Opera Traviata 1956 Marie Kraja Kristaq Antoniu
Opera Traviata 1956 Marie Kraja Kristaq Antoniu

Artisti i Popullit Kristaq Antoniu lindi në Bukuresht më 25 dhjetor 1907. Familja e tij ishte nga Korça. Studioi në Shkollën e Lartë të Artit Dramatik, aty kishte pedagog kantoje Mihail Toskaninin. Që në vitin 1924, viti i parë i studimeve, u aktivizua te filmi me metrazh të shkurtër “Gjynahu i parë”. Në periudhën 1924-1931 Kristaqi luajti në 11 filma: “Ladash”, “Lya”, “Majori Murra”, “Janku Zhianu”, “Hajduci”, “Çokoi”. etj. Nga të cilët në katër prej tyre: “Majori Murra”, “Janku Zhianu”, “Hajduci”, “Çokoi” luante rol kryesor. Talenti i tij u vlerësua nga mjaft personalitete të artit.

Ai u bë një yll i filmit jo vetëm në Rumani. Mbas disa vitesh me aktivitet të vazhdueshëm në kinematografi, Antoniu kreu një kurs specializimi në qendrën eksperimentale të kinemasë në Romë. Në vitin 1939 ai luajti role në dy filma, të cilat fatkqësisht nuk i përfundoi. Ai mbajti lidhje me shkrimtarin e njohur Viktor Eftimiu që e kishte fis nga e ëma.

Në vitin 1930 Antoniu mori pjesë si këngëtar në Festivalin e Shoqërisë Studentore në Bukuresht, ku pati shumë sukses. Më 1933, për herë të parë Antoniu shkoi në Shqipëri, i ftuar në një koncert në Tiranë. Ngaqë suksesi ishte i madh organizoi një turne në qytetet kryesore të Shqipërisë me një program të pasur me këngë, romanca e arie operash të dëgjuara, bashkë me pianisten e mirënjohur Lola Aleksi Gjoka. Më vonë kthye në Bukuresht dhe interpretoi në teatrin “Alhambra”. Në vitin 1940 shkoi për një kurs specializimi në kanto në Qendrën Eksperimentale të Këngës së Dancit në Firence në Itali ku kishte pedagog Pol Vorezz. Pas përfundimit të kursit ai regjistroi në Itali në shoqërinë Columbia, 15 këngë shqiptare, këngë popullore dhe krijime të kompozitorit Pjeter Dungu, i cili ishte edhe pianist, të cilat patën mjaft sukses.

Në vitin 1942, Antoniu u ftua të interpretonte në rolin e Turidos te “Kavaleria Rustikana” e Pietro Maskanjit, shfaqur në teatrin “Garibaldi” të Firences. Në vitin 1942 Antoniu kthehet përfundimisht në Shqipëri. Po në këtë vit ai martohet me piktoren shqiptare nga Korça Androniqi Zengo. Pas çlirimit të Shqipërisë dha disa koncerte në shumë qytete, por edhe në Shkup, në Jugosllavi e Bullgari.
Në vitin 1950 ishte ndër të parët në Filarmoninë e krijuar dhe vazhdoi edhe pas krijimit të Teatrit të Operas dhe Baletit. Këtu ai interpretoi në operat “Kavaleria Rustikana”, “Traviata”, “Romeo e Zhuljeta”, “Pricesha Cardash” etj.

Më pas Antoniu aktivizohet edhe si regjisor në vënien në skenë të operës së parë shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës.
Në vitin 1975 iu dha titulli “Artist i Popullit”
Vdiq në Tiranë më 17 mars 1979.