpallën ministrin e Financave të kohës Mufid Libohova, i cili ishte firmosësi i koncesionit, “tradhtar i kombit”

Gjatë luftës, banka shërbeu për financimin e investimeve italiane në Shqipëri, si dhe për financimin e luftës kundër Greqisë. Ajo imponoi një kurs fiks këmbimi, si dhe shpalli një monopol në tregtinë e këmbimit valutor/Gazeta-Shqip.com