Në Vendimin e Fuqive të Mëdha për njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë ishte theksuar se do të dërgohej një Mision Ushtarak. Fillimisht iu kërkua Suedisë, e cila nuk pranoi, pasi ishte e përfshirë në një mision tjetër. Iu kërkua pastaj Mbretërisë së Holandës, e cila pranoi që të dërgonte një Mision Ushtarak në Shqipëri.

Më 20 tetor 1913, Mbretëresha Wilhemlina e Holandës, kishte firmosur Dekretin Mbretëror për nisjen e Misionit Ushtarak Holandez në Shqipëri. Në fillim do të ishin dy oficerët madhorë gjeneral Willem J. H. De Veer dhe kolonel Lodewijk W. J. K. Tomson, të cilët, pas një misioni zbulimi, do t’i praqisnin Mbretëreshës së Holandës planin për të gjithë Misionin Ushtarak Holandez, i cili, sipas Vendimeve të Konferencës së Londrës, do të organizonte Xhandarmërinë Shqiptare, pasi Shqipërisë nuk i lejohej mbajtja e Ushtrisë, sepse ishte paracaktuar si shtet neutral, nën “garancinë e Fuqive të Mëdha”.

Zyrtarisht, Misioni Ushtarak Holandez në Shqipëri, konsiderohet i filluar më 24 dhjetor 1913, kur Mbretëresha Wilhemlina dekretoi emërimin e Gjeneralit De Veer dhe të Kolonelit Tomson, në shërbim dy-vjeçar të Xhandarmërisë Shqiptare. Oficerët madhorë holandezë De Veer dhe Tomson erdhën më 10 nëntor në Vlorë dhe hynë në kontakt si me KNK ashtu edhe me Qeverinë e Përkohshme.

Pasi udhëtuan nëpër Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, ata dërguan studimin e tyre në Hagë. Pas raportit vëzhgues e studimor të dy oficerëve të lartë holandezë, u dhanë porositë për përgatitjen e oficerëve që do të dërgoheshin me mision në Shqipëri. Me interesimin e drejtëpërdrejtë të Mbretëreshës Wilhemlina, Ministri i Luftës, Bosbom, i dërgoi një qarkore të gjitha komandave ushtarake, për caktimin e oficerëve më të përgatitur, për këtë mision të rëndësishëm, që “do të ngrinte më lart emrin e Holandës”. Misioni Ushtarak Holandez u plotësua me 15 oficerë dhe dy mjekë, si dhe një ndihmësmjek ushtarak. Ata ishin:

1. Gjeneral Major Willam J. H. De Veer, oficer artilerie
2. Koloneli Lodevijk W. J. K. Tomson, oficer këmbësorie
3. Majori Johan M. Sluys, oficer këmbësorie
4. Majori Joan E. Snellen van Vollenhoven, oficer këmbësorie
5. Major Wouter de Waal, oficer artilerie

6. Majori Henri J. L. Kroon, oficer këmbësorie
7. Major Hugo J. Verhulst, oficer artilerie
8. Major Lucas Roelfsema, oficer kavalerie
9. Kapiteni Jan Fabius, oficer artilerie
10. Kapiteni Jan H. Sar, oficer këmbësorie

11. Kapiteni Julius H. Sonne, oficer këmbësorie
12. Kapiten Jetze Doorman, oficer artilerie
13. Kapiteni Hendrik G. A. Reimers, oficer këmbësorie
14. Kapiteni Carel de Jongh, oficer artilerie

15. Togeri Gerard A. Mallinckrodt, oficer këmbësorie
16. Major Tiddo Reddingius, mjek ushtarak
17. Rreshter sanitar J. van Villet
18. Mjeku F. H. de Groot në shërbim ushtarak

Gazeta “Përlindja e Shqipërisë” e vitit 1913 lajmëron për dy oficerë të lartë, që do të vinin në Shqipëri, në zbatim të Dekretit Mbretëror të Mbretëreshës së Holandës. Në numrin e parë të nëntorit, ajo shkruan se ata janë nisur “nga Triestja ditën e premte dhe do të vinë të hënën në qytetin t’onë, oficerët, që do të vënë në udhë veglën që do të bëjë të mbretërojë qetësia në vendin t’onë”.

