Nga: Kastriot Kotoni

Mbrëmë në kinema Millenium u shfaq premiera e filmit “Polina”, me regji të Valeria Prelocaj dhe skenografi të Angjelin Prelocaj. Filmi ishte një udhëtim drejt rrugës së artit të baletit të një balerine ruse, e cila shpërngulet në Francë, për të vazhduar rrugën e artit. Në këtë etud kinematografik, regjizorët mbasi kishin kryer disa audicione me mbi 400 balerinë në Rusi dhe 200 në Francë, kishin përzgjedhur rreth 40 balerinë për këtë film që po bën xhiron e botës deri më tani, në rreth 30 vende.

Filmi ka në qendër të tij një vajzë ruse, e cila me sakrificat e familjes së saj qysh në moshën pesë-vjeçare fiton një audicion për në shkollën e baletit e deri në arritjen e saj në “Balshoj teatër”. Kerkesat e larta të artit të kërcimit ishin për transmetimin me sa më shumë ndjenjë të çdo lëvizje trupore të balerinëve si në Rusi, ashtu edhe në Francë.

Vështirësitë e jetës nuk duhet të ndikonin në emocionet e artistit, kjo ishte pika e parë që u mësohej artistëve, njëkohësisht dhe serioziteti dhe këmbëngulja në punën e përditshme. Linjat e filmit ishin e para dashuri për artin dhe e dyta linja e dashurisë së personazhit kryesor “Polinës”.

Skenaristi dhe regjizori e kishin zgjedhur në mënyrë shumë fine edhe përfundimin e filmit, jo me skenat klishe, por si një arritje kulmore të fitimit të një të drejte për të qenë pjesë e një shfaqeje me përmasa të mëdha, siç janë shfaqjet në Paris. Kineastët kishin zgjedhur një gjuhë dhe teknikë tjetër në këtë film, për ti dhënë më shumë hapësirë kërcimit se sa fjalës dhe në ndonjë rast, është përdorur teknikë audiovizive kompjuterike. Komponentë shkriheshin me njëri-tjetrin, si për nga arti i komunikimit dhe ai i kërcimit. Me mbarimin e shfaqjes, spektatori i shtangur nga ky lloj i ri filmi, doli i mrekulluar dhe disi më i relaksuar nga një ditë e lodhshme nga shiu në kryeqytet.

Burimi: Konica.al