Luan Rama – Kodra ka vite që ka vdekur. Emri dhe arti i tij bënë histori: nga kodra e Ishmit ku u rrit jetim, pastaj përmes detit dhe bohemia e tij si artist në Itali. Shqipëri-Itali-Europë… Përveç disa studimeve të pakta mbi veprën e tij, padyshim një njohës i mirë i artit piktural do të na sillte refleksione të tjera dhe më të thella për veprën e tij, pasi piktura, siç dihet ka gjuhën e vet, ashtu siç e kanë të gjitha artet e tjera, apo siç ka gjuhën e vet dhe lëvizja e trupit, «fjalori» i një koreografi të vërtetë. Nganjëherë, vizionet e reja i kanë sjellë dhe shkrimtarët që e kanë dashur shumë pikturën, siç ishte André Malraux me « Le Musée imaginnaire» apo «Ecrits sur l’Art »; Louis Aragon me «Henri Matisse roman» apo «Ecrits sur l’art modern», apo Paul Eluard me «Anthologie sur les écrits sue l’art», pa përmendur këtu një nga kritikët e hershëm francezë, poetin e shquar Charles Baudelaire, i cili e shikonte pikturën ndryshe nga bashkëkohësit e vet.

Formatet e pikturës së Kodrës janë të formateve të zakonshme, në përgjithësi as shumë të mëdha dhe as shumë të vogla, e megjithatë, disa peizazhe me elemente të formave gjeometrike të frymëzojnë për t’i parë ato në dimensione të mëdha apo shumë të mëdha, duke marrë trajtën e pikturës monumentale. Kjo sigurisht, është një pyetje që i adresohet më shumë kuratorëve të artit. Mbase Kodra nuk e ka pas menduar këtë, ose ndoshta e ka menduar gjatë realizimit të saj për vetë forcën figurative të kompozimit, po sidoqoftë kjo do t’i kërkonte një atelier të madh dhe pikësëpari një sipërmarrës të fuqishëm që do t’i komandonte një vepër të tillë, dhe këtë ai nuk mund ta siguronte dot. Diego Rivera e kishte këtë mundësi. Sipërmarrësit e tij vendas dhe të huaj, amerikanë, i dhanë mundësi të bënte piktura monumentale, afreske e mozaikë gjigandë çka hynë në fondin e artë të artit meksikan. Kështu ai realizoi « Dreamstime », « Nën një qiell të mjegullt » apo « Revolucioni si ritual », etj.

Por, a e ka Kodra një mundësi të tillë për tu përdorur në një pikturë monumentale? Mbase gabohem, por personalisht them se po. Po t’i shohësh me vëmendje tablotë e tij për një kohë të gjatë, tablo të llojit të «Oltremare», ku harmonia e ngjyrave dhe kompozicioni krijojnë një sublimitet më vete dhe diçka ngazëlluese, njeriu krijon një tjetër percepsion të veprës. Dhe të ndodh që duke hyrë në atë lojë ngjyrash e figurash gjeometrike ta imagjinosh veten përballë një imazhi monumental. Eshtë një lloj tërheqjeje që arti i bën njeriut, një lloj «thithje»? Këndej dhe mundësi për ta nxjerrë Kodrën nga korniza e një tabloje, e një ekspozite dhe për ta ekspozuar atë në rrugë, për ta nxjerrë jashtë, në jetën e përditshme qytetare, mes njerëzve, në fasadat e mëdha apo holle institucionesh, qendrash kulture, holle hotelesh moderne që po i shtohen Shqipërisë.

Sigurisht, jo pak do mendonin se kjo mund të ishte një lloj aventure dhe se nuk kemi pse ta nxjerrim Kodrën nga kuadri ku e ka vendosur ai. Por nga ana tjetër, asnjë kurator modern dhe i njohur europian, apo i përtej Atlantikut, nuk e ka pyetur as Leonardo Da Vinçin, as Raffaello-n, as Boticcelin dhe rradhën e gjatë të gjenive të «Rinachimento»-s për t’i ekspozuar veprat e tyre në hapësira gjigande, siç i shohim nëpër botë, ku hiret e tyre veç janë ekspozuar më me dritë duke i bërë nder vetë pikturës dhe krijuesit të saj. Kjo i jep artit një mision akoma më qytetar, e afron artin tek publiku, e bën të prekshëm nga të gjitha shtresat e popullsisë, nga të gjitha kategoritë e niveleve kulturore, moshave, etj. Në fund të fundit, njeriu i rrugës dhe kalimtari më i thjeshtë ka nevojë për bukurinë e artit të të gjitha epokave njerëzore!

/GSH.AL