Ndërsa historiani holandez Edwin Ruis, në librin e tij, botuar në vitin 2014, shkruan:

“Të hënën, me 10 nëntor 1913 Gjenerali William De Veer dhe ish-parlamentari Koloneli Lodevijk Tomson arritën në tokën shqiptare me avullore në gjirin e mbrojtur të qytetit bregdetar jugor shqiptar, të Vlorës…” Edhe Gazeta “Dielli”, që botohej në Boston të SHBA-së, përshkruante me zbukurime romantike oficerët e sapoardhur nga Holanda me një kronikë të datës 16 nëntor 1913: “Organizatorët e Xhandarmërisë ardhën: De Veer e Tomson. Janë dy burra të ngjeshur, të lartë, të bukur dhe kanë një sy që e bën xhandarin të ketë respekt.

Më pas priten dhe të tjerë oficerë më të vegjël të vinë.” (Gazeta “Dielli”, 5 dhjetor 1913)
Me të mbërritur në Vlorë, më 10 nëntor 1913, Gjenerali De Veer dhe Koloneli Tomson u takuan me Kryeministrin e Qeverisë, Ismail Qemali, si dhe me anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Ata u takuan edhe me anëtarët e tjerë të Qeverisë së Vlorës, si dhe me oficerët e Shtabit Madhor, të krijuar pranë Ministrisë së luftës, me Gjeneral Mehmet Dërallën dhe major Ali Shefqet Shkupin, kapiten Kamber Sejdinin, kapiten Tole Arapin, etj. Sipas shtypit dhe kujtimeve të botuara, vitet e fundit, nga të dy oficerët e lartë holandezë, Tomsoni të bënte përshtypje për kulturën dhe intelektin që zotëronte. Ai kishte zhvilluar mjaft takime në Vlorë, ashtu si përshkruhet nga kujtimet origjinale të bashkëkohasëve, botuar në dy dekadat e fundit në Shqipëri, por edhe nga studimi i gazetës “Përlindja e Shqipërisë”.

Nga këto takime të shumta, janë lidhur edhe afërsitë e para miqësore, si ato me vetë Ismail Qemalin, por edhe me Luigj Gurakuqin, me Isa Boletinin, por edhe me Mehdi Frashërin, Mehmet Dërallën, etj., si dhe me Dhimitër Beratin, drejtorin e gazetës zyrtare të Qeverisë së Vlorës. Në një lajm, që botohet për veprimtarinë e oficerëve holandezë, gazeta e përshkruan saktë dhe me korrektësi De Veer, ndërsa Tomsonin e paraqet, jo me gradën, që mbante, por duke e cilësuar, “madhori Tomson”. Ky vlerësim shpreh dhe kortezinë dashamirëse të drejtorit të Gazetës “Përlindja e Shqipërisë”. Në albumin e Familjes Tomson, që është ruajtur nga i vëllai i Kolonelit Tomson dhe që sot ndodhet në Arkivin Ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes së Holandës, janë shumë kartvizita të diplomatëve të huaj, që ndodheshin në Vlorë dhe në Durrës, si dhe të disa prej presonaliteteve më të njohura të kohës, si vëllezërit Faik e Mehmet Konica, Mehdi Frashëri, Toger Meleq Frashëri, Jashar Erebara, Kapiten Kamber Sejdini, që do binte heroikisht në Betejën e 15 qershorit 1914, në Durrës, në të njëjtën ditë me Kolonelin Tomson.
Udhëtimi Vlorë-Berat

Oficerët e lartë holandezë, Gjenerali De Veer dhe Koloneli Tomson, kishin marrë urdhër që të kryenin një studim për kushtet e organizimin e xhandarmërisë shqiptare dhe vendosjen e oficerëve holandezë në zonat e ndryshme. Për këtë qëllim ata mbaruan përgatitjet për udhëtimin nga Vlora në Shkodër. Qeveria e Vlorës i ndihmoi për këtë ekspeditë studimore. Ismail Qemali i ndoqi personalisht përgatitjet e tyre. Ai caktoi si shoqërues të dy oficerëve madhorë holandezë, djalin e tij, Kapitenin Et’hem Vlora dhe Togerin Meleq Frashëri, një nga oficerët shqiptarë më të përgatitur në strukturat e Qeverisë së Vlorës, Komandant i Xhandarmërisë Shqiptare…

