Në verën e 2011, askujt prej ne të treve nuk i shkonte mendja që B3F-ja (Balkan Film & Food Festival) do të mbërrinte edhe në një edicion të nëntë. Më saktë, mendja mbase na shkonte, porse ishte si ato ëndrrat e parealizueshme për të cilat e vë edhe vetë buzën në gaz me autoironi. Por ja që, për fat të mirë, paskëshim qenë gabuar. Në sofrën e madhe të filmit dhe kulinarisë ballkanike në anë të Liqenit të Pogradecit, janë të gjithë bashkë. Sërisht, në të nëntin vit rradhazi.

Ky festival nisi si një ëndërr e bukur, por që për tu bërë realitet duhet të përshkruash një udhë të vështirë. Është si të rrisësh një fëmi, madje një fëmi nopran. Tek e fundit, a nuk jemi kështu ne ballkanasit? Asokohe, kur mori udhë B3F, e dinim se duhej shumë punë e mund që të shtonim radhët e miqve, por ama as që e dinim se shumë herë një festival mund të marrë edhe trajta njerëzore.

Që nga ajo kohë kanë rrjedhur, thuajse si pa u kuptuar, nëntë vjet të mira. Këtë edicion ne jemi, pak a shumë, po ata, por festivali “njeri” është rritur. Festivali është lidhur edhe më fort me Pogradecin dhe anasjelltas. Kjo ka bërë që secili prej nesh të shndërrohet pak nga pak në njohës të mirë, jo vetëm të njerëzve, të vendeve rreth e rrotull, por edhe të legjendave të shumta që gjallojnë në këto anë.

Pogradeci e meriton që të jetë një herë në vit kryeqendra e kulturës ballkanike. Atje përplasen të gjitha tendencat, historitë, ngjarje të vrazhda, por edhe histori mirësie pa fund, atje kanë kaluar karvanet e të parëve tanë, që nuk e vrisnin edhe aq shumë mendjen për politikat nacionaliste e të mbrapshta, që na drejtuan kaq e kaq kohë.

Pastaj është edhe magjia e gjolit dhe e njerëzve që jetojnë rreth tij. Ata nuk e vrasin mendjen dhe aq shumë për gjeopolitikat që shkojnë e vijnë, dhe aq më shumë për njerëzit që shihen, kush e di sepse, me inat të pabazuar. Pogradeci është vendi i miqësisë dhe i miqve, i njerëzve që rrinë bashkë pa e vrarë fort mendjen për ata që frymëzojnë ndarjen dhe jo të qënit bashkë,

Nga 2011 e deri në 2019 kanë kaluar shumë muaj, ditë, orë, minuta. Shumica prej nesh janë po ata, me mendjen dhe zemrën e hapur për nga miqësia, pa të cilën jo vetëm asnjë art, por madje asnjë komunikim nuk është i mundur. Nuk na takon neve të mburremi.

Madje as nuk e kemi pasur ndonjëherë zakon. Porse tash që kujtojmë edicionin e parë, të dytë, të tretë e me radhë e kemi një të drejtë ta brohorasim: sot kemi nëntë herë më shumë miq e shokë!!! Nga Shqipëria, nga Ballkani, nga Europa dhe nga krejt bota. Andaj përqafi mi që do t’ju japim këtë herë do të jetë nënte fish më i fortë.

Mirë se të vini në këtë përqafim po aq të madh sa Liqeni i Pogradecit.

Fatos Baxhaku

Marrë nga portali: AktoretShqiptare.info