94 vjet më parë, pikërisht më 19 gusht 1925, do të udhëtonte për në Shkodër, skuadra e Kamzës, me emrin “Tërkuzaj”, e cila do të zhvillonte të parën ndeshje, jashtë Kamzës. Skuadra e Tërkuzajt do të zhvillonte ndeshjen e parë ndërqytetëse, siç e komenton dhe vetë shtypi i asaj kohe.

Siç dihet nga viti 1923-1925, në qytetin e Shkodrës, zhvillonin aktivitetet sportive skuadrat “Djelmnia Shkodrane”, “Drita”, “Juventus”, “Lekë Dukagjini” e lagjes Tophane, “Studente Shkodra”, “Taraboshi” dhe “Sparta”. Kjo ndeshje u luajt në fushën sportive të Lagjes Rus, e cila ndodhej në fund të rrugës “Turrejn”, pranë xhamisë plakë.

Të pranishëm në këtë ndeshje, qenë disa prej këshilltarëve të Bashkisë së Shkodrës, si J. Repishti, F. Kraja, K. Mjeda, R. Dabërdaku, e L. Sinani, ndërsa nga Kamza qe kryetari I komunës së Kamzës (Tërkuzaj), Mustafa Boja, tregtari Xhemajl Grublleshi si dhe themeltari i Shoqnisë Vllaznisë, z. Hil Mosi.

Për çuarjen e ekipit të Kamzës, në Shkodër, ka sponsorizuar, me fondet e veta personale, vetë Kryetari i bashkisë së Tiranës, z. Fuat Toptani, si bir kamze që ishte, fill mbas Lojrave Olimpike Shqiptare, që qenë organizuar nga shkolla Teknike, më 28 qershor 1925, në Shallvare dhe të ndeshjes që zhvilloi skuadra Përfaqsuese e Tiranës me skuadrën Përfaqsuese të Shkodrës, më 19 korrik 1925, e cila u fitua nga skuadra kryeqytetase, Tirana 2-1.

Por një kontribut financiar për çuarjen në këtë aktivitet të skuadrës së Kamzës, në Shkodër, ka dhënë edhe tregtari i Tiranës, që hapi restorantin e parë në Malin e Dajtit, z. Xhemajl Grublleshi. Kronika e ndeshjes: Fiks në ora 5 të mbasdites së 19 gushtit 1925, referi Hysejn Draçini, i ra bylbylit për fillimin e lojës.

Skuadrat qenë rreshtuar me këta djelmosha: “Sparta” Shkodër: Ejell Koliqi, Sinan Bërdica, Cak Bufli, Ndrek Kaçulini, Hil Koka, Ndrek Pistulli, Jakup Rroja, Het Gjyrezi, Selim Ali Aga, Beqir Neziri, Janus Repishti. Trajner: Kel Marubi.

“Tërkuzaj” Kamëz: Salih Hoxha, Avni Zajmi, Tahir Zajmi, Qamil Çela, Qazim Konomi, Rexhep Maloku, Hajdar Sina, Bajram Qevani, Ali Beshiri, Xhemal Mëniku, Mashar Pustina. Trajner: Qamil Çela. Refer: Hysejn Draçini. Shkelmimin e parë nga qëndra e bëjnë vëndasit, ndërsa miqtë zgjedhin portën.

Ndeshja asht` zhvillue ma shum` në portën e miqve, nga Kamza. Gjatë lojës së parë skuadra shkodrane pat shënue plot 5 gola, duke mos pësue asnji. Në lojën e dytë, miqtë nga Kamza, kanë mujtun me shënue të paktën tri gola, ndërsa spartanët shkodranë e kanë çue në 7 numrin e golave të tyne. Krejt ndeshja pat përfundue, 7-3 për Spartën. Skuadra e Kamzës, pamvarësisht nga humbja e thellë në Shkodër, duhet vlerësue për gucimin e marrun, për me ardhun në Shkodër e me luejt.

Burimi: ShkodraSport.com