Ajo javë e fundit të vjeshtës së dytë të vitit 1913 nisi me mot me diell. Rruga deri në Fier dhe Berat kaloi mirë dhe zgjati një ditë. Këtë udhëtim e përshkruan vetë Gjenerali De Veer në kujtimet e botuara në gazetën Holandeze “De Neuwe Courant” të 8 janarit 1914. Por ne po e përcjellim për lexuesit shqiptarë, sipas shënimeve të raportit të tyre konfindecial të dërguar në Hagë në fillimin e vitit 1914.

Pas takimit me autoritetet e Fierit, të dy oficerët holandezë qëndruan për të fjetur në Berat. Ata u takuan atje edhe me komandantin e batalionit të xhandarmërisë, Kapiten Ali Tetovën. Ky batalion, kishte në përbërjen e tij, jo vetëm vullnetarë nga zona e Beratit e Skraparit, por edhe nga Lushnja e Fieri, Kolonja dhe Mallakastra, etj. Në stukturat e këtij batalioni ishin rreshtuar dhe ushtarakë, të ardhur nga formacionet e armatës turke, të dislokuar në Myzeqe. Efektivat e tij kishin zhvilluar me sukses shumë luftime me andartët dhe forcat greke në zonën Berat-Skrapar-Kolonjë.

Në Berat, me nismën e Kolonelit Tomson, u zhvillua një takim me njerëzit që kishin më shumë ndikim, në zonën e Fierit, Beratit e Skraparit. Këto mbledhje, të organizuara më vonë edhe në Elbasan e Shkodër, ishin të konceptuara nga Tomsoni si “kuvende rajonale”. Aty diskutoheshin problemet e rendit dhe të sigurisë, zbatimi i ligjeve dhe detyrimet për krijimin e Xhandarmërisë.

Takimi me parinë e Beratit dhe të ftuarit e tjerë nga Fieri e Skrapari, zgjati shumë, pasi u paraqitën me dhjetra e qindra fakte dhe ngjarje nga sulmet e andartëve grekë, sidomos në zonën e Skraparit dhe të Kolonjës, si dhe në atë të Përmetit e të Tepelenës. Aziz Vrioni u foli oficerëve holandezë për veprimtarinë e “Komiteteve të Mbrojtjes”, që ishin ngritur me porosi të Kryeministrit të Qeverisë së Vlorës. Ato siguronin mbrojtjen e fshatrave, ndihmonin në mobilizimin e njerzëve, si dhe i mbështetnin me ushqime. Kjo përvojë e vyer u këshillua që të zgjerohej edhe në kazatë (rrethet) e tjera.

Në grupin e figurave më me ndikim, sipas raportimit me shkrim, që kishin përgatitur De Veer dhe Tomson, ishin të pranishëm edhe Ymer Pasha nga Fieri, Avni Beu, Mehmet Efendiu (Myftiu i Beratit), Metropoliti Johakim, Muharrem Efendiu, Muharrem Resuli, Abdyl Beu për arsimin, avokatët Taqi Efendiu e Dhimitër Tutulani, shefi i policisë Shaban Efendiu, etj. Ndërsa nga zona e Skaraparit ishin Xhelal dhe Abdyl Bej Koprencka, Tushan Rehovica, Hasan Bej Zaloshnja, Dervish Iljazi dhe Prefekti Themistokli Gërmenji. Gjenerali De Veer dhe Koloneli Tomson mbajtën shënime të shumta në këtë takim dhe i pasqyruan në raportin, që i dërguan Mbretëreshës së Holandës, për “Organizimin e Xhandarmërisë në Shqipëri”. Koloneli Tomson shkruan: “Shumë probleme, do t’u jepen organizatorëve vendorë holandezë, kur të caktohen me detyrat përkatëse.” …Në Berat, Gjenerali De Veer dhe Koloneli Tomson provuan edhe mikëpritjen e famshme shqiptare. Ata hëngrën darkën me parinë e Beratit…
Nga Elbasani në Tiranë…

