Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Akademia e Shkencave tryezë për 84 vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare

Do ishte e padrejtë që Kadare të shihej si një figurë e heshtur gjatë diktaturës komuniste. Një rilexim i veprave të shkruara nga shkrimtari gjatë diktaturës por dhe publikimi i një sërë dokumentash nga botimet UET PRESS dhe Instituti Europian Pashko të studiuesit Dashnor Kaloçi nën titullin “Kadare dhe regjimi komunist”, tregojnë qartë se Kadare jo vetëm që nuk ka qenë i heshtur gjatë regjimit, por shpesh dhe i atakuar prej tij.

Në 84 vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Akademia e Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit organizuan një tryezë me titullin “Kadare dhe letrat shqipe”, ku morën pjesë akademikë, studiues të letërsisë, shkrimtarë e njerëz të letrave.

Në këtë takim kryetari i Akademisë Skënder Gjinushi bëri publike dhe një letër drejtuar Akademisë Suedeze të Nobelit ku shkrimtari ripropozohej për këtë çmim. Rikonfirmimi i vlerave është një gjest për t’u vlerësuar nga ana e Akademisë së Shkencave, e cila kërkon të sjellë në vëmendjen e kësaj akademie një shkrimtar që tashmë i përket botës.

“Mund të ngjajë sikur është një përsëritje rutinë, por ne jemi këmbëngulës për ta ribërë propozimin sa herë na jepet mundësia. Kemi sërish ftesë nga Akademia Suedeze për të propozuar një emër. Jo Kadarenë, por një kandidaturë që mund të jetë e letërsisë shqipe apo e një letërsie tjetër. Nuk është një propozim rutinë, pasi për fat vepra e Ismail Kadaresë vit pas viti ka diçka të re. Siç e dini, vitin e kaluar kishte tri çmime me njohje ndërkombëtare, që e shtrinë gjithë lexuesin e tij në të gjithë hapësirën botërore. Por njëkohësisht ai vazhdon që të ketë vepra të reja. Çdo vit kur bëhet propozimi, ka diçka të re”, u shpreh akademiku Shaban Shabani.

Sipas tij, Akademia është përpjekur që të lobojë vit për vit, sidomos me akademitë simotra në ALLEA. “Nuk është shumë e lehtë për ta bërë këtë, mirëpo jemi përpjekur edhe nëpërmjet albanologëve në të gjitha anët e botës. Është një punë, të cilën e kemi bërë në heshtje dhe pasqyrohet në dosjen e Kadaresë, ku propozohet për Nobel. Ka edhe forma të tjera nëpërmjet rrugëve diplomatike. Është një çështje mjaft e ndërlikuar, pasi Nobeli jepet për një vepër. Në të vërtetë, nuk ka Nobel për vepër jetësore, por për një vepër të zgjedhur. Besoj se një prej problemeve të vështira që duhet të kapërcejë Nobeli në rastin e ballafaqimit me kandidaturën e Kadaresë, është lidhur me faktin se vepra më e suksesshme në shkallë ndërkombëtare është ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’, që i ka dhënë përmasën ndërkombëtare edhe letërsisë shqipe. Prandaj, edhe rikthimi te ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ është rikthim gjysmë shekulli pas. Kjo do të thotë që vetë ‘Nobeli’ duhet të shprehë një qëndrim autokritik, për faktin që nuk e ka vënë re në kohën e duhur këtë talent të jashtëzakonshëm të letërsisë europiane dhe botërore”, u shpreh Sinani. Alda Bardhyli, drejtore e QKLL u shpreh se “që me botimin e ‘Gjeneralit të ushtrisë së vdekur’ më 1963, Kadare e futi letërsinë dhe gjuhën shqipe në hartën e letërsive dhe gjuhëve të mëdha. Do të ishte gabim të paraqitej Kadareja si një figurë e heshtur gjatë diktaturës. Në një vend ku shkrimtarët vazhdimisht persekutoheshin, burgoseshin, torturoheshin dhe vriteshin, Kadareja shkroi disa nga veprat më të shkëlqyera dhe subversive që kanë dalë nga Europa Lindore socialiste”.

Diana Çuli: Kadare e bëri letërsinë shqipe serioze

“Vepra e Kadaresë e bëri letërsinë shqipe shumë serioze, duke e ngritur shumë lart nivelin e saj artistik…Shkroi për gjëra shumë të mëdha, por e lexoi edhe njeriu më i vogël, që mund të ketë lexuar vetëm një vepër në jetën e vet. Për të shprehur vizionin e tij mbi botën, mbi shoqërinë shqiptare, mbi njeriun në vetvete, mbi luftën, letërsinë edhe paqen e vështirë, kryesisht zgjodhi zërin e romanit. Në debatin e përhershëm: A mund të ndahet jeta nga letërsia, ai diti të përgjigjet me veprën e tij, që shpesh nuk ndoqi jetën e përditshme, por që njeriut që e lexoi ia përmirësoi këtë jetë edhe vizionin mbi të. Ai i bëri njerëzit të mendoheshin, të diskutonin e të debatonin me njëri- tjetrin për çështje të thella, por edhe për bukurinë e botës edhe në ferrin më të madh”.

Shkrimtarja ndau me të ftuarit ndikimin e Kadaresë në sistemin komunist, si bashkëkohëse e tij.

“Në periudhën tonë të vështirë të regjimit kam përjetuar fuqinë, që ai i dha shoqërisë sonë, atë për të cilën ajo kishte nevojë: lirinë e të menduarit ndryshe. Preku pikat më djegëse të kohës, preku atë që nuk kishte guxuar askush dhe hodhi dritë në mendjet tona. Atë që sot shoqëria shqiptare po tenton që ta bëjë me rregulla dhe negociata për të qenë përfundimisht pjesë e Perëndimit, nga i cili na kanë shkëputur me forcë pushtimet dhe regjimet totalitare, ai e bëri me këmbënguljen e shkrimtarit dhe nuk hoqi dorë kurrë prej kësaj ideje, se Shqipëria është pjesë e Perëndimit e se atje do të kishte sytë. Edhe pse trajtoi tema të mëdha, nuk harroi asnjëherë se letërsia duhet që të japë kënaqësi. Se duhet që të jetë një kënaqësi e të lexuarit, sepse është art dhe bazohet te një parim estetik i së bukurës. E dha këtë kënaqësi estetike të leximit si askush. Pati një vullnet të tillë gjenial, që u kuptua nga të gjithë. I dha dritë gjuhës shqipe, duke përzgjedhë sintaksën më elegante që ajo ka. Duke përzgjedhur fjalët më kuptimplote edhe më tingëlluese, duke fjalëformuar, por jo duke qëmtuar me të tepërt fjalët e harruara, që ndonjëherë gjuha si organizëm i gjallë i përjashton dalëngadalë. Nuk e lodhi lexuesin me mani kërkimore, por e mrekulloi duke i vënë në dukje se ai flet dhe përdor ky lexues këtë mrekulli gjuhësore. Kadare ka një vepër me vizion botëror, sepse lexuesit të huaj, ajo nuk i duket e huaj, pasi është një vepër universale”, u shpreh shkrimtarja.

Burimi: Liberale.al