Elbasani ishte vendi ku do të qendronin më gjatë. Ata mbërritën aty më 21 nëntor 1913. Takimi i parë ishte me Prefektin Aqif Pashë Elbasanin. Gjenerali De Veer e vlerësonte atë si “njeriun e Ismail Qemalit”. Në këtë takim ishte edhe oficeri i njohur në gjithë zonën, Kapiten Ismail Haki Tatzati, një nga organizatorët dhe komandantët më të zotë të kohës.

Ai do të ishte, edhe më vonë, një bashkëpunëtor shumë i vlefshëm për oficerët holandezë që u caktuan në Elbasan. Problemi më i madh, që u diskutua me autoritetet e Elbasanit, ishte veprimtaria e forcave ushtarake të Esat Pashë Toptanit. Grupet e shumta esadiste të armatosura kryenin vjedhje e grabitje në tërë zonën e Elbasanit. Ata kërkonin të shkaktonin rrëmujë dhe pakënaqësi tek banorët, duke synuar që t’i ngrinin në revolta kundër Qeverisë së Ismail Qemalit.

Lidhur me këtë, përfaqësuesi gjerman në KNK, z. Nadolni, i shkruante, ndër të tjera, Kancelarit Perandorak në Berlin, zotit fon Betman Holveg: “Në Jug ai (Esat Pashë Toptani) ka dërguar emisarët e tij kundër Elbasanit, për t’ia shkëputur këtë qytet Qeverisë së Vlorës.

Sidoqoftë, këto banda të organizuara nuk kanë arritur ta marrin deri tashti qytetin, mbasi njësiti i përmendur i Xhandarmërisë, që është vendosur përkohësisht atje – derisa të fillojë evakuimi i Jugut, është i gatshëm për të mbrojtur qytetin e, prandaj, ata po mjaftohen, me sa duket, hëpërhë me një shkëmbim të pakuptimtë zjarri nga një largësi e madhe. Ndërkohë, ky uzurpator dinak, mban kundrejt Komisionit, një qëndrim tejet besnik e mirëdashës.”

Në Elbasan dy oficerët holandezë qendruan katër ditë. Ata zhvilluan shumë takime, jo vetëm me autoritetet lokale, por edhe me komunitetet fetare dhe me shumë personalitete të njohura. Ndërsa pjesëmarrësit në tubimin kryesor ishin: Aqif Pasha, Fuad Beu, Agush Beu, Sheh Mahmuti, Hafiz Beu, Sheh Ibrahimi, Dud Dhimitri, Serafim Jorgaqi, farmacisti Taqi Juda, Nikollë Papa Jani, Haxhi Nikolla, doktor Simoni, Hysen Dakli, Sali dhe Fejzullah, Aleksandër Xhuvani i Shkollës Normale, etj. Këto emra, janë nxjerrë nga materiali konfidencial, që i kanë dërguar Mbretëreshës Wilhemlina të Holandës, dy oficerët holandezë, Gjenerali De Veer dhe Koloneli Tomson.

Pas Elbasanit vazhdoi rruga për në Tiranë, grupi i udhëtarëve të njohur, i përbërë nga dy oficerët holandezë, dy oficerët shqiptarë, si dhe tre ordinanca, ndaluan në Hanin e Kërrabës. Aty kaluan një natë, mes njerzëve të thjeshtë, duke provuar mikëpritjen tipike tradicionale shqiptare, për të cilën kishin lexuar në librat e anglezes së famshme, Edith Durham. Por takimet në Tiranë nuk shkuan dhe aq mirë. Dy oficerët madhorë të Mbretërisë së Holandës u pritën më 25 nëntor 1913 në sarajet e Esat Pashë Toptanit. Ai e kishte shtuar pompozitetin, pasi ishte emëruar Kryetar i Qeverisë së Durrësit.

Pashai shprehu pakënaqësi të madhe për shoqërimin e mysafirëve holandezë me Kapitenin Et’hem Bej Vlora, djalin e Ismail Qemalit. Ai urdhëroi rojet e tij që të mos e lejonin të lëvizte nëpër sarajet e Pashait. Vetëm ndërhyrja e Gjenerali De Veer shmangu skandalin, i cili u përcoll me një shpejtësi të habitshme dhe mjaft i zmadhuar në Vlorë, Aty Gazeta “Përlindja e Shqipënisë” e datës 30/12 të Vjeshtës së Dytë shkruante: “Esat Pasha çarmatos oficerët holandezë dhe burgos Et’hem Bej Vlorën”.

Koloneli Tomson kishte dëgjuar shumë për Esat Pashë Toptanin, sepse kishte qenë vëzhgues ushtarak gjatë rrethimit të Shkodrës nga forcat ushtarake malazeze. Tomsoni e vazhdoi këtë detyrë pas largimit nga Selaniku dhe Janina, ku ndoqi luftimet e forcave ushtarake turke dhe greke, gjatë Luftës së Parë Ballkanike.

Ai ishte në Selanik që nga 21 nëntori 1912 dhe më pas në rrethinat e Janinës, për të mbërritur në Mal të Zi më 31 janar 1913. Mbërritja tij pranë fushëbetejës, rastisi një ditë pas vrasjes së komandantit ushtarak të mbrojtjes së Shkodrës, Hasan Riza Pashës. Burimet diplomatike, por edhe shpjegimet e bashkatdhetarit, oficerit tjetër holandez, Jan Fabius, korrespondent ushtarak për Ballkanin, flisnin se kjo ishte vepër e Esat Pashë Toptanit, i cili kishte qenë zëvendës komandant i mbrojtjes së Shkodrës.

Tregohej se Komandanti Hasan Riza Pasha u vra sapo doli nga shtëpia e Esat Pashë Toptanit, nga Osman Bali dhe dy ndihmësa të tij. Flitej se për këtë vrasje dhe për dorëzimin e Shkodrës, më 23 prill 1913, Esat Pashë Toptani kishte kërkuar shumë para dhe kishte marrë nga Oborri Mbretëror i Malit të Zi, tetëdhjetë mijë lira floriri turke.

Të dy oficerët holandezë i kërkuan Esatit që t’u siguronte rrugën për në Krujë e në Lezhë, por pashai, i cili vazhdonte inatin me djalin e Ismail Qemalit, që shoqëronte holandezët, u tha se nuk kishte “forca të mjaftueshme ushtarake për të siguruar udhëtimin e tyre”. Ndaj ekspedita ushtarake la Tiranën dhe iu drejtua Durrësit, për ta bërë rrugën deri në Shëngjin me anije.
Në veri…
Pas tre ditësh udhëtimi të lodhshëm, nga Durrësi, në Shëngjin, pastaj në derdhjen e Bunës, më 29 nëntor 1913, grupi me dy oficerët holandezë mbërritën në Shkodër.

Aty iu krijuan kushte mjaft të përshtatshme, pas atij udhëtimi të lodhshëm.

Ata ishin mysafirë të kolonelit anglez Filips, që komandonte forcat ushtarake ndërkombëtare. Ai kishte organizuar xhandarmërinë dhe policinë, si dhe kishte emëruar një drejtues bashkiak. Kishte vendosur rregulla për të ndaluar qarkullimin me armë në qytet. Por gjakmarrja vazhdonte të mbetej shqetësimi më i madh. Koloneli Filips kishte biseduar edhe me një delegacion të Qeverisë së Vlorës, të kryesuar nga Luigj Gurakuqi, që ndodhej ende në Shkodër. Ai u takua me Koloneli Tomson dhe Gjenerali De Veer. Që aty u lidh një miqësi e madhe, mes Gurakuqit dhe oficerëve holandezë, sidomos me Kolonelin Tomson. Kjo miqësi do të forcohej në mbrojtjen e Durrësit, ku Luigj Gurakuqi u plagos, ndërsa Koloneli Tomson dha jetën disa muaj më vonë…

Me forcat ushtarake ndërkombëtare, Shkodra tashmë ishte një qytet tepër i rëndësishëm tregtar, me rregull dhe siguri. Këtë e vlerësuan shumë edhe oficerët holandezë, që ishin mysafirë të autoriteteve, të cilët shtruan një pritje për ta. U shkëmbyen edhe dhurata të shumta, ndërsa Gazeta “Taraboshi” e datës 3 dhjetor 1913, botoi fotografinë e oficerëve holandezë me titullin e madh: “Shqyptarë dhe Shqyptarofilë”. Në tekstin shoqërues, shkruhej: “Gjenerali De Veer dhe Koloneli Tomson janë oficerët e parë dhe janë për t’ia falur nderimet Atdheut tonë, rishtaz të ngjallun.”

Po kjo gazetë botonte një kronikë nga takimi që oficerët holandezë zhvilluan me autoritetet lokale dhe me krerët e fiseve dhe me parinë e Shkodrës. “Taraboshi” botoi edhe disa nga planet që kishin oficerët holandezë për krijimin e forcave të xhandarmërisë në gjithë vëndin. Një hapësirë të madhe, gazeta i la edhe një shkrimi për Mbretërinë e Holandës, duke shprehur mirënjohjen më të lartë për vendin nga u nisën dy oficerët madhorë, ”që do mbeten në historinë e Shqipërisë”, nënvizon gazeta “Taraboshi” e Shkodrës. Kurse Studio Marubi realizoi fotografitë e të dy mysafirëve të shquar, që shoqëronin shkrimet e botuara.

Sipas traditës, të krijuar në Berat dhe në Elbasan, Koloneli Tomson organizoi disa “kuvende” në Shkodër. Tubimi i parë u zhvillua më 2 dhjetor 1913 dhe morën pjesë kryetari i këshillit, Myharrem Gjyli Bej, Haxhi Afiz Alush Jahja dhe Abdullah Efendiu nga Lidhja Kombëtare, djali i myftiut të Shkodrës, Tahir Efendiu, ish kryetari i këshillit Riza Bej Kopliku, Shaban Efendi Dragusha, Sul Hoti, Abdyl Aga Miluja, Jak Suma, Meto Tepja, Sait Juka, Ibrahim Aga Kastrati, Palok Kurti, Jakup Aga Rroji, Beqir Aga Bekteshi, Cafo Bej Ajasma, Adem Boriçi, K. Kodheli dhe Hilë Mosi, Drejtor i Gazetës “Shqypnia e Re”. Ai ishte dhe përkthyes në takimin e parë.

Takimi tjetër, që u organizua një ditë më pas, u zhvillua me krerët e Malësisë, ose si e përshkruan Koloneli Tomson, me “Fisnikërinë e Malicisë”. Në këtë takim ishte përkthyes Gjergj Gurakuqi. Koloneli Tomson ka përmendur këto emra të pjesëmarrësve të takimit: Bajram Bej Curri (Gjakova), Hafiz Ymer Efendi, myftiu i Gjakovës, Hasan Bej Curri, Hasan Aga Batusha, Brahim Alia (Gashi), Kadri Smajli (Bajraktar i Kresniçit), Bajram Njimani, Hoxhë Bajaziti, A. Kecjani, Arif Demushi, Abdi Xhoxhja, Haxhi Ketsjani, Bajram Sadiku (Kresniçi), Asgan Ahmeti, Beq Meslia, Meta Jaqi, Beq Myftari (Gashi) dhe Haxhi Brahimi e Bajraktari Senelaq Ibalia (Ibali).

Në këto takime u fol shumë edhe për sulmet e shpeshta të forcave serbe dhe malazeze, që kishin bërë vazhdimisht, duke plaçkitur dhe duke djegur shtëpitë e patriotëve shqiptarë. Krahas forcimit të mbrojtjes, u lanë detyra për krijimin e rojeve të fshatrave, që do të përcillnin kushtrimin, në rast sinjali luftarak, ashtu edhe siç ishte tradita shqiptare.

Koloneli Tomson dhe Gjenerali De Veer zhvilluan takime edhe me komunitetet fetare. Në materialin e tyre sudimor konfidencial, drejtuar Mbretëreshës së Holandës, për Misionin Ushtarak në Shqipëri, është edhe ky shënim interesant i dy oficerëve madhorë: “Njerëz me ndikim në Shkodër dhe në rrethinat e saj, janë Monsinjor Serreqi, sekretari i tij, Ernest Kozzi, që është një njeri i mësuar, i vetëdijshëm për shtetin e ri. Ne kemi zhvilluar disa bashkëbisedime me ta, si dhe me abatin e Mirditës Dom Doçi, Peshkopin e Lezhës, Monsinjor Bumçi, të Nenshatit, Monsinjor Koleci dhe të Pultit, Monsinjor Shllakun.”

Në të gjitha këto takime u morën angazhime për të ndihmuar organizimin e Xhandarmërisë Shqiptare. Me kushtet e krijuara në Shkodër, dy oficerët madhorë holandezë, përfunduan raportin për Qeverinë e Mbretërisë së Holandës dhe e nisën në datën 3 dhjetor 1913. Raporti konfidencial, mbante titullin “Misioni Holandez në Shqipëri – Xhandarmëria në Shqipëri”. Në këtë raport propozohej që të caktohej sa më shpejt grupi i oficerëve holandezë, që do të vinin në Shqipëri, si dhe bëheshin përshkrime dhe vlerësime për historinë, gjeografinë, popullsinë dhe modelin e Xhandarmërisë Shqiptare.

Pas një qëndimi javor në Shkodër, grupi i oficerëve holandezë dhe shoqëruesit shqiptarë, më 5 dhjetor 1913 u nisën me një makinë, nga Shkodra në Lezhë. Aty takimi u zhvillua, në një situatë tepër të rëndë, po atë ditë. Gjet Çoku ishte vrarë para dy muajsh dhe përflitej se kishte dorë në këtë vrasje Preng Bibë Doda, Princi i Mirditorëve, siç quhej nga të huajt. Në takimin e Lezhës, merrnin pjesë Dedë Çoku, Gjon Kokshi, Nesh Gjoka e Prelë Toma (Shkreli), Llesh Gjergji, Kolë Rustica e Lekë Vuksani (Nikshi), Mane Begu e Haxhi Begu (Lezha), Dedë Lleshi e Martin Vuksani (Vukli), Gjokë Nika (Lohje), Gjergj Qorri, Nikollë Loshi, Gjeto Gjeka (Sleten), Neni Gjoka (Vlatania), Prenk Gjetoja (Kelmend) dhe ati françeskan i Zadrimës, Serafim i cili ndihmoi edhe si përkthyes. Diskutimet për gjakmarrjen zunë vendin kryesor të kuvendit të oficerëve holandezë me krerët e Malësisë së Lezhës. Tomsoni foli për të mbyllur këtë gjakmarrje, mes Lezhës dhe Mirëditës, pasi tani detyra ishte për të mbrojtur shtetin e ri shqiptar.

U diskutua edhe për kushtet e pjesëmarrjes në Xhandarmërinë Shqiptare, që do të organizohej prej oficerëve holandezë. U morën angazhime për të zbatuar ligjet dhe detyrimet ndaj Qeverisë së Vlorës.
Takimet ishin planifikuar të vazhdonin me Kapedanin e Mirditës Preng Bibë Doda, por koha ishte shumë e keqe dhe dy oficerët holandezë, bashkë me shoqëruesit e tyre, nuk mund të shkonin në Orosh. Megjithatë, mes shiut dhe furtunës së dëborës, që shoqëronte atë ditë dhjetori, Preng Bibë Doda erdhi në Ndërfushë për t’u takuar me oficerët e lartë holandezë… Koloneli Tomson dhe Gjenerali De Veer e shihnin atë për herë të parë, megjithëse në Vlorë flitej shumë për Kapedanin e Mirditës. Gati njëzetë ditë më vonë, më 25 dhjetor 1913, Kapedani i Mirditës do të emërohej zëvendëskryeministër i Qeverisë së Vlorës. Preng Bibë Doda, edhe më vonë, në dy kabinetet qeveritare të Princ Vidit, do të ishte dy herë ministër, i punëve botore dhe i punëve të jashtme. Me këtë takim përfundoi udhëtimi i dy oficerëve holandezë nëpër Shqipërinë e vitit 1913. Ata udhëtuan nga Shëngjini në rrugë detare, në Durrës e në Vlorë. Më 9 dhjetor Ekspedita u rikthye në Vlorë, pas njëzetë ditësh udhëtimi.

Pas këtij udhëtimi të dy oficerët madhorë filluan takime dhe konsultime edhe me ushtarakët shqiptarë të Ministrisë së Luftës dhe asaj të Brendshme. Diskutime u bënë edhe me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe me ushtarakë të efektivave të policisë dhe të xhandarmërisë. Vetë Koloneli Tomson u mor me hartimin e një teksti përfundimtar, si një rregullore paraprake, por edhe si një manual organizativ. Ky tekst u botua edhe në Gazetën “Përlindja e Shqipënisë” (Nr.34, dt. 20 dhjetor 1913), me titullin: “Dekret i përkohshëm për Xhandarmërinë në Shqipërinë e Jugut.”

Ky Dekret Qeveritar, shoqërohej edhe me një “Kontratë për të hyrë në Xhandarmërinë e Shqipënisë.” Në këto dokumente dhe në analizën përfundimtare të Gjeneralit De Veer dhe Kolonelit Tomson, konkludohej se një efektiv prej prej pesë mijë xhandarësh, do të drejtohej nga një trupë komanduese dhe organizuese prej tetëqind oficerësh, prej të cilëve do të ishin nga tre oficerë shtabi, gjashtë oficerë komandues dhe dymbëdhjetë oficerë trupe, për çdo njësi ushtarake. Oficerët holandezë parashikonin që, krahas trupave të këmbësorisë, të kishte edhe nënreparte kalorësie, të tipit të detashmentit, që do të përbënin trupën e xhandarmërisë ushtarake të lëvizshme.

Ata përfunduan materialin e plotë, që ia dërguan Qeverisë së Mbretëreshës së Holandës. Ky raport prej 142 faqesh, i titulluar “Raport për Misionin në Shqipëri – Studim paraprak për organizimin e Xhandarmërisë”, u shtyp në Hagë dhe mban shënimin e një materiali konfidencial. Raporti përmbledh nëntë kapituj dhe katër shtojca. Kapitulli i parë trajton rëndësinë e Misionit në Shqipëri dhe objektivat e tij, ndërsa i dyti jep informacione për hartat e kohës, për zonat gjeografike të Shqipërisë dhe sistemin e rrugëve.

Në kapitujt e tjerë trajtohen Historia e Shqipërisë, përshkruhet organizimi lokal shtetëror, burimet financiare dhe buxheti për Xhandarmërinë Shqiptare, si dhe pagesat e oficerëve, kontratat për xhandarët, etj. Në shtojcat e këtij raporti pasqyrohet teksti i një rregulloreje, lista e oficerëve shqiptarë, një hartë e vizatuar, besojmë nga Koloneli Tomson, pasi ai ishte dhe hartograf. Puna e dy oficerëve holandezë ishte serioze. Ajo përfshin edhe bibliografinë e materialeve të përdorura nga Gjenerali De Veer dhe Koloneli Tomson.

Konkluzioni i tyre, që ia parashtruan Mbretëreshës Wilhemlina ishte: “Sado e vështirë që të jetë kjo detyrë, që oficerët holandezë do të mbajnë mbi supe, kjo dhe vetëm kjo do të jetë këshilla jonë “Holanda duhet ta përmbushë këtë detyrë, për hir të qytetërimit të këtij vendi të varfër”… Kështu nisi rrugën drejt Shqipërisë Misioni Holandez më se një shekull më parë…/Gazetadita